Nxjerrja e një urimi nga varreza gjuhësore

Premte, 30 November 2018 17:29

Nga Qemal SAKAJEVA

Gjuha shqipe është pasuruar me emërtimin varrezë makinash, në dallim dhe ngjashmëri me varrezën ose vorret për njerëzit. Kjo nuk përfytyrohej kur Shqipëria kishte gjithë-gjithë 2500 mjete automobilistike, kamionë të rëndë çekosllovakë Tatra e Skoda, Zis-ët sovjetikë, vetura polake Warshava, kinezë,  e Mercedes Benz gjermanë, me numërim sa gishtat e të dy duarve, vetëm për Byronë Politike. Kaq pak automjete nuk krijonin dot varrezë hekurishtesh, prandaj ky emërvend nuk njihej aso kohe ndër ne. Automjetet, edhe të tejpërdorura, nuk hidheshin a groposeshin kund, por ua zbërthenin pjesët e vlefshme për t’ua mbërthyer të tjerave, të vjetëra po si ato.

Kur nga Shqipëria emigruan qindra mijëra vetë e në vend u vendos ekonomia e tregut, nga perëndimi “emigruan” për te ne mijëra makina të përdorura. Sa hap e mbyll sytë, kudo përgjatë rrugëve të rëndësishme u formuan të ashtuquajturat varreza makinash, nga lloj-lloj markash prodhimi e shtetesh. Por ishte habi e madhe që, kur socializmi shqiptar nuk kishte varreza makinash - pasja e një veture borgjezonte klasën punëtore - në Shqipëri qe hapur “varrëza gjuhësore” që, një të ngjashme nuk e ndeshje kurrkund. Kjo qe aq e madhe, sa brenda saj u gropua dhe u fut në ndryshkim gjysma e pasurisë leksikore e shqipes. Gjithë ajo pasuri nuk u la asisoj se s’ kishte vlerë, por nga përjashtimi. Gjuhëtari Mehmet Elezi, pas tetë vitesh punë, mëngjes e mesnatë, i ndrymë si një murg në një kthinë të vogël të apartamentit të vet, hartoi Fjalori i Gjuhës Shqipe, në plot 1664 faqe, me rreth 41 000 fjalë,  të cilin e botoi në verën e vitit 2006. Ai, me këtë akt shkencor, intelektual e atdhetar, shërbim i mençur e punë shumë e  mundimshme, zhbëri “varrezën gjuhësore” në truall të shqipes, zmbrapsi përjashtimin 1972. Fjalori i ardhshëm i gjuhës shqipe, i madh dhe i plotë, gjysmën e pasurisë së lënë jashtë e ka të gatshme për ta përfshirë.

Ndër përjashtimet e heshtura ka qenë dhe një fjalë mirënjohjeje e falenderimi, të cilën edhe disa vjet pas luftës, e dëgjoje anembanë vendit: rrofsh! (përshembull si, “rrofsh, or çun!”), dhe rrnofsh! (përshembull si, “rrnofsh, o djalë!”). Në bisedat e ideologjizuara të komunizmit, u futën në përdorim shprehje lavdëruese si “Eshtë djalë Çapajev!”, apo betimi popullor “Për atë Zot!” qe zëvendësuar me “Për ideal të Partisë!” Pasi emigruan mijëra veta, në Shqipërinë me aq pak telefona fiks, shtëpitë e zotëruesve të një numri u shndërruan në “kabina telefonike” fqinjësh, farefisi e miqsh, ku kumbonte bashkëbisedimi si në një dramë - komendi, tek dëgjoje pleq të përmalluar, t’u miratonin bijve e bijave mendimet me OK, apo t’i përshëndesnin me Ciao! Me vërshimin në Shqipëri të shqiptarëve të Kosovës, tërhoqi vëmendjen, po nuk ngjiti, fjala Tung!,   shkurtesë e Tungjatjeta, ngjashëm si Thanks e anglishtes për Thank you.

Por me fuqi pa asnjë porosi gjuhësore zyrtare të Akademisë së Shkencave, pa kurrfarë vendimi të ndonjë mbledhjeje të Këshillit të Ministrave, u fut vrullshëm në përdorim fjala falenderuese Rrofsh!  Thuhet aq dendur dhe gjatë gjithë ditës. E shkurtër sa edhe mbresëlënëse. E bukur, si për atë që e jep dhe tjetrin që e merr. Shumëkush ka menduar pse-në e lënies anash e hedhjen në përrua të kësaj mënyre mirënjohjeje, që na shqiptonin të moshuarit e prindërit, në të dy të folmet, rrofsh! e rrnofsh! Kjo fjalë, edhe pse ishte e përfshirë në fjalor vetëm në të folmen toskërisht rrofsh!, qe përjashtuar nga gjithëpërdorimi. Ajo u fshi prajshëm nga mosthënia e mosshqiptimi,  u tulat si të mos qe fare, edhe në pasurinë gjuhësore të njerëzve, nga droja e rrezikimit për gabim politik me të. Fjala rrofsh! u personalizua dhe u individualizua, sepse ajo thuhej, thirrej e brohoritej vetëm në formën “Rrofsh sa malet shoku Enver!” dhe “Rroftë Partia e Punës!”

Të dy këto - rrofsh e rrnofsh - ishin top e gjyle, që nuk mund t’i thuheshin njëri-tjetrit. Por ato u çliruan e po i dëgjojmë tani e përditë, mes pjesëtarëve të familjes, zyrave të punës, rrugëve me njerëz, lokaleve gumëzhitëse, aparateve telefonikë, kudo ku shprehet një marrëdhënie njerëzore e bashkëpunimi. Kemi të bëjmë me një shembull përballë ngurtësisë për futjen në përdorim të  pasurisë gjuhësore gjithë sa ajo është, dhe përballë rrezikut përmbytës të fjalëve të huaja kur flasim e shkruajmë shqip. Trysnia e kësaj fjale është e mirëseardhur, ajo duhet  përfillur e mbështetur, për të zhbi “varrezën gjuhësore” të gjuhës sonë, gjysma e gjallë e gjysma në agoni.

Lajmet bëjnë me dije se po vdesin mjaft gjuhë të vogla kryq e tërthorë botës. Pak vite më parë dha shpirt edhe njëra prej tyre, në Oqeani. Ajo kishte mbetur pasuri e vetëm një plake. Me shuarjen e saj, u fik një gjuhë e tërë. Shqipja është gjuhë e një kombi të vogël, duke e përgjysmuar pasurinë e saj me vullnetin tonë, bëhet edhe më e vockël, më pak përballuese, më e rrezikuar nga agresioni pushtues i gjuhëve të mëdha, në erën e komunikimit me shpejtësi përtej përrallave.

Përdorimi i rrofsh! është si kthim mallëngjyes nga harrimi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...