Dhjetë pika për ndërtimin e paradigmës së re mes Kosovës dhe Serbisë

Premte, 12 October 2018 18:00

Ja një platformë alternative

Përgjatë muajve, madje viteve, ka hyrë në diskurs publik formulimi se “procesi i Brukselit” apo tash edhe “korrigjimi i kufijve” nuk kanë alternativë. Natyrisht që kanë, si dhe çdo gjë tjetër. Nga libri im “Lopa e Macchiatos” kam nxjerrë dhjetë pika që mund të ndërtojnë një mënyrë tjetër të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe ato janë si në vijim:

Motivi themelor për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Serbinë nuk është anëtarësimi në NATO, BE e OKB. Këto kanë rëndësinë e tyre të veçantë dhe vështirësitë e veçanta për t’u arritur. Madje premisa fillestare për të arritur marrëveshje me Serbinë do të duhej të ishte se ajo është e nevojshme edhe po të duket sot krejt i pamundur anëtarësimi në NATO, BE e OKB. Pra, edhe po të dukej krejt e pamundur, Kosova ka nevojë për një marrëveshje me Serbinë, sepse ka nevojë ta përfundojë konfliktin me të.

Kosova është sot shtet me konflikt të papërfunduar, dhe të jetuarit në konflikt të papërfunduar ka pasoja të dëmshme për demokracinë, funksionalitetin e shtetit, cilësinë e institucioneve, cilësinë në arsim, shëndetësi etj.

Përderisa vëmendja përgjatë 19 vjetëve të kaluar ka qenë e përqendruar, ndezur e rindezur në konfliktin e papërfunduar me Serbinë, gati 80 për qind e nxënësve të Kosovës kanë arritur të jenë analfabetë funksionalë, mundësia e femrës për të punuar është e njëjtë me ato të Afganistanit, Irakut dhe Palestinës, dhe Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka sistem të sigurimit shëndetësor. Nga shteti i kapur i Kosovës, me shkallë të papunësisë më të madhe se Rripi i Gazës në Izrael , kanë ikur qindra e mijëra qytetarë.

Asnjëra prej këtyre çështjeve nuk ka pasur as përqindjen më të vogël të vëmendjes sa ka pasur konflikti i papërfunduar me Serbinë.

Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë përfundon me marrëveshje paqeje në kuptimin që i kishte dhënë Imanuel Kanti më 1795, pra një marrëveshje që trajton luftën dhe pasojat e saj dhe trajton të gjitha ato çështje që mund të çojnë në luftë të re, në mënyrë që të mos përsëritet më. BE-ja ka arritur që të ketë si emërtues të përbashkët kërkesën që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një “marrëveshje ligjërisht të obligueshme të normalizimit”. Ky formulim është, natyrisht, politik dhe ka hapësirë ambiguiteti. Pra mund të jetë një marrëveshje që përfundon konfliktin, por mund të jetë edhe një marrëveshje që i hap rrugë një marrëveshjeje të re që do të përfundojë konfliktin.

Është e nevojshme që Kosova dhe Serbia së bashku me BE-në ta formësojnë “marrëveshjen ligjërisht të obligueshme” në një marrëveshje kantiane të paqes së përhershme mes Kosovës dhe Serbisë.

Interesi strategjik i Kosovës është që shtetet fqinje të jetojnë në paqe e prosperitet. Është pra interes strategjik që Serbia të jetë një shtet demokratik, paqësor dhe anëtar i Bashkimit Evropian.

Është, rrjedhimisht, interes i Kosovës që të marrë parasysh “dinjitetin e thellë”, siç e quajti Papa Françesku, të atij që sot është kundërshtar në këtë konflikt të papërfunduar. Ky “dinjitet i thellë” nënkupton ndjesi ndaj interesave të Serbisë në Kosovë. Deri më tani nga lidershipi i Serbisë janë dëgjuar, nëse mund të rrumbullakohen, këto tri preokupime: interesi i serbëve të Kosovës, identiteti i shtetit e kombit serb që buron nga Kosova dhe resurset natyrore të Kosovës (në pjesën ku jetojnë serbët).

Interes strategjik i Kosovës është shndërrimi i Serbisë prej aktor konflikti në atë të fqinjësisë së mirë.

Ky shndërrim për Kosovën nënkupton modifikimin e marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë e jo modifikimin e tërësisë tokësore të Kosovës, balancave identitare të saj apo aspiratës që të jetë vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Rrjedhimisht, kompromisi të cilin do ta kërkojnë të dyja palët ka të bëjë me integrimin e interesit legjitim të Serbisë brenda Republikës së Kosovës, në tërësinë e vet tokësore, identitetin shumëkulturor të saj dhe ardhmërinë euroatlantike.

Integrimi i interesit legjitim të Serbisë mund të bëhet në modelin mbiterritorial dhe mbishtetëror, i cili është shtyllë themeltare e Bashkimit Evropian.

Nëse marrim shembullin e resurseve, ky model tejkaloi garën territoriale, duke e zëvendësuar me komunitete bashkëpunimi. Kosova dhe Serbia janë madje gjeografikisht të udhëzuara për ta filluar zbatimin e idesë së komunitetit fillimisht me liqenin e Gazivodës/Ujmanit. Një pjesë e këtij resursi gjendet në territorin e Serbisë dhe pjesa tjetër në territorin e Kosovës. Sigurimi i këtij resursi mund të bëhet jo duke bërë garë për pronësinë e tij, por nëpërmjet Traktatit (Komunitetit) të ujit, me të cilin sigurohet uji për bujqësinë, pije dhe përdorim industrial.

I të njëjtit model, mbiterritorial e mbishtetëror. Çështja e “Trepçës” nuk do të prodhojë gjë nëse shtrohet si pronësi; deri tani, e shtruar kështu, është subvencionuar nga Kosova në pjesën “shqiptare” dhe nga Serbia në “pjesën serbe”. Por, Trepça mund të jetë resurs i vlefshëm vetëm brenda një koncepti komunitar, e Komunitetit të Metalit, në të cilin zhvillohet krijimi i kushteve për investime të jashtme që do të rigjenerojnë minierat dhe ç’është me rëndësi, të rigjenerojnë industrinë e përpunimit të metaleve në regjion, madje duke tejkaluar Kosovën dhe Serbinë.

Ideja bazike e Komunitetit është që të eliminojë pasigurinë e garës territoriale për resurse në favor të sigurisë së bashkëpunimit tejshtetëror si parakusht për investime të jashtme. Dhe, kjo siguri përfshin zonën e tregtisë së lirë: komunikimi i lirë tregtar sot nuk është as produkt i një marrëveshjeje të ndërsjellë të formalizuar e aq më pak reflektues i marrëdhënieve, ngaqë tregtia e lirë dhe konflikti i papërfunduar nuk mund të shkojnë së bashku.

Siguria për investime shndërrohet në resurs. Në fakt, siguria, shikuar më gjerësisht, është si e tillë një resurs që kërkon komunitetin e vet. Qartë, siguria e Kosovës dhe e Serbisë janë të mundura vetëm në saje të fqinjësisë së mirë, nëpërmjet një marrëveshjeje paqeje. Por, edhe në fqinjësi të mirë rreziqet për siguri tejkalojnë kufijtë. Andaj nevojitet Komuniteti i sigurisë, i cili sa për ilustrim mund të kishte këto dy misione.

I pari do të ishte bashkëpunimi i policive të të dyja vendeve në vijën e demilitarizuar kufitare për të penguar trafikun e lëndëve të ndaluara, kontrabandën me mallra dhe njerëz, si dhe terrorizmin.

I dyti do të ishte bashkëpunimi mes dy ushtrive drejt misioneve të përbashkëta paqeruajtëse. Trajnimi për këto misione mund të bëhej, në formë alternative, në bazën “Bondsteel” në Kosovë dhe në Bazën e ushtrisë serbe në Nish a gjetiu.

Koha është resurs, madje resurs i pakthyeshëm. Vitet e bllokimit të Kosovës për shkak të konfliktit të papërfunduar me Serbinë nuk mund të kthehen. Nuk mund të kthehen as ato që pritet të shpenzohen në të ardhmen derisa konflikti të përfundojë.

Koha si resurs ka nevojë për komunitet të vetin. Në atë dimension është pa dyshim dimensioni i ardhmërisë: ardhmëria e Serbisë evropiane është e kushtëzuar nga ardhmëria e Kosovës evropiane, dhe anasjelltas.

Dhe në komunitetin e kohës është dimensioni i së kaluarës. Ai nuk mund të anashkalohet me formulimin përjashtues: “ta lëmë të kaluarën ku është, të mendojmë për të ardhmen”. E kaluara qe luftë, vrasje fëmijësh, grash dhe burrash, dhunime grash, shkatërrime pasurish. E kaluara kërkon trajtim (të vërtetë, përgjegjësi, pajtim) në mënyrë që të mos jetojë si e tashme e as të hyjë në të ardhmen.

Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë me kujtesë shqiptare e kujtesë serbe të luftës së fundit, nuk mund të ketë kujtesë të Kosovës dhe Serbisë; ato janë kujtesa të ndara. Kujtesat e ndara janë ato që krijojnë arsye të reja për konfliktin e ardhshëm.

Kujtesa duhet të jetë transformative, andaj duhet të bëhet e përbashkët.

Kujtesa është e përbashkët atëherë kur niset prej viktimës në luftë. E ai është civili: nga 13 mijë të vrarë në luftën e Kosovës dhjetë mijë ishin civilë. Prej tyre dy mijë ishin fëmijë.

Nga ajo luftë ende ka 1.800 të zhdukur. Ata nuk janë ende as kujtesë, janë e tashme.

Shoqëritë transformohen nëse të gjithë këta të zhdukurit bëhen të zhdukurit e të gjithë neve, dhe nëse me zbulimin e mekanizmave të zhdukjes së tyre kuptojmë organizimin e shoqërive tona, dhe përgjegjësinë, për luftë.

Lufta është aktivitet i planifikuar; e atillë duhet të jetë paqja.

Kosova dhe Serbia mund të planifikojnë paqen, madje duke e integruar interesin shtetëror serb si pjesë të kulturës së paqes. Identiteti kombëtar serb që në masë të madhe identifikohet me Kishën ortodokse serbe në Kosovë mund dhe duhet të integrohet në tërësinë e identitetit shtetëror të Kosovës. Monumentet e Kishës ortodokse serbe kanë vlerë kombëtare e religjioze për Serbinë e serbët gjithandej botës, por ato kanë vlerë po ashtu të veçantë kulturore për identitetin shtetëror të Kosovës. Dhe kjo pikë nuk ka pse të jetë pikë konflikti, ka pse të jetë pikë përbashkimi, pikë e ngritjes së institucioneve të përbashkëta, të Komunitetit të kulturës serbe, që përkujdesen për këtë dimension të kulturës së Kosovës.

Dhe Kosova e Serbia mund të ndërtojnë kulturën e paqes duke planifikuar mënyrën se si rinitë e të dyja vendeve, e popujve të këtij regjioni do ta kuptojnë kundërshtarin e deridjeshëm. Nuk duhet të jetë e largët dita kur gjimnazistët shqiptarë të shohin në Manastirin e Deçanit se përse ky objekt, pos rëndësisë religjioze, ka rëndësi aq të madhe për kombin serb. Dhe gjimnazistët serbë të ndalen në Prekaz dhe të shohin se si u vranë fëmijë, gra e burra të familjes Jashari, në emër të një projekti që donte ta mbante Kosovën e pushtuar në emër të Manastirit të Deçanit.

Marrëveshja e paqes nuk mund të jetë meny prej së cilës bëhet përzgjedhja e gjërave që u pëlqejnë palëve, duke i lënë anash ato që nuk u pëlqejnë. Nuk mund të jenë, sikur Pakoja e Ahtisaarit me të cilën përzgjidhen instrumentet e mbrojtjes së interesave të komuniteteve pakicë, por nuk njihet korniza shtetërore që garanton ato instrumente, Republika e Kosovës.

Nuk mund të jetë as copë sallami prej së cilës këputet njëherë një rriskë, pastaj tjetra, pastaj e treta (decentralizim etnik, pastaj Pako Ahtisaari, pastaj Asociacion i Komunave, pastaj “korrigjim kufijsh”). Marrëveshja kërkon që të përfshihen të gjitha çështjet fundamentale për paqe, pa i shtyrë për ndonjë datë tjetër.

Dhe Marrëveshja e Paqes në fund kërkon që kjo gjeneratë që do ta negociojë, edhe ta gëzojë atë.

(Tekst i përgatitur për “Forumin 2015”, që kërkon paradigmën e re në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë)

Modifikuar më Premte, 12 October 2018 18:01
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...