Iluzionisti dhe siguria kombëtare e munguar

Premte, 02 November 2018 18:12

Nga Sadi Hoti*

Për ato që nuk e dinë, Hudini (Harry Houdini, 1874-1926) ka qenë një nga magjistarët/ iluzionistët  më të mirë të gjitha kohërave. Gjatë shfaqjeve, ai arrinte të çlirohej nga prangat apo zinxhirët, ikte nga qelitë e burgut, në kuti me ujë e herë nga nëntoka, e plot pengesa të tjera që i kalonte falë aftësive si marifetçi. Megjithëse fundi i erdhi pikërisht nga dëmtimet në një marifet pasukses, Hudini ngelet mjeshtër i madh i “mashtrimit” skenik. Ai përsosi iluzionin, me aftësitë e tij hutoi spektatorët, i bëri të besonin se çfarë po ndodhte ishte reale, megjithëse të gjithë e dinin se ai ishte një magjistar që po i impononte të besonin diçka jo-reale.

Në listën e gjatë të magjistarëve dhe iluzionistëve më të mirë e me famë Botërore ku bën pjesë edhe Hudini, Shqipëria ka qenë e papërfaqësuar. Por jo më! Tani edhe ne kemi “hudinin” tonë, e ai është njëkohësisht edhe kryetar i qeverisë.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë ka të drejtë ta mendojë veten “hudini” shqiptar. Si kryetar i bashkisë së Tiranës, ndërsa publiku mbante sytë tek kryevepra e tij, pallatet me shigjeta, ai përlante si me “magji” taksat e tyre me tenderë, leje ndërtimi e licenca me marifete qe asnjëherë nuk u zbuluan. I duartrokitur nga stafi dhe një grup idiotesh që “fali Zot se nuk e dinë çfarë bëjnë”, z. Rama sot performon i qetë si kryeministër i Shqipërisë dhe çmonton tullë pas tulle ndërtesën tashmë në prag të shembjes, shtetin shqiptar.

Shoqëritë demokratike për një shtet të fortë e të qëndrueshëm, tashmë ndjekin një model. Katër kolonat që e mbështesin ekonomia, drejtësia, politika e siguria garantojnë një sistem efikas që bazohet në institucione. Pavarësisht se kolonat mund të tronditen në kriza politike apo financiare, institucionet garantojnë vazhdimësi dhe stabilitet të pranueshëm. Kolona të forta, sistem i  qëndrueshëm, e barabartë me institucione të forta, dhe e kundërta….

Nisur nga Ekonomia, “ndërtesa” shqiptare aktualisht nuk është formë të mirë. Duke lënë mënjanë  statistikat kontradiktore zyrtare ose të pavarura, mjafton  të  shohësh emigracionin. Sondazhet tregojnë se 70% e popullsisë duan të  largohen nga vendi. Në statistikat 2 vjeçare të  Departamentit Amerikan të Shtetit, në vitin 2016,vendin e parë e mbante Liberia, nga ku 17% e popullsisë aplikuan për lotarinë amerikane (Diversity Visa Lottery), Sierra Leone 14%, Shqipëria 13%, Moldavia 11%. 

Drejtësia është  në kolaps, nuk ka Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë  të  Lartë funksionale, gjykatat  më të ulëta janë nën ethet e një vetting-u  të diskutueshëm. Kemi një Prokurore të  Përgjithshme  të përkohshme që nuk u bë garancia e paanshmërisë dhe e stabilitetit të institucionit, por pjesë e problemit. Mjafton seanca parlamentare ku zonja ishte thirrur të raportonte, për të konstatuar marrëdhënien mes akuzës dhe qeverisë në shtetin që renditet i 91 për nivelin e lartë të korrupsionit. Kolegët parlamentarë në  Zelandën e Re e Danimarkë, që në Indeksin e Perceptimit  të  Korrupsionit  (Transparency International) mbajnë vendet e para në listën e shteteve më pak të korruptuara të do e kishin zili. Siç e pasqyroi shkurt dhe saktë një media vasale e qeverisë, citoj, “seanca e kësaj të enjte ka qënë shumë relaksuese për maxhorancën”.

Nga politika çdo ditë që kalon mësojmë se maxhoranca vjen jo nga vota e lira, por nga vota e blerë. Si ndodhi me zgjedhjet e 2013 dhe 2017 u faktua më pas. Sponsorizuesit e maxhorancës, shtete e organizata, biznese, krimi i organizuar apo Mafia u shpërblyen dhe janë  në “shpërblim” e sipër.

Siguria publike është në nivel rekord të ulet. Policia e Shtetit ka dy drejtorë të përgjithshëm  të  shkarkuar, në fakt duhej të ishin pas hekurave për shkelje të ligjit, tre drejtues të lartë  në  kërkim, rreth 200 të larguar apo ndjekur penalisht për lidhje me bandat e favorizim të trafiqeve ilegale, e disa qindra të tjera ne detyrë që presin radhën të zbulohen. Janë dy ministra të  brendshëm  të  “dorëhequr”, akuzuar se me veprimet e mosveprimet e tyre kanë favorizuar trafikantët, përveç të tjerave që mund të zbulohen e që lidhen me krime elektorale.

Shërbimi Informativ ka rikthyer moton e viteve 1997-2012, me partnerët korrekt, me tuajt vegjeto, pavarësisht se ato lidhen ngushtësisht bashkë. Shkallmimi i çdo të  mire të krijuar, të vlerësuar nga shumë faktorë, rikthimi në poste drejtuese i elementit  që një ambasador vite më parë në kabllogame do i konsideronte si depërtim  të  krimit të organizuar në institucionet e sigurisë, për një kolltuk të përkohshëm e afat-shkurtër, më e pakta tregon mungesë integriteti të drejtuesit zyrtar dhe atyre “hije”.

Korrupsioni masiv dhe lehtësia si vidhet, administrohet, fshihet dhe përdoret buxheti i shtetit pasqyron situatën dhe angazhimin e institucioneve që ndjekin krimin financiar, siç janë Drejtoria e Përgjithshme e Paradandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesav (ILDKPI), Kontrolli i Lartë i Shtetit. Diku nuk bëjnë punën që i ngarkon ligji, diku dosjet zënë pluhur në institucione të tjera të zinxhirit të  luftës kundër krimit.

Institucionet që duhet të jenë mbështetëset e kolonave të shtetit janë dëmtuar  në atë mase sa rrezikojnë demokracinë. Ky është edhe dëmi më i madh që u shkaktua me dashje apo nga paaftësia, e ky dëm nuk është jetim, ka shkaktar që është maxhoranca politike, dhe një përgjegjës direkt, drejtuesin politik njëkohësisht edhe kryeministër.

Politikani anglez i shekullit të 18, Lord Acton na ka lënë një thënie, “Absolute power corrupts absolutely”. Kryeministri  “hudin” ashtu siç ka grumbulluar pushtetet rreth vetes, pa ashtu ka vepruar me korrupsionin, e po ashtu do i ketë edhe përgjegjësitë. Bashkëpunëtorët po i bien një nga një, sistemi korruptiv e kriminal që krijoi po çmontohet, “hudinit” kryeministër tashmë i kanë mbaruar marifetet, e “biletat” për shown e tij i kanë kushtuar shtrenjtë shqiptarëve.

Instiktet e mbijetesës sugjerojnë që në mes të detit të trazuar, ikja nga anija e pasigurt drejt tokës është më racionale se ikja drejt një anije tjetër,  megjithëse ndodhet më afër. Shqiptarët preferojnë të ikin më shumë se të bashkohen e të largojnë kryeministrin “hudin”. Sidoqoftë, edhe aq sa kanë ngelur janë mjaftueshëm të rikthejnë normalitetin në institucione, të ribëjnë kolonat mbajtëse të shtetit për një rifillim afatgjatë.

*Specialist për sigurinë

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...