BE u kërkon Kosovës dhe Serbisë krijim të kushteve për bisedime

Premte, 09 November 2018 17:42

Bashkimi Evropian tha të premten se Prishtina dhe Beogradi duhet të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe ritheksoi kërkesën, që Kosova të heq dorë nga taksat shtesë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Thirrjet pasuan takimin e së enjtes mbrëma ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili përfundoi pa ndonjë përparim dhe presidenti serb paralajmëroi se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh përderisa nuk tërhiqet kjo taksë, por edhe siç tha, nuk hiqet dorë nga veprime tjera të Prishtinës.

"Serbia është e gatshme për bisedime, por para kësaj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet - të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit", tha presidenti serb, Vuçiç.
Kosova vendosi taksën shtesë si kundërpërgjigje ndaj siç u tha, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të premten se qëndrimi i Brukselit është i qartë rreth taksës mbi mallrat serbe.
“Dhe e kemi bërë të qartë se presim që Kosova të heqë këtë masë që dëmton edhe bashkëpunimin ekonomik rajonal por edhe nuk është në pajtim me marrëveshjen e stabilizim asocimit”, tha ajo.
Çështja e taksave ishte pjesë e takimeve dypalëshe të zonjës Mogherini me të dy presidentët por edhe atij trepalësh.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk deshi të komentojë çështjen e taksës por bëri thirrje për një bashkim të forcave politike në Kosovë përballë Serbisë.
“Askush nuk ka arsye të hezitojë apo të frikësohet nga ballafaqimit me Serbinë. Kur kemi qenë bashkërisht edhe në Rambouillet edhe në Vjenë, por edhe këtu në Bruksel në vitin 2013, Kosova ka dalë mirë, kemi shënuar rezultate, kemi shënuar progres. Klima nuk është e mirë, por dialogu dhe marrëveshja janë alternativa e vetme. Është diçka që do të kalojë nëpër shumë e shumë e shumë pengesa e gjemba, por në fund jam me shpresë se marrëveshja do të arrihet”, tha presidenti Thaçi.
Takimi i së enjtes ishte i pari që kur të dy presidentët kërkuan mbështetje ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të mund të përfshinte edhe prekjen e kufijve.
Këto ide nxitën ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.
Idetë nxitën reagime të shumta në Kosovë ku opozita edhe sot ka bërë thirrje që të mos lejohet vazhdimi i bisedimeve nga presidenti Hashim Thaçi, të cilin e akuzojnë se po punon për ndarjen e Kosovës.

Takimi i së enjtes, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, do të duhej t’i hapte rrugën një periudhe takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve, por tash për tash është e paqartë se kur mund të pritet vazhdimi i tyre.
Të dy presidentët do të marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të dielën në Paris. Presidenti Thaçi e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të bisedohet atje, ndërsa presidenti serb, Vuçiç, ka thënë se mund të ketë një takim me praninë e zyrtarëve të lartë perëndimorë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...