Dimri i parë amerikan pa Mid’hat Frashërin tonë të madh

Premte, 16 November 2018 08:51

Nga Ilir Hysa (PhD)

Sot, këtu në bregun verilindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, n’a mbërriti dëbora e parë e sezonit. Ndodh që, teksa bien si me përtesë, flokët e dëborës së bardhë të ngacmojnë kërshërinë për të sjellë ndërmend kujtime.
Mendja më shkoi tek vizitat që i bënim Lumos sonë të papërsëritshëm. E vizitonim pranverave të vonuara me dëborën që përtonte të shkrinte, dhe vjeshtëve të zhveshura, ndonjëherë edhe me erë e shi, që sillnin mbi kokë gjethet e zverdhura e të drobitura, si udhëtimi i gjatë i heroit tonë tē përbaltur, shërbestarit tonë të përulur, prometeut të qëndresës ndaj së keqes. Vizita e para disa javëve ishte e fundit. Pranverën e këtij viti shkuam, bëmë nderimet dhe pastaj e lamë atë lëndinë, në varrezat Ferncliff në Nju Jork, teksa era e ftohtë fërshëllente me zemërim, ndonëse ishte fundmarsi. Pjesë të lëndinës mbeteshin të mbuluara nga dëbora. E lamë atje Lumon teksa largoheshim pa përgjigjje teksa kthenim kokën pas me keqardhje dhe pyesnim: Pse duhet lënë këtu një shqiptar kaq i mirë?! Dëbora e sotme më kujtoi pikërisht atë ditë.
Por tani që n’a e morën “për t’i përmbushur amanetin”, një boshllëk i madh ndjehet në eterin e kësaj ane të oqeanit. Ndërkohë, në anën tjetër, zhurmë e madhe, si gjithmonë. Pa mbërritur mirë Mid’hat Beu, në studiot e moçalit të Tiranës po mundohen t’a bëjnë copë-copë, t’a shkoqin “njeriun e letrave” nga “politikani”, qëllimshëm duke harruar se flasin jo vetëm për djaloshin 13 vjeçar që fliste gjashtë gjuhë, bibliofilin shembullor dhe të birin e Abdyl Frashërit, por edhe apostullin e Çamërisë së genocidit, Kosovës së martirizuar dhe misionarit të palodhur në kohën e Konferencës së Paqes në Paris. Kjo zhurmë e fabrikuar, ndonëse jo e papritur, sërisht më bën të ndjehem i pikëlluar. Çakenjtë e studiove televizive djallëzisht harrojnë se flasin për protagonistin e ngjarjeve më të rëndësishme historike të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX. Pikëllimi vjen për faktin se ata jo vetëm po vrasin sërisht themeltarin e identitetit tonë gjuhësor e kombëtar, frymëzuesin më profetik dhe artikuluesin më të qartë të aspiratave tona kombëtare në kontekstin e konservatorizmit europian, por sepse ne si komb po humbim sërisht një mundësi tjetër të pajtimit kombëtar. Dhe jo atij të shtirë.
Në botën reale e virtuale po shohim nga njëra anë thirrje për unitet, nga ana tjetër raprezalje të turpshme ndaj njeriut të mallëngjyer që kthehet në një arkëmort pas 74 vjetësh. Pse? A nuk mësuam asgjë nga katraura e gati tetë dekadave?! Sa dashakeqësi! Duhet kuptuar mirë se jo të gjithë ata që insistojnë se, për hir të profesionalizmit dhe të unitetit kombëtar, ne duhet t’ua lemë historinë historianëve, kanë të drejtë. Kjo sepse një kërkesë e tillë është shpesh djallëzore kur mendohet se në gjirizin e pinjollëve të ish-bllokmenëve, të pasardhësve të oficerëve të ushtrisë popullore të diktaturës dhe të sigurimit famëkeq të shtetit e gjithë falangrave të tyre, standardi i historisë dhe “të liçensuarit e besuar” mbeten mjerisht Milo e Xhufi, historianët e oborrit të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Këta të fundit nuk kanë të drejtë morale të japin leksione historie, për një histori të cilën ata vetë ndihmuan të manipulohet. Prandaj gjithë konsomolasit e djeshëm dhe të sotëm të mos i brejë meraku i unitetit. Uniteti nuk ka qenë kurrë gjella e tyre. Uniteti vjen me shpalosjen e së vërtetës. Ata më shumë sesa për unitetin duhet t’i hajë meraku se faktet historike po dalin sheshit dhe atyre iu duhet të drejtojnë gishtin e fajësisë tek soji i tyre. Shkurt, ata tremben se së shpejti duhet të hanë njeri tjetrin.
Për t’u kthyer tek djali i derës së madhe të Frashërllinjve, ai tani bëri 24 orë që pushon në tokën mëmë. Duhet thënë, për hir të së vërtetës, se pa gjykuar dot sinqeritetin, u duk se optika e pritjes së Mid’hat Frashërit ishte dinjitoze, edhe pse ka plot për të thënë. A do të thotë riatdhesimi i Mid’hat Frashërit se ndoshta po kërkojnë ndjesë në heshtje trashëgimtarët e atyre që vranë poetë? Nëse po, ata duhet të bëjnë kështu publikisht, për t’u shkëputur nga krimet e etërve të tyre. Por sigurisht që ata nuk janë gati. Homazhet në Akademinë e Shkencave, ku ende ka akademikë që refuzojnë t’a njohin historinë tonë të vërtetë për shkak të dogmës që i mban mbërthyer në llogoren e vjetër, ishin sinjali i parë se qeveria po riatdhesonte Lumo Skëndon e letrave e të kulturës, jo Mid’hat Frashërin e veprimit politik, diplomatik e patriotik. Patrioti, albanologu, diplomati, shkrimtari etj. duhej pritur i plotë, jo gjysmak. Kjo ishte arsyeja pse e bojkotova ceremoninë e përcjelljes në Nju Jork. Nëse pritej i plotë, Mid’hat Frashërit duhej t’i ishin bërë homazhe së paku në ndërtesën e kryeministrisë.
Atëherë, pse e bëri qeveria një akt të tillë? Humanizëm? Dëshirë e mirë për një kapitull të ri? Përllogaritje politike? Motivet nuk i gjykoj dot. Ndonëse, siç është thënë këto ditë, qeveria po përdor Mid’hat Frashërin për të hequr vëmendjen nga kriminaliteti dhe korrupsioni galopant. Klasa politike u duk goxha unike dhe ndoshta po luan trukun e radhës. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin që Lumoja duhej kthyer në atdhe. Dhe ndonëse nuk po e lënë të qetë, ai me siguri po i mëshiron ata që i janë vërsulur sërisht. Lumo Skëndo i njeh mirë ata. Askush nuk e ka përshkruar më mirë sojin e tyre. A e pa kush moderatorët e gjirizit teksa dukshëm donin t’a bënin këtë njeri të stërmunduar nga historia një sensacion mediatik?! A i dëgjoi kush të ftuarit e pështirë që nuk skuqen kur vazhdojnë të na tregojnë arkivat e huaja nën optikën e diktatorit?! Përcaktimi i Mid’hat Frashërit është po aq aktual dot sa ishte shtatë dekada më parë, para se Ai të mbyllte sytë:
"Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenëve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut."
Ndërkohë, në këtë anë të oqeanit, ne mbetëm si zogu pa fole. Ai varr ishte kthyer në një vend pelegrinazhi për shpirtra idealistësh. Kohët e fundit u afruan edhe nga ata që dijnë t’a nuhasin kazanit, por kjo nuk ndryshon asgjë në shenjtërinë e asaj cope toke. Dhe tani ajo fole e shenjtë u shkri në kujtimet tona për një shqiptar shembull të shqiptarit të mirë, një punëtori të palodhur të vendit tonë. Ky dimër do jetë i pari dimër american pa Mid’hatin tonë shembullor. Por ky dimër do të shkojë dhe të tjerë do vijnë. Dhe ndërsa koha shkon e mungesa e Lumos sonë do të ndjehet shumë, mesazhi që po merr dhenë është se Mid’hati nuk ka baltë për t’i hequr, sikurse tha Kryeministri i Shqipërisë në ceremoninë e rivarrimit të Mid’hat Frashërit. Ai është Ylli Polar që ndriçon universin shqiptar, përtej dogmës, mosnjohjes dhe mosmirënjohjes. Balta e turpit do të mbetet mbi historianët e oborrit dhe çorbën që gatuan në kuzhinën e diktatorit. Turpi dhe balta do të mbesë mbi zhvatësit, jo shërbestarët e kombit. E vërteta vonon por nuk harron. Populli ynë në trojet e veta etnike dhe në diasporë nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më i etur sesa sot për të vërtetën dhe po e përqafon shpejt birin e tij të denjë e të munguar. Ky është lajmi më i mirë këtë fillimdimri të parë, e disi të parakohshëm, amerikan pa Lumon tonë pendëhollë e zemërzjarrtë. Sh.B.A., 15 nëntor 2018

dimri.jpg

 

 

Modifikuar më Premte, 16 November 2018 08:52
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...