Gënjeshtra permanente “brenda mandatit”, si parathënie e rrëzimit me kosto

Saturday, 22 December 2018 20:09

Nga Ilir Nikolla

Fraza “brenda mandatit” është kryekëput rrenë në të shumtën e rasteve kur janë premtime elektorale, por kur shqiptohen në ndërkohë të ushtrimit të qeverimit, fraza flet për një ngërç e hall të madh për qeveritarin. Qëkur nisi protesta studentore kemi një inflacion të frikshëm të Ramës dhe derivateve të tij në shqiptimin e togfjalëshit “brenda mandatit”.

Ja ta zëmë një shembull; në vitin e dytë të mandatit, Edi Rama plasi duke folur për një projekt që ia paska premtuar kancelarja Merkel para një dy vitesh (që vetëm para dy ditësh u siglua në mbledhje qeverie) e që ndoshta nëse nis nga tallazi i protestës në 2019-n, fazën e parë të rehabilitimit të godinave (kujdes, vetëm fazën e parë) mund ta bitisë nga fundi i 2021, pra kur t’i ketë përfunduar (prit’e Zot) mandati i dytë qeverisës. Një tjetër premtim që pritet të matet me mandatin e dytë (thuhet gjithmonë brenda mandatit, a thua se 4 vitet e para të regjimit të Ramës s’ishin mandat e kaluar mandatës), është ulja e nivelit të papunësisë në shifrat e BE-së. Këtu punët ecin më mirë, por brenda mandatit ka gjithmonë një mandatë. Fakti është se papunësia mund të jetë duke u vërtitur rreth shifrave të 13 përqindëshit, por veç për shkak se e gjithë teprica e krahut të punës po shkon jashtë, ose po rehatohet në administratë, nga vendet e lira që lë krahu i kualifikuar i punës, i cili po e mban vrapin në Gjermani, Britani, Kanada e SHBA. 

Një kuptim tjetër i frazës së Ramës “brenda mandatit” është ai kur flitet për taksat dhe koncesionet. Brenda mandatit, taksat rriten, nën pretendimin se shumica e pagesave të shqiptarëve janë tarifa, kurse njëkohësisht rriten edhe fitimet e koncesionarëve, bashkë me të cilat vijnë të tjera tarifa për t’u paguar për shqiptarët.

“Brenda mandatit” është shprehja e një fushate permanente elektorale në të cilën gjallon Edi Rama, e vetmja mënyrë për të shmangur vëmendjen nga një marrëdhënie llogaridhënieje që vendoset çdo datë zgjedhjesh mes votuesve dhe fituesve të zgjedhjeve. Rama shqipton premtime të reja dhe i maturon në kohë, njësoj si kambialet në një fond investimesh, dhe kur vjen puna për të shpërndarë dividentin, ato nuk jepen por stivosen si kambiale të reja nga investitorët.

Shqiptarët e kanë marrë njëherë leksionin prej kësaj loje të marrë me piramidat e 97-s, dhe riciklimi i premtimeve sipas parimit “brenda mandatit” sjell shumë shpejt pikën e vlimit. Protesta e studentëve dha një shembull se si rrënohet strategjia e mbulimit të një gënjeshtre me një tjetër. Ofsajdi me kartën e studentit ishte demaskues për një mashtrues me përvojë shumëvjeçare si kryeministri ynë. Sipas leksionit të ’97-s, piramida e pushtetit të Edi Ramës sipas parimit “brenda mandatit do të bëjmë çfarë s’është bërë” e ka mbërritur bazën e vet më të gjerë prej kohësh, dhe tani hyrjet në thesin e gënjeshtrave janë shumë më të vogla dhe s’dalin për t’u mbyllur gojën kreditorëve më të zhurmshëm. Minatorët prej kohësh e kanë humbur durimin, fermerët po ashtu, studentët dhanë shenjën e parë se piramida po bie, prandaj “babai i piramidës” duhet të gjejë një metodë tjetër, sepse metoda “Brenda mandatit” s’funksionon më.   

Ky pushtet piramidal tani është në periudhën e menazhimit dhe nga mënyra se si Edi Rama do ta zgjedhë “exit strategy”-në e tij mund të diskutojmë edhe për dëmet që do të shkaktojë ajo. Siç e kemi parë këtë fundvit, si një të marrë që s’di ç’e pret në çfarëdo lloj takimi, por shkon atje me shpresën idiote se s’do të jetë aq keq sa thonë, gjasat janë që kryeministri s’ka ndërmend fare të investohet në fazën e menazhimit. Në paranojën e tij, ai po bredh si një i verbër që e kujton veten të gjithëpushtetshëm e të pagabueshëm, prandaj kursi i vetëm që mbetet të ndjekim është ajo se si do gremiset një pushtet hajdut që pandeh se çfarëdolloj halli zgjidhet me rrenën permanente “do ta zgjidhim brenda mandatit”.

Modifikuar më Hënë, 24 December 2018 16:31
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...