Patrioti Xhafer Sherif Shelqi, i ndëshkuar në diktaturë, i harruar në demokraci

Diel, 20 June 2021 16:27
Foto ilustruese. Patriotë shqiptarë në jug të vendit në vitin 1912 Foto ilustruese. Patriotë shqiptarë në jug të vendit në vitin 1912

Nga Lirim Harka*

Xhafer Sherif Sadiku, për mbi një shekull i njohur si Xhafer Shelqi, u lind në 1866, në fshatin Shelq të Deshnicës, në nënprefekturën e Përmetit. Ai i përket atij brezi të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, i etur për liri dhe për pavarësi, i uritur për kulturë e dije. Mësoi të shkruajë e të lexojë shqip me alfabetin e Stambollit. Abetaret e gjuhës shqipe të shtypura në Bukuresht, u përhapën në Shelq, Zhepove dhe Kajcë, nën drejtimin e Xhafer Shelqit, mbështetur nga Hamit Lako, Dajlan Zenjeli, Çerçiz Harka, Dine Mediu, Mustafa Ferhati. Xhaferi është në llojin e atyre burrave me emër, të fjalës e të pushkës, të besës dhe të nderit, që së bashku me patriotë e luftëtarë trima, rrëmbyen armët dhe me flamurin kombëtar në dorë, i dolën zot Shqipërisë, duke u ndeshur në fushën e luftës me pushtuesin e huaj.

Xhafer Shelqi, që në rini, në moshën 20 vjeçare, u shqua si një luftëtar trim, një patriot i vendosur dhe burrë i urtë e i mençur. Fjala e Xhaferit dëgjohej me vëmendje e respekt jo vetëm në fshat të tij, por edhe nga shumë burra të Deshnicës së Skraparit, e krahinave të tjera. Ai ishte nga të parët që mori pjesë në çetat patriotike për lirinë e Shqipërisë. Së bashku me patriotë të tjerë u ngritën në kryengritjen e verës së vitit 1912, si në Përroin e Pagrisë, ku u vra

Nazif Delvina, në grykën e Këlcyrës (30 korrik 1912), etj. Në krye të bashkëluftëtarëve të tij, ata goditën armikun dhe tek “Rripa e Kuqarit” dhe bashkë me kryengritësit e tjerë të atyre viseve, hynë në Përmet.

Me shpërthimin e Luftës Ballkanike, mori pjesë në luftrat për mbrojtjen e territoreve shqiptare që u bënë pre e shteteve fqinje që synonin copëtimin e tyre. Patriotët e krahinës së Deshnicës, midis tyre dhe Xhafer Shelqi, luftuan për muaj me radhë në Janinë.

Patriot i njohur dhe me ndikim në mjedisin e fshatrave të Përmetit, ai do vihej shpejtë në shënjestër dhe do të ndiqej nga andarët grek, që pushtuan zonat e jugut. Më 5 Janar të 1914, në qafën e Shelqit, çeta e drejtuar prej tij, ra në përpjekje me një kompani andartësh që lëvizte në drejtimin të, Mali i Topojanit – Dërrasa e Kajcës. Për përpjekjen e asaj date, Varf Ali Prishta, i njohur më vonë si Baba Ali Tomorri, i dërgonte një letër Themistokli Gërmenjit, asaj kohe

nënprefekt i Skraparit, me qendër në Çorovodë. Midis të tjerave, ai e informonte për gjëndjen në Dëshnicë: “Vëllezërit tanë po heqin mijëra të këqija prej grekëve. Ah…! Të mjerët ata! Dje në qafë të Shelqit u bë një përpjekje ku u plagos një ushtar e një Shelqas. Shelqasin e plagosur e zunë dhe ku e shpunë, se dimë. Pas kësaj përpjekje nuk kemi dëgjuar se qysh sillen grekët. Edhe në Topojan u bë një përpjekje, por nuk e dimë qysh është puna dhe a u vra njeri. Në ato vise, këto ditë është një rrëmujë e madhe, fundi qysh do të dali nuk e dimë, përveç në i ardhtë keq Zotit për Shqipërinë fatzezë”.

Të nesërmen, në 6 Janar 1914, andarët i dogjën shtëpinë Xhaferit. Për djegien e shtëpisë së Xhaferit shkruante gazeta “Përlindja e Shqipërisë” e qeverisë së Vlorës, në numrin e 20 Janarit 1914. Midis të tjerave ajo vinte në dukje se Rauf Fico, prefekti i Beratit, i telegrafonte qeverisë  së Vlorës, se në Shelq të Dëshnicës “Duall andarët gjiritas e paskan djegur shtëpinë e katundarit Xhafer. Njerëzit e shtëpisë, gra e fëmijë u shpërndanë nëpër fshatra nga u panë sytë e u vanë këmbët”. Familjarët e Xhaferit u larguan në fshatrat e Skraparit, ndërsa pasurinë ia grabitën. Atë ditë andarët grumbulluan burrat e Shelqit dhe disa nga burrat e njohur të Zhepovës, që së bashku i çuan tek shtëpitë në krye të fshatit Zhepovë, ku i torturuan. Do t‘i kishin internuar por u erdhën

në ndihmë luftëtarët që ishin në Skrapar, midis tyre edhe Xhaferi”. Ngjarjen në fjalë e përshkruante korrespondenti i gazetës “Përlindja” në Skrapar, i cili shkruante se: “40 luftëtarë ishin nisur në Zhepovë, por afër Çepanit takuan 100 ushtarë grekë të perzier me andarë, të cilët kishin vajtur të bënin plaçkë dhe në Çepan. U bë një luftë e rreptë e cila mbajti 5 orë.” Po atë ditë ata mbërritën në fshatin Zhepovë, ku pas një sulmi mbi andartët, i detyruan të

lironin të arrestuarit”.

Më 25 Qershor 1914, Xhaferi me mbi 20 burra nga Shelqi dhe Zhepova, ka zhvilluar disa përpjekje me andartët për të mbrojtur popullin e Zhepovës dhe të Shelqit nga masakrat e andartëve. Ndonëse pak burra, ata bënë qëndresë midis Zhepovës dhe Topojanit dhe Qevurin e Hajkos mbi fshatin Shelq, derisa banorët e fshatrave përreth kapërcyen Qafën e Pavarit, Ballaban e më tej. Falë asaj rezistence, u shpëtuan nga masakrat 525 banorë të fshatrave Zhepovë dhe Shelq. Pas largimit të banorëve, andarët dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit Zhepovë e Shelq, grabitën pasuritë. Ajo çfarë kishte mbetur nga shtëpia e Xhaferit e djegur në Janar, u dogj përsëri në Qershor.

Gjatë luftës së parë botërore, krahina e Dëshnicës u pushtua nga Italianët, ndërsa zona e Skraparit nga ushtria Austriake. Kufiri ndarës midis ushtrive ndërluftuese ishte në vargun Qarrisht-Qafë e Shelqit-Derrasë e Kajcës…

Në këto kohë të trazuara, vlen për t’u përmendur qëndrimi i Xhaferit, i cili duke patur përvojë të gjatë nga luftërat që kishte marrë pjesë, nuk u pajtua me disa patriotë të njohur, që ishin të angazhuar me ushtritë italiane apo austriake, që i kërkuan të aktivizohej. Xhaferi refuzoi në mënyrë kategorike. Ideali i tij ishte liria e Shqipërisë dhe se nuk do të luftonte kundër shqiptarëve.

Në luftën e Vlorës 1920, Xhafer Shelqi ishte pjesëmarrës aktiv. Në Qershor të vitit 1920, kur vullnetarët e fshatrave Zhepovë dhe Shelq u bashkuan në Tolar me shumë luftëtarë të tjerë, ranë në një mendje për të patur komandant të çetës së tyre Xhafer Sherif Shelqin. Emrin e mirë që gëzonte në tërë krahinën, nuk e shfrytëzoi kurrë për përfitime personale. Pas çdo lufte kthehej pranë familjes së tij dhe jetonte duke punuar në pronën e vet, duke shtuar blegtorinë e hardhitë. Tokat e sistemuara dhe pemët e mbjella nga Xhafer Shelqi, dallonin dhe shërbyen si mësim për brezat edhe në fund të shekullit XX. Familja e Xhafer Shelqit, ishte një familje e kamur, fisnike që gëzonte autoritet në Dëshnicë.

Xhafer Shelqi ishte një personalitet që pyetej, i merrej mendimi për çdo problemtë rëndësishëm në fshat, në fshatrat përreth e në krahinë. Ai luante rolin e një gjykatësi popullor, thirrej për zgjidhjen e mosmarrveshjeve, për çështje prone apo familjare. Fjala dhe mendimet e tij ishin të padiskutueshme për palët. Kjo vërtetohet edhe nga këto dokumenta: Në telegramin 08/07/1921, që i dërgohej ministrisë së brëndshme nga paria e 44 fshatrave të Dëshnicës, të cilët i kërkonin qeverisë të zbatohej autoqefalia e bektashizmit, sipas vendimeve të Kongresit Bektashi të Prishtës. Midis 16 emrave nënshkrues, i gjashti është edhe emri i Xhafer Sherif Shelqit.

Në procesverbalin e mbajtur në zgjedhjen e pleqësise së katundit Shelq, që mban datën 15/03/1926, zgjidhet njëzëri kryeplak i fshatit Xhafer Sherif Shelqi.

Me fillimin e luftës Italo-Greke në fillim të vitit 1940, duke pasur përvojë të hidhur të vitit 1914, largoi bagëtitë e imta (rreth 1000 krerë), në drejtim të Mallakastrës. Tërë fshatarët që i mbajtën blektorinë në fshat, mbetën pa gjë, pasi e gjitha u azgjësua nga ushtria greke.

Me të kthyer bagëtinë, në Maj të vitit 1941, Xhaferi i ndihmoi falas fshatarët e Zhepovës dhe të Shelqit me bulmet, duke u dhënë edhe një pjesë të blektorisë. Në Mars 1943, në Shelq kaluan drejtues të partisë komuniste, Mustafa Matohiti, Themo Vasi dhe disa partizanë të tjerë, të cilët ishin nisur për në Kajcë. Ata kishin informacion të plotë për veprimtarinë patriotike, peshën e fjalës dhe të ekonomisë së Xhaferit dhe mbajtën një takim me

Xhaferin.

Gjatë bisedës, ai u kërkoi përfaqësuesve të dinte kush ishin udhëheqësit e luftës, cilët ishin aleatët, programi, simbolet, etj, etj. Nga bisedat që bëri me drejtuesit e levizjës nacionalçlirimtare, nuk u bind dhe në përplasje të rrymave politike në moshën 77 vjeç, zgjodhi të qëndronte asnjëanës.

Në fillim të Dhjetorit të vitit 1943, hynë forcat partizane në krahinen e Dëshnicës. Përsëri shkoi në Shelq Mustafa Matohiti dhe Jaho Gjoliku dhe kërkojnë takim me Xhaferin. I pret në shtëpi. Gjatë asaj darke, debati zgjati disa orë, por tema që u diskutua më tepër ishte marrdhënia me ballistët. Ai theksoi se ishte gati të bënte detyrën ndaj atdheut, siç e kishte bërë gjithnjë, duke luftuar kundë pushtuesit të huaj, por kurrë nuk do të luftonte kundër shqiptarve, pavarsisht se cilës rrymë politike i përkiste. Biseduesit i japin të drejtë për mosmarrveshjen e muajit Mars dhe e bindin të mbështesi luftën nacional çlirimtare. Njëri djalë i Xhaferit, u zgjodh sekretar i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit nga Dhjetori i vitit 1943, deri në vitin 1949. Djali tjetër doli partizan, fillimisht në bataljonin “Dëshnica” dhe me krijimin e brigadës së 8-te u inkuadrua në këtë brigadë. Mori pjesë në luftimet e kësaj brigrade për çlirimin e Tiranës, më pas deri në Sanxhak. Dokumentat dhe kujtime na rrëfejnë, se familja e Xhaferit e ndihmoi luftën çlirimtare dhe vuri në shërbim të saj gjithçka, shtëpinë, ekonominë dhe jetën e fëmijëve. Me mbarim të luftës, situata ndryshoi. Në 1948, regjimi i ri i shtetëzoi pa shpërblim bagëtitë.

Xhaferi dhe dy djemtë e tij, që e kishin ndihmuar luftën si askush në krahinë u listuan si armiq. Në 1950 në moshën 84 vjeçare, Xhaferin e cilësuan kulak, dhe pas një viti ndërroi jetë. Ndonëse e kishin izoluar familjarisht nga njerëzit, në ceremoninë e varrimit të Xhaferrit, krahas banorëve të fshatit Shelq, morën pjesë edhe nga Zhepova, Topojani, por edhe miq të shumtë të familjeve të Shelqit, nga fshatrat e Përmetit, Skraparit dhe të Tepelenës. Ishte shpërblimi, që populli i jepte një patrioti që kishte sakrifikuar për atdheun. Ceremonia e varrimit të Xhaferit ishte rasti i fundit kur tërë fshati ishte i bashkuar.

Pati komunistë të fshatit Zhepovë e Shelq, që e kundërshtuan cilësimin e tij kulak dhe vunë në dukje meritat patriotike, mbështetjen e pakursyer që i dha luftës nacional çlirimtare, por pabesia, nëpërmjet kanaleve të nëndheshme, e bënë punën e tyre. Shokët e luftës dhe të regjimit të ri e harruan bukën që kishin ngrënë në këtë familje, pritjet dhe përcjelljet dhe sakrificat e tyre për atdheun. Për 40 vjet me radhë familja e Xhaferit u izolua, u persekutua e u godit pamëshirë nga regjimi komunist. ...

Dokumentat arkivore dhe kujtimet që kanë mbetur e që rrëfehen në kuvende, flasin shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar. Vlerësimi i kësaj figure, është nder për të gjithë ne dhe për ata që do të vijnë pas nesh. Heshtja është dënim më i rëndë. Historia duhet të flasë!

___________

*) Autori i shkrimit është mësues veteran i historisë në ish shkollën e mesme të Zhepovës e më pas në Durrës. Njohës i mirë i histrorisë së krahinës së Dëshnicës, Përmetit e më gjërë. Shkrimi publikohet me shkurtime. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...