Kushtrim shpirtëror

Hënë, 17 December 2018 09:49

Nga EDMOND TUPJA

 

Para se ta varnin nazistët gjer manë në shtator të vitit 1943, komunisti çek Julius Fuçik i bëri njerëzimit këtë thirrje: “O njerëz, ju kam dashur. Qëndroni vigjilentë!”. Ky kushtrim shpirtëror më duket i vlefshëm sot për gjithë qytetarët e Republikës mjerane të Shqipërisë. Për këtë arsye, tani po u drejtohem gjithë bashkatdhetarëve të mi si vijon: Ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi seriozisht e, për më tepër aktivisht, për rrezikun e madh që po i kanoset përherë e më shumë vendit tonë të rraskapitur, të shkalafitur e të dërrmuar nga qeverisja e frikshme e pushtetarëve tanë të pamëshirshëm, që mendojnë vetëm e vetëm se si të pasurohen, duke na shtrydhur e stërshtrydhur me lloj-lloj mënyrash aq djallëzore saqë gjithçka po nxihet e stërnxihet në horizontin mbytës që na rrethon e që po na merr frymën.

Ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi sepse sot ndryshimi midis optimistit dhe pesimistit nuk është më që “i pari e sheh gotën gjysmë plot, kurse i dyti gjysmë bosh”, jo! Sot optimist quhet ai që thotë se ka edhe më keq, kurse pesimist quhet ai që thotë se e keqja s’paska fund, çka e dëshmojnë dhe e ilustrojnë më së miri korrupsioni i frikshëm, lidhjet e pushtetarëve aktualë me krimin, superpasurimi i tyre arrogant, taksat e ngritura, papunësia, emigracioni i pandalshëm, përqendrimi i pjesës më të madhe të pasurive kombëtare në duart e një grushti mafioligarkësh të babëzitur që tallen haptas me ne të tjerët, anonimët, të braktisurit, të lodhurit nga jeta, që kemi frikë të ëndërrojmë jo më për të ardhmen tonë, por as për atë të fëmijëve tanë, madje as për atë të mbesave e të nipave tanë të mitur.

Ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi dhe për këtë duhet ta vrasim një herë e përgjithmonë frikën apo druajtjen që po na torturon shpirtrat! Për këtë duhet të indinjohemi duke shpalosur flamurin e zemëratës, kjo është e vetmja zgjidhje. Për këtë, pikërisht sytë duhet t’i kthejmë nga një rreze drite e papritur. Po, po, mos u habisni, nga një rreze drite, e cila sapo ka tejshpuar horizontin e blinduar të jetës sonë që pushtetarët na e kanë shkelur e vazhdojnë të na e shkelin me këmbë. Kjo rreze drite na ka befasuar, sepse vjen nga nuk e prisnim. Po, duhet ta pranojmë pa ngurrim: Ajo vjen nga një diell ndryshe nga të tjerët, nga zemra e studentëve tanë guximtarë, bija e bij njerëzish aspak të pasur, të cilët nuk kanë mundësi financiare që t’i çojnë ato dhe ata në universitetet e Bashkimit Europian, të SHBA-ve apo të Kanadasë. Shikojeni dhe përjetojeni thellë e me admirim vendosmërinë e tyre përballë qëndrimit herë autoritarist, herë oportunist e lajkatar, gjithsesi dhelparak, të Kryeministrit, i cili nuk e kishte parashikuar që do t’i kishte ata përballë si kundërshtarë shumë më të paepur – sepse më konsekuentë – sesa politikanët e partive opozitare.

Ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi të gjithë – minatorë, naftëtarë, fermerë, biznesmenë të vegjël, intelektualë, pedagogë e arsimtarë, nëpunës të sektorëve publikë apo privatë – që duhet patjetër të shkundemi nga topitja e trurit e të solidarizohemi realisht me studentët për t’u thënë tërë politikanëve tanë dhe veçanërisht qeverisë e kreut të saj, mbret e gaztor mbreti njëherazi (sipas shprehjes së filozofit Elvis Hoxha), që të mos na hedhin më hi syve, të mos na e shesin më sapunin për djathë, hirrën për qumësht dhe mushtin (sidomos pa shkronjën “sh”) për mjaltë.

Ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi se duhet t’u jemi thellësisht mirënjohës studentëve tanë të vendosur për ta fituar betejën që kanë nisur për veten e tyre, por edhe për ne të tjerët, për tërë ata të cilëve nuk u ka hyrë në shpirt virusi i llahtarshëm i pushtetit të përbindshëm, t’u jemi, pra, mirënjohës që shkëndijës së revoltës kundër padrejtësive, të cilën e kemi në shpirt, t’i fryjmë jo për ta shuar, por për të ndezur me atë zjarrin e madh të solidaritetit, rreth të cilit të ngrohim e të zgjojmë shpirtrat tanë të tulatur nga ky tranzicion absurd që po zgjat prej më se një çerek shekulli!

Dëgjojeni, pra, sa fuqishëm kumbojnë mes rrezeve, që na vijnë nga zemra e studentëve, fjalët: “O shqiptarë, ne ju duam. Qëndroni vigjilentë dhe bashkojuni me ne!”. /Panorama/

Modifikuar më Hënë, 17 December 2018 13:06
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...