Remzi Selimi nga Shkupi, u dënua 3 herë në Shqipëri, bëri mbi 33 vjet burg komunist

Diel, 14 October 2018 16:22

Nga Kastriot Dervishi

Lindur në Shkup në vitin 1933, i përmenduri është një prej rekordeve të zeza të regjimit komunist në trajtimin mizor që i bëri shqiptarëve që banonin në trojet shqiptare në Jugosllavi. Remziu u dënua tre herë. Erdhi në Shqipëri djali i ri 20 vjeçar dhe iku prej saj plak në moshën 58 vjeçare. Bëri 33 vjet e 2 muaj burgim.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

1953-1964: 11 vjet, 4 muaj, 15 ditë

1967-1972: 4 vjet, 10 muaj, 9 ditë

1974-1991: 16 vjet, 11 muaj, 4 ditë

-Mosha në fillim të dënimit: 20 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 68 vjeç

Dënimi i parë

Remziu ishte me profesionin kasap. Kishte veçse dy klasë fillore. Me një formim të tillë e me moshë të re nuk mund të jesh i përshtatshëm për misione agjenturore sikurse e përfytyronin atë regjimi komunist i Shqipërisë dhe oficerët e Sigurimit. Remziu dashuronte një vajzë, por familja e tij nuk e pranonte atë si nuse. Në këto kushte ka shkruar ushtar në Zagreb. Ishte nisur për të çuar postën ushtarake në Podgoricë kur merr vesh se dy shokët e tij ushtarë shqiptarë që do arratiseshin ishin arrestuar. Në këto kushte, i ndodhur në Podgoricë arratiset për në Shqipëri. Më 22.7.1953 kalon kufirin dhe nga Shkodra e sjellin në Shijak ku mbaheshin emigrantët kosovarë. Në pyetësinë e parë, zhvilluar 4 ditë pas mbërritjes, Selimi tregon se kryente shërbimin e detyrueshëm në Zagreb dhe se nuk i njihte oficerët e UDB-së. Torturohet për 15 ditë në mënyrë që të pranonte ato që i kërkonte Sigurimi. Në raportin e datës 1.9.1953 komandanti i Repartit nr.2001 Zoi Themeli thotë se do ishte e vlefshme ta dërgonin si agjent në Jugosllavi, por në rast se kjo nuk bëhej, atëherë të burgosej e të dënohej si agjent. Në këto kushte, duket që jeta e të riut ishte shkatërruar tashmë. Refuzimin për t’u bërë agjent ai do ta paguajë me burgosje të gjatë, nën akuzën për “spiunazh”. Arrestohet më 12.10.1953. Gjykata Ushtarake e Tiranës, me vendimin nr.197, datë 19.12.1953, e deklaroi fajtor për spiunazh dhe e dënoi aq sa kërkoi prokurori, me 12 vjet burgim. Gjykata shprehej se e dënonte me pak burgim nisur nga mosha dhe nga mungesa e pasojave (mbledhja apo dorëzimi i informatave). U lirua më 27.3.1964.

Dënimi i dytë

Tre vjet pas daljes nga burgimi i gjatë, Remzi Selimi nuk kishte çfarë të bënte më në Shqipëri. Duke qenë i internuar në Lushnje, së bashku me emigrantin tjetër shqiptar nga Kosova Muharrem Mazreku, u orvat të arratiset. Komunikata nr.156, datë 6.7.1967 e MPB-së bën të ditur se të përmendurit u ndaluan në postën e Qafë Thanës në mëngjes. Me vendimin nr.24, datë 8.8.1967 Gjykata e Vlorës e deklaroi fajtor për akuzën e tentativës për arratisje dhe dënoi me 5 vjet burgim. U lirua nga kampi i Spaçit nr.303, më 14.5.1972.

Dënimi i tretë

Dy vjet pas mbarimit të burgimit të dytë, duke qenë se banonte në Ndërmarrjen Bujqësore “29 nëntori” Çermë, Remzi Selimi tentoi të largohej nga Shqipëria. Jeta e padurueshme nën një regjim internacionalist proletar antishqiptar si ai i Enver Hoxhës, ishin shtysa të forta për t’u largua nga vendi. Disa herë kërkoi riatdhesim, por kjo nuk i lejohej, pavarësisht se nuk kishte shtetësinë shqiptare. Më 25.4.1974 tentoi të arratisej nga kufiri nga malësia e Shkodrës, por u ndalua e më pas u arrestua. U gjykua nga Gjykata e Rrethit të Lushnjës. Me vendimin nr.70, datë 31.7.1974 në bazë të nenit 255 (arratisja) të Kodit Penal, gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 24 vjet burgim. Pas shumë vitesh burgim, u lirua me dekretin nr.7483, datë 27.3.1991 (nr.7 i listës) me të dënuarit e fundit politikë që mbaheshin të burgosur .

Login to post comments

Lajmet e fundit

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...