Veseli: Kosova duhet të flasë me një zë, jo të merremi me vetveten

Tuesday, 25 December 2018 12:47

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka ftuar në një takim Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga opozita, LDK dhe VV, në mënyrë që të koordinohen bashkërisht për Dialogun Kosovë-Serbi.

Takimi është thirrur për nesër, në orën 10:00, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Një ditë para këtij takimi, Veseli, në një intervistë të shkurtër për Kosovapress, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm në raport me Dialogun me Serbinë dhe, sipas tij, kjo është e vetmja perspektivë reale që i duhet vendit, institucioneve dhe qytetarëve.

Në të kundërtën, ka shtuar ai, çdo devijim nga përpjekja për unitet është në dëm të Kosovës. Të tillë ai e sheh thirrjen edhe të një seance tjetër për Dialogun nga LDK dhe VV, ndërkohë që një ftesë për takim që i shërben konsensusit edhe më të madh lidhur me këtë çështje ishte bërë paraprakisht prej tij.

“Në këtë fazë, ne nuk duhet të merremi me njëri-tjetrin, me ligjërime partiake, me pretendime për të dalë moralisht triumfues. Prandaj, konsideroj se edhe një seancë tjetër për Dialogun, sepse kjo s’është e para, e ftuar nga opozita, është në funksion të komplikimit të mëtejmë të thirrjes për unitet. Në vend se të diskutojmë bashkërisht për Kosovën, ne po ftohemi që të diskutojmë për njëri-tjetrin. Kjo është papërgjegjësi e LDK-së dhe Vetëvendosjes në raport me shtetin e Kosovës. Kjo logjikë i bën dëm momentit në të cilin gjendemi”, ka thënë Veseli.

KP:Ju keni ftuar një takim të përbashkët me krerët e institucioneve dhe partitë opozitare për të unifikuar edhe më tutje qasjen ndaj Dialogut me Serbinë. Megjithatë, LDK dhe Vetëvendosje kanë refuzuar ftesën. Si e vlerësoni situatën e krijuar dhe cili është mesazhi juaj me këtë rast?

Veseli: Ne jemi në një periudhë të rëndësishme politike dhe kjo është më se e qartë. Ka një intensifikim përpjekjesh për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë, nga e cila tashmë është evidente se ne presim asgjë më pak sesa njohjen nga Serbia, anëtarësimin në OKB, si dhe rrugën e qartë të integrimit në NATO dhe BE.

Para këtyre zhvillimeve, është obligim primar yni, si përfaqësues politikë të qytetarëve, që të jemi në kulmin e ndërgjegjësimit politik e institucional dhe të kemi një qasje racionale ndaj procesit të Dialogut.

Ne duhet t’i lexojmë me kujdes edhe mesazhet e partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që ftojnë për unitet politik, në mënyrë që secili hap i procesit të Dialogut të jetë i koordinuar dhe në funksion të arritjes së marrëveshjes që përmbush pritjet tona të drejta.

Për këtë arsye, kam kërkuar që i gjithë spektri politik të bashkohet para kësaj përgjegjësie, në mënyrë që të këshillohemi dhe të unifikojmë qëndrimet tona, për t’ia lehtësuar punën edhe Ekipit Negociator edhe Qeverisë e Presidentit, që mënyrë që Kosova ta ketë një perspektivë unike në fazën finale të Dialogut.

Vlerësoj se pas pavarësisë së vendit, nuk kemi pasur ndonjëherë një rast më të ndjeshëm sesa Dialogu, për të cilin na duhet unitet nacional. Prandaj, vazhdimisht, tash e sa muaj, kam ftuar gjithë spektrin politik për arritjen e konsensusit nacional. Edhe sot i qëndroj prapa idesë për një angazhim të përbashkët, që është i nevojshëm në këtë fazë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon vendi.

Refuzimi për të qenë pjesë e takimeve të tilla nga ana e LDK-së dhe Vetëvendosje është për keqardhje. Është shenjë e degradimit të ndërgjegjes politike të këtyre dy partive opozitare. Në rrethana kur kërkohet një qëndrim politik unitar, nuk ka klasifikime të tilla si pozitë dhe opozitë. Pozita dhe opozita definohen nga temat e brendshme lidhur me mënyrën se si e shohim qeverisjen. Por, këtu nuk bëhet fjalë për qeverisjen dhe nuancat e saj. Këtu bëhet fjalë për një qëndrim politik mbi atë se si e shohim ne dhe çfarë presim nga marrëveshja finale me Serbinë. Prandaj, mendoj se kjo sjellje është e papërgjegjshme dhe është dëm i madh që i bëhet vendit dhe shoqërisë sonë në këtë periudhë të rëndësishme.

KP: LDK dhe Vetëvendosje kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për Dialogun, pikërisht në ditën dhe orën kur pritet të mbahet takimi i ftuar nga ju . Çfarë prisni nga kjo seancë?

Veseli: Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm në raport me Dialogun me Serbinë dhe kjo është e vetmja perspektivë reale që i duhet vendit, institucioneve tona dhe qytetarëve tanë. Çdo devijim nga kjo, është përpjekje për të zhvendosur një temë të jashtme që kërkon unitet në një temë të brendshme ndërpartiake, gjë që është e pandërgjegjshme dhe e papranueshme.

Në këtë fazë, ne nuk duhet të merremi me njëri-tjetrin, me ligjërime partiake, me pretendime për të dalë moralisht triumfues. Prandaj, mendoj se edhe një seancë tjetër për Dialogun, sepse kjo s’është e para, e ftuar nga opozita, është në funksion të komplikimit të mëtejmë të thirrjes për unitet.

Në vend se të diskutojmë bashkërisht për Kosovën, ne po ftohemi që të diskutojmë për njëri-tjetrin. Kjo është papërgjegjësi e LDK-së dhe Vetëvendosjes në raport me shtetin e Kosovës.

Kjo logjikë i bën dëm momentit në të cilin gjendemi

Është e qartë se edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, e së fundi kjo u konfirmua edhe nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërkojnë nga ne unitet në raport me Dialogun.

Prandaj, çdo devijim nga përpjekja për unitet është në dëm të Kosovës.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...