Rikard Ljarja Archives - 55 News https://55news.al/tag/rikard-ljarja/ Thu, 30 Apr 2020 16:44:03 +0000 sq hourly 1 https://wordpress.org/?v=7.0.2 https://55news.al/wp-content/uploads/2026/07/favicon.png Rikard Ljarja Archives - 55 News https://55news.al/tag/rikard-ljarja/ 32 32 Të dytin e njoha vonë https://55news.al/opinion/te-dytin-e-njoha-vone/ Thu, 30 Apr 2020 16:44:03 +0000 https://new.55news.al/?p=158655 Nga Qemal SAKAJEVA Të parin e njoha më 1970. Punonim në zyra të ndryshme në “Zëri i Rinisë”. Ai kishte bërë emër. Unë po hidhja hapat e fillimit në gazetari. Një ditë më ftoi pranë tavolinës së tij. Kishte nënvizuar një frazë në reportazhin tim nga zona e Dumresë : “Andej nga mali i Tomorit, […]

The post Të dytin e njoha vonë appeared first on 55 News.

]]>
Nga Qemal SAKAJEVA

Të parin e njoha më 1970. Punonim në zyra të ndryshme në “Zëri i Rinisë”. Ai kishte bërë emër. Unë po hidhja hapat e fillimit në gazetari. Një ditë më ftoi pranë tavolinës së tij. Kishte nënvizuar një frazë në reportazhin tim nga zona e Dumresë : “Andej nga mali i Tomorit, qielli ishte nxirë si i fshikur me purtekë”. Si myzeqar që ishte, figuracioni dhe përdorimi i fjalëve ”fshikur” dhe “purtekë”, i kishin pëlqyer dhe, atë sekondë  dha një porosi gazetarie mbi individualitetin dhe stilin: “Kur ulesh të shtjellosh një temë, thuaj: kjo shkruhet  vetëm kështu, siç e shkruaj unë”.

Ky ishte Vath Koreshi, myzeqar nga Lushnja me origjinë, por shkollimi i mesëm në gjeologji dhe puna si teknik në një ekspeditë në Tropojë, i kishin krijuar tërheqje pasionante për Veriun. Edhe nga kjo, ai pati botuar e i përmendej një reportazh i  gjatë për fillrojtësin Pjetër Llesh Doda nga Domgjoni i Mirditës, i cili – pa e menduar se çfarë mund t’i ndodhte – ngriu në borën e madhe mes malesh, duke kryer sakrificën më të skajshme, për të ndrequr defektin në linjën telefonike. Pak vite më pas Vathi  shkoi në Kinostudio të punonte skenarist. Reportazhin për fillrojtësin e ktheu në skenar të filmit “Rrugë të bardha”, që u shfaq më 1974.

Të dytin e njoha më 1996. U vendos që ai të ishte nëndrejtor për anën artistike në Televizionin Shqiptar. Pasi trokiti në derë u fut në zyrë pa aktrim të thjeshtësisë njerëzore apo  mendjemadhësisë prej famës.

-Drejtor, jam Rikad Ljarja,- tha me zërin e plotë.

-Të njoh nga ekrani i madh. Ti je Deda dhe të tjerë si Deda.

-Edhe unë të njoh nga  faqet e gazetës dhe si drejtor i Televizioni Shqiptar.

Artisti shumë i njohur ishte tashmë në moshë të pjekur dhe  të punoje më të qe diçka shumë komode. Sepse: ishte i pranuar nga ata qindra punonjës për kapacitetin profesional; vlerësohej për mjeshtërinë e interpretimit; zotronte aftësinë njerëzore të qasjes; shfaqej elitar në mendimin kritik; kishte një kulturë që e zhbënte thënien se “aktorët aftësitë i kanë për të interpretuar mendimet që i shkruajnë të tjerët”. Me kohë më dha të lexoj krijimtari të veten dhe mbeta keq prej mosnjohjes time, të talentit të tij për të shkruar.

Përgjat marrëdhënieve të afërta në punë, një ditë Rikardi u fut në zyrë i përlotur. Loti i burrit është tronditës. Mbylla derën përbrenda me çelës. E  ftova të uleshim te këndi.

-Rikard, më ke gati të ndihmoj? Më thuaj çfarë duhet të bëj?

-Jo, janë shqetësime njerëzore të miat. Po përjetoj prej disa kohësh rrethana të këqia. Se si më erdhi sot. Ndjeva  se duhet t’i nxjerrja nga vetja.

Dhe rrëfeu shkurt.

-Më fal, -tha në përfundim. – I thashë këtu, le të mbeten këtu.

Asokohe, pas ndryshimeve, qe ndërprerë transmetimi i filmave të Kinostudios, sipas mendimit se ishin mjaft të ideologjizuar. Sidoqoftë kishte edhe trysni për t’i nxjerrë nga arkivi, ndaj në këshillin e televizionit u vendos që të përzgjidhnim mes tyre, pa marrë rolin e kritikës mbi to, sepse  ky nuk ishte tagër i tij.  U përpilua një listë e shkurtër dhe një ditë në javë u programua ora e filmit shqiptar. Dikur, punonjësi i departamentit të programacionit, vjen e thotë:

-Drejtor, lista e filmave shqiptarë për transmetim mbërriti në fund. Si t’ia bëjmë për nesër?

-“Rrugë të bardha”, -thashë pa u menduar.

Pas transmetimit, Rikardi kishte shkuar te programacioni.

-Pse u dha “Rugë të bardha”?

-Ka thënë drejtori.

Atëherë ngjiti shkallët dhe erdhi në zyrë.

-Drejtor, kishe urdhëruar të transmetohej “Rugë të badha”?

-Po.

U ul përballë, buzëqeshi dhe thuajse belbëzoi:

-Deda është si Lej Fen.

Më krodhi në mendime.

-Pjetër Llesh Doda i Domgjonit  ka qenë teknik malësor mirditor që sakrifikoi pa kinezëri, mbase aksidentalisht. Roli yt i Dedës është mjeshtëror, ndoshta kryeroli yt, – i thashë.

Kritikat për filmat e realizimit socialist, natyrisht kishi mbërritur. Siç duket e vuante përbrenda pa pasur asnjë faj me talentin e jashtëzakonshëm. Po të kishte qenë diku në Perëndim, përveç famës, do të  qe me mjaft para dhe shtëpi të mirë, jo aq të thjeshtë si ajo ku jetonte.

Dhe shkuam për kafe.

Qysh atëherë kaluan plot vite, secili me hallet dhe me stilin e vet të jetesës.

Një ditë u futa me bashkëshorten te Kafe 88 në krah të ish-Ekspozitës Shqipëria Sot. Në zbarazëtinë e kefeterisë së madhe, shihej vetëm Rikardi i ulur në kulltukun e ulët me shpinore mbështetur në kolonën e  gjerë me një pikturë varur më sipër. Mbase në pritje të shokëve. Eca drejt tij, i a shtrëgova dorën si dikur. Por hetova gjendje të rënduar shëndetësore. Vetëm pak muaj më pas, dikush në shtëpi dha lajmin: “Ka vdekur Rikard Ljarja”. Mbeta pa fjalë.

Eshtë kohë absurde e pamendueshme. Të gjithë të ngujuar me detyrim,  ngjajmë  si gjindje mbyllur shpellave për t’u mbrojtur nga egërsira. As për ngushëllim nuk shkohet dot. COVID-19 i ka tjetërsuar dramatikisht edhe ceremonitë mortore duke i bërë  më të dhimbshme. E Rikardit ishte po ashtu.

unnamed.jpg

The post Të dytin e njoha vonë appeared first on 55 News.

]]>
Kur filmat e Rikard Ljarjes i shihnim fshehurazi https://55news.al/kulture/kur-filmat-e-rikard-ljarjes-i-shihnim-fshehurazi/ Sat, 25 Apr 2020 13:18:27 +0000 https://new.55news.al/?p=157799 Gani Mehmetaj “Rikardi ka zënë shtratin”, me tha miku im Saimir Kumbaro në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa e pyeta për Rikard Ljarjen regjisorin dhe aktorin e madh shqiptar. Sa herë vija në Tiranë, meqë gjithnjë isha në nxitim për  një punë apo tjetër, pyesja miqtë për te. Me erdhi keq, kur Saimiri ma […]

The post Kur filmat e Rikard Ljarjes i shihnim fshehurazi appeared first on 55 News.

]]>
Gani Mehmetaj

“Rikardi ka zënë shtratin”, me tha miku im Saimir Kumbaro në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa e pyeta për Rikard Ljarjen regjisorin dhe aktorin e madh shqiptar.

Sa herë vija në Tiranë, meqë gjithnjë isha në nxitim për  një punë apo tjetër, pyesja miqtë për te. Me erdhi keq, kur Saimiri ma tregoi edhe sëmundjen nga e cila lëngonte.  

Rikard Ljarjen e kam njohur para tridhjetë vjetësh, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, në kohën e rrëmujës së madhe, atëherë kur po rrënohej diktatura. Isha mysafirë i Festivalit të Filmit Shqiptar, me te shëtisnin rrugëve të Tiranës, flisnim për filmin, kulturën, artin, flisnim edhe për situatën politike. Ai më rrëfente peripecitë e aktorit, por me tregonte edhe për sharmin e punës gjatë xhirimeve të filmave. 

Rikard Ljarjën në të vërtet e kam njohur shumë më parë se ta takoja, e kam njohur nga filmat: “Radiostacioni”, “Në pyjet me borë ka jetë,  “Rrugicat që kërkonin diell”, “Komisari i dritës”, “Rrugë të bardha” etj. Shumicën e filmave të tij i kam shikuar ilegalisht, atëherë kur na i ndaluan të gjithë filmat shqiptar. I ndiqnim në Televizionin Shqiptar me antenën e kanalit 12, që e blinim kinse për Tv Beogradin , programin e dytë, dhe e kthenim nga Tirana, një hile që e kishim mësuar për t’iu shmangur shërbimit të fshehtë jugosllavë. Shkodrani i Tiranës gjithnjë më ka lënë mbresa me paraqitjen ekpresive, me zërin e thellë, burrëror dhe pamjen e aktorit që e mbush ekranin me praninë e tij. E kam takuar pastaj pas luftës edhe në Prishtinë. 

Në librin tim: “Qyt etet e Ilirisë”, kam shënuar: “Më kujtohej kur më 1991 apo 1992 e luta shkodranin e thekur e aktorin e famshëm, Rikard Ljarja, të ma zgjidhte mëdyshjen: ta vizitoja apo jo qytetin. Ai ma tha atë që nuk e prisja: Nuk është koha të shkosh në Shkodër, nuk është Shkodra ajo që e kërkon! Prit ditë më të mira! Dhjetëra herë kam kaluar nga ura e Bunës për të vazhduar në Ulqin, Dubrovnik, Split, Zarë e tutje në Itali e Zvicër, sepse s’bëja ballë të futesha në qytetin e ëndrrave”. 

Vdekja e tij me la një boshllëk, e thirra Saimirin dhe e pyeta për ceremoninë e varrimit, i vetëdijshëm që as mund të shkoja, as mund t’i shkonim miqtë tjerë. Ishte kohë e pandemisë që na ngujoi si të kishim rënë në gjak me tërë botën.

E pashë në televizor rrugëtimin e tij të fundit dhe me pikëlloi edhe më shumë. … Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rrmajit, dallendyshe ulu me pushue; Mu kujtuan vargjet e Filip Shirokës. Pushofsh në paqe, miku im i çmuar.

kanun.JPG

The post Kur filmat e Rikard Ljarjes i shihnim fshehurazi appeared first on 55 News.

]]>
“Nga koha e gjimnazit tek martesa”, shkrimtari Zija Çela rrëfen miqësinë me regjisorin Rikard Ljarjen: Si u njoh në shesh xhirim me Marjetën https://55news.al/kulture/nga-koha-e-gjimnazit-tek-martesa-shkrimtari-zija-cela-rrefen-miqesine-me-regjisorin-rikard-ljarjen-si-u-njoh-ne-shesh-xhirim-me-marjeten/ Wed, 22 Apr 2020 13:58:26 +0000 https://new.55news.al/?p=157340 Dikur, shkrimtari Zija Çela do të na mësonte se për dashurinë flitet pas vdekjes. U desh një vdekje, ose më saktë një ikje, që të kthehej pas në kohë, atëherë kur një djalë me një portret melankolik luante muzikë italiane me fizarmonikë. Një djalë me sy të mëdhenj, melankolikë, me një portret të skalitur, që […]

The post “Nga koha e gjimnazit tek martesa”, shkrimtari Zija Çela rrëfen miqësinë me regjisorin Rikard Ljarjen: Si u njoh në shesh xhirim me Marjetën appeared first on 55 News.

]]>
Dikur, shkrimtari Zija Çela do të na mësonte se për dashurinë flitet pas vdekjes.

U desh një vdekje, ose më saktë një ikje, që të kthehej pas në kohë, atëherë kur një djalë me një portret melankolik luante muzikë italiane me fizarmonikë. Një djalë me sy të mëdhenj, melankolikë, me një portret të skalitur, që do të bëhej një nga aktorët e regjisorët më të njohur të kinemasë shqiptare të para viteve ’90.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Zija Çela tregon njohjen me Rikard Ljarjen, që në kohën e gjimnazit. Në mendje i ka mbetur portreti i atij djali, që mishëronte fisnikërinë e trashëguar prej familjes. E pas një shkëputje shumë vjeçare do të vinte bashkëpunimi në filmin “Në pyjet me borë ka jetë”.

Pyjet

Një film fatlum, siç do të thoshte Zija Çela, sepse jo vetëm u mirëprit nga publiku, duke shënuar një sukses në karrierën e Rikard Ljarjes si aktor e regjisor, por më së shumti sepse njohu shoqen e tij të jetës, Marjetën, e cila do ta shoqëronte në shtigjet e vështira të artit. Dhe ishte pikërisht ky moment që do ta bënte atë kumbarin e një lidhjeje dashurie, duke marrë pjesë në një nga ato momentet unike të jetës, siç është celebrimi martesor.

Pavarësisht ceremonisë së thjeshtë, ai mban mend ndjesinë e mirë që i jepnin sytë e tyre dhe ajo bisedë e ngrohtë në kafen pas ceremonisë. Ai kujton njeriun, që kurrë nuk i ra gjoksit për arritjen, artistin, që urrejtjen që mishëronte në personazhe, nuk e njohu në jetë.

rikard-larja-marjeta-larja

“Kam përshtypjen se, sikur unë të mund ta pyesja dhe ai të mund të më përgjigjej se çfarë kornize do të donte për portretin e tij, do të më thoshte: “Të vogël, sa më të vogël. Ose, e di ç’ke ti, miku im, lëre fare pa kornizë!”.

Rikardi s’e përdorte modestinë per t’u bërë “popullor”, sado elitar për nga shija dhe rangu, thjeshtësinë e kishte virtyt”, tregon Zija Çela.

Përmes një rrëfimi të ndjerë, shkrimtari na bën portretin e njeriut dhe artistit që u nda nga jeta në një kohë të çuditshme, që u mohoi miqve e kolegëve ta përcillnin për në banesën e fundit.

 

Ky është edhe pengu i shkrimtarit, që ai, kumbari i dasmës, nuk arriti të ishte i pranishëm në këtë lamtumirë të fundit, të cilën duhet ta shoqëronin shumë duartrokitje, në shenjë respekti për njeriun dhe artistin.

marjeta

E keni njohur herët Rikardin, ç’kujtoni prej atëherë?

Po, njohja me Rikardin është e hershme, që në vitet e shkollës së mesme, kur studionim në “Xheladin Fishta”. Por njohjen më së pari e pata me babanë e tij, Karlo Ljarja, mësuesin tim të gjermanishtes. Ai burrë edhe sot më vjen ndërmend me atë trupin e drejtë si fiskaja, pavarësisht nga mosha e shtyrë. E di si më dukej? Me dukej sikur, gjithë kohën që kishte studiuar dikur në Perëndim, e kishte kaluar duke vallëzuar valsin vienez. Me vonë, fisnikërinë dhe finesën e tij i gjeta edhe tek i biri, Rikardi. Me Rikardin kisha tri vjet diferencë. Kur unë isha në vitin e parë, ai ishte maturant dhe së bashku zhvillonim ato mbrëmjet e vallëzimit, ku ai i binte fizarmonikës. Luante muzikë italiane dhe teksa po flasim, përpara syve kam imazhin e tij, me kokën pak mënjanë, me ata sytë e mëdhenj në pamje të parë neutralë, por ku lexohej një melankoli e brendshme, që e shoqëroi gjithë jetën. Rikardi pati fatin të lindte në një familjet shkodrane me lidhje të forta kulturore europiane, çka u mishërua tek ai. Më pas Riku, siç i thoshim shkurt, “u zhduk” për ne, po vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve.

zija

Por fati e deshi që rrugët tuaja të puqeshin sërish, pikërisht në filmin e titulluar “Në pyjet me bore ka jetë”, si lindi ky bashkëpunim?

Jemi takuar në rrethana të çuditshme. Kishte kohë që më kërkonte një skenar filmi dhe unë e shkrova, sipas motiveve të një prej novelave të mia. Dhe është filmi që ju përmendet. Do ta quaja një film fatlum, sepse aty ai bëri regjinë, luajti protagonistin, por gjeti edhe Marjetën, e cila po ashtu luante rolin e protagonistes. Ata ranë në dashni me njëri-tjetrin. Më pas më kërkuam të bëhesha dëshmitar, apo më bukur kumbar, në celebrimin e lidhjes së tyre. Megjithëse tashmë ishin bërë të njohur për publikun, akti zyrtar nuk pati shumë nuanca ceremoniale. Mbasi u ulëm në një kafe, çifti e pyeti kumbarin për celebrimin e tij dhe unë ua rrëfeva. Isha në vitin e katërt të shkollës së lartë dhe mora si dëshmitarë tre shokë të kursit. Pastaj drejt e ne klub, ku porositëm dy fërrneta e gjysmë, sepse aq para kisha ne xhep. Pra, dua të theksoj ndjesinë e mirë që po më përcillnin Rikardi e Marjeta. Më kujtohet buzëqeshja e tyre. Ishin çaste sublime, pasi martesa është një lidhje në të mirë e në të keq.

Pas filmit “Në pyjet me borë ka jetë”, patët bashkëpunime të tjera?

Jo, nuk vazhdova më me bashkëpunime kinematografike. Takimet tona u bënë më të rralla, por gjithnjë dashamirëse. Rikardi kishte ca tipare, që e dallonin. Ishte nga më fisnikët dhe më pak egoistët që kam njohur në rrethet artistike. Nuk e kam dëgjuar kurrë të mburrë veten apo t’i bjerë gjoksit. Ka diçka tepër individuale te Rikardi. E keni vënë re? Edhe rolet e tij më dramatike, sikur i vajis një butësi njerëzore e pashqitshme. Si artist, ai kishte talentin për ta interpretuar urrejtjen, por me gjasë nuk e ushtronte si njeri. Është për t’u vërejtur gjithashtu shpërndarja e energjisë së tij gjatë interpretimit. I ngadalshëm në lëvizje, tepër shprehës në mimikë. Dhe pikërisht pse ishte aq shprehës, fytyra e tij me volume të lakmuara për kamerën, të fiksohej në kujtesë. Kam përshtypjen se, sikur unë të mund ta pyesja dhe ai të mund të më përgjigjej se çfarë kornize do të donte për portretin e tij, do të më thoshte: “Të vogël, sa më të vogël. Ose, e di ç’ke ti, miku im, lëre fare pa kornizë!”. Rikardi s’e përdorte modestinë per t’u bërë “popullor”, sado elitar për nga shija dhe rangu, thjeshtësinë e kishte virtyt.

Sidoqoftë, figura e mësuesit, Dritanit, e bëri atë gjerësisht të njohur në publik…

Është e vërtetë, ashtu si figura e Dedës. Shih, po të tregoj një episod. Unë dhe ime shoqe ishim mësues ne Krumë të Hasit kur u bëmë me fëmijën e parë. Me parandjenjën se do të ishte vajzë, unë ia kisha gjetur emrin, ishte Riviera. Lindi djalë dhe zonja ime e quajti Dritan. Mbas pak muajsh, për të na takuar, vjen në konvikt, ku kishim një dhomë, kryetari i këshillit të komunës. “Zot, përse ka ardhur?”, pyesnim veten. Musa ishte bërë me djalë dhe kërkonte leje prej nesh nëse edhe ai mund ta quante të birin Dritan. Efekti i kinemasë, reaksioni zinxhir.

Ju keni bërë një status në “Facebook” me titullin “Në mungesë, Rikard…”. Ka pasur shume klikime, shumë shpërndarje e komente. A mund ta përfshijmë në këtë intervistë?

Pse jo, megjithëse mund të ketë ndonjë përsëritje, në stilin bisedor është edhe ai tekst. E përfytyroja sikur ato fjalë po ia thosha drejtpërdrejt miqve të mi. Ja, ky është rekuiemi im i vogël: Sa pak, sa pak mori Rikard Ljarja dhe sa shumë, sa shumë na dha. Dhe ne përsëri nuk do të mund t’i japim, ndërsa Ai do të vazhdojë të na japë përmes ekranit. Pikëllimi ka ndriçimin e vet dhe në këto çaste ka pikërisht atë të diamantit të zi. U njohëm herët, në vitet e rinisë së gjimnazit, në Shkodrën e vendlindjes sonë. E sot, ky bashkëpunëtori e ky kumbari, sot mungon në mortin tënd. E di Rikard, siç e dije fort mirë edhe ti, miku im i ndier, shume plagë marrim gjatë rrugës së jetës, vdekja është e fundmit që na vret. Por që, njëkohësisht, na përball edhe me të ardhmen tjetër. I paqtë amshimi, e paharrueshme vepra!/Panorama

The post “Nga koha e gjimnazit tek martesa”, shkrimtari Zija Çela rrëfen miqësinë me regjisorin Rikard Ljarjen: Si u njoh në shesh xhirim me Marjetën appeared first on 55 News.

]]>
Amaneti u përmbush, artisti prehet në vendlindje! Mirjeta Ljarja: S’jam pishman për përcjelljen e thjeshtë të Rikardit, është shumë shpirtërore https://55news.al/kulture/amaneti-u-permbush-artisti-prehet-ne-vendlindje-bashkeshortja-e-regjisorit-te-mirenjohur-mirjeta-ljarja-s-jam-pishman-per-percjelljen-e-thjeshte-te-rikardit-eshte-shume-shpirterore/ Tue, 21 Apr 2020 15:48:58 +0000 https://new.55news.al/?p=157156 Amaneti i aktorit të madh Rikard Ljarja u përmbush. Trupi i tij do të prehet në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër. Duartrokitjet që i mori në skenë gjatë gjithë jetës së pasur artistike e shoqëruan edhe në këtë moment të lamtumirës. Bashkëshortja e artistit, aktorja Marjeta Ljarja falënderoi të gjithë për vlerësimin e figurës […]

The post Amaneti u përmbush, artisti prehet në vendlindje! Mirjeta Ljarja: S’jam pishman për përcjelljen e thjeshtë të Rikardit, është shumë shpirtërore appeared first on 55 News.

]]>
Amaneti i aktorit të madh Rikard Ljarja u përmbush. Trupi i tij do të prehet në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër. Duartrokitjet që i mori në skenë gjatë gjithë jetës së pasur artistike e shoqëruan edhe në këtë moment të lamtumirës.

Bashkëshortja e artistit, aktorja Marjeta Ljarja falënderoi të gjithë për vlerësimin e figurës të bashkëshortit të saj. Ajo tha se nuk ka pishmane për përcjelljen e thjeshtë që iu bë aktorit, pasi ishte shumë shpirtërore.

8e2c4e32-f442-4856-88c9-dee8a9b4640a.jpg

“Nuk kam pishman që është një përcjellje kaq e thjeshtë, por është shumë shpirtërore. Mesazhet janë pafund që kanë dalluar pjesën njerëzore, pjesën e mirë të Rikardit, jo thjesht pjesën e ekranit. Ju falënderoj me shpirt që e thyet këtë vështirësi dhe jeni këtu me ne sot. Është shumë më e bukur, kaq thjeshtë, më njerëzore. Faleminderit të gjithëve”, tha Marjeta.

Ndërkohë, Rita Gjeka tha se: “E ka zgjedh vetë këtë ditë se nuk ka dashur ceremonira. Ka qenë madhështor në modestinë e tij”.

Famullitari i Shkodrës dom Vlash Palaj i dha bekimin ndërsa tha se një emër si Rikard Ljarja është një shembull për gjithë shoqërinë. Drejtorja dhe aktorja e teatrit Migjeni Rita Gjeka luajti në skenë me Rikard Ljarjan në vitin 2009 në dramën Shën Gjon Kryepremi që është edhe ngjitja e fundit e të ndjerit në skenë.

Një prej fqinjëve të vjetër në Shkodër të Rikard Ljarjas ka kujtime të paharrueshme. Një kurorë me lule përmes këshilltarit të tij solli Presidenca ndërsa në këtë ceremoni mortore që përfundoi në Shkodër morën pjesë shumë pak persona për shkak të Covid-19 edhe pse miqtë e të madhit Rikard Ljarja janë të shumte jo vetëm si një aktor që mbetet në panteonin e artit shqiptar por edhe si një person që mbart vlera të mëdha njerëzore.

.

 

The post Amaneti u përmbush, artisti prehet në vendlindje! Mirjeta Ljarja: S’jam pishman për përcjelljen e thjeshtë të Rikardit, është shumë shpirtërore appeared first on 55 News.

]]>
“Më ftove dëshmitar në martesë, sot mungoj në mortin tënd”! Shkrimtari rrëqeth me fjalët për Rikard Ljarjan: Sa pak more, e sa shumë na dhè! https://55news.al/kulture/me-ftove-deshmitar-ne-martese-sot-mungoj-ne-mortin-tend-shkrimtari-rreqeth-me-fjalet-per-rikard-ljarjan-sa-pak-more-e-sa-shume-na-dhe/ Tue, 21 Apr 2020 08:32:19 +0000 https://new.55news.al/?p=157063 Shkrimtari i njohur, Zija Çela, i ka kushtuar disa fjalë prekëse aktorit të ndjerë Rikard Ljarja. Shkrimtari ka kujtuar njohjen e Ljarjan në gjimnaz, bashkëpunimin në film, por edhe faktin se ka qenë dëshmitar në celebrimin e martesës së tij me Marjetën, ndërsa sot e ka të pamundur që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit […]

The post “Më ftove dëshmitar në martesë, sot mungoj në mortin tënd”! Shkrimtari rrëqeth me fjalët për Rikard Ljarjan: Sa pak more, e sa shumë na dhè! appeared first on 55 News.

]]>
Shkrimtari i njohur, Zija Çela, i ka kushtuar disa fjalë prekëse aktorit të ndjerë Rikard Ljarja.

Shkrimtari ka kujtuar njohjen e Ljarjan në gjimnaz, bashkëpunimin në film, por edhe faktin se ka qenë dëshmitar në celebrimin e martesës së tij me Marjetën, ndërsa sot e ka të pamundur që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit për shkak të situatës.

Mesazhi i Çelës:

NE MUNGESE, RIKARD…

Sa pak, sa pak mori Rikard Ljarja dhe sa shume, sa shume na dha. Dhe ne perseri nuk do te mund t’i japim, ndersa Ai do te vazhdoje te na jape permes ekranit.
Pikellimi ka ndricimin e vet dhe ne keto caste ka pikerisht ate te diamantit te zi.
U njohem heret, ne vitet e rinise se gjimnazit, ne Shkodren e vendlindjes sone. Nuk e parashihnim atehere se, nje dite, do te bashkepunonim ne nje film artistik, une si skenarist, ti regjisori dhe aktori protagonist. Eshte filmi ku gjete Marjeten, protagoniste gjithashtu. Prandaj me ftuat deshmitar ne celebrimin zyrtar te kurorezimit si bashkeshorte. E sot, ky deshmitari dhe ky kumbari, sot mungon ne mortin tend. E di Rikard, sic e dije fort mire edhe ti, miku im i ndier, shume plage marrim gjate rruges se jetes, vdekja eshte e fundmit qe na vret. Por qe, njekohesisht, na perball edhe me te ardhmen tjeter.

The post “Më ftove dëshmitar në martesë, sot mungoj në mortin tënd”! Shkrimtari rrëqeth me fjalët për Rikard Ljarjan: Sa pak more, e sa shumë na dhè! appeared first on 55 News.

]]>
Basha: Rikard Ljarja, ikonë e artit që ndriçoi për vite, errësirën e kobshme të regjimit të kaluar https://55news.al/politike/basha-rikard-ljarja-ikone-e-artit-qe-ndricoi-per-vite-erresiren-e-kobshme-te-regjimit-te-kaluar/ Tue, 21 Apr 2020 07:36:13 +0000 https://new.55news.al/?p=157047 Kryetari i opozitës Lulzim Basha i ka shprehur sot ngushëllimet më të thella familjes Ljarja për ndarjen nga jeta të artistit të madh Rikard Ljarja. Në një shënim në Fb, Basha shpreh konsideratat më të larta për këtë personalitet të kinematografisë, i cili, siç e thekson, “me punën e tij ndriçoi për vite me radhë […]

The post Basha: Rikard Ljarja, ikonë e artit që ndriçoi për vite, errësirën e kobshme të regjimit të kaluar appeared first on 55 News.

]]>
Kryetari i opozitës Lulzim Basha i ka shprehur sot ngushëllimet më të thella familjes Ljarja për ndarjen nga jeta të artistit të madh Rikard Ljarja. Në një shënim në Fb, Basha shpreh konsideratat më të larta për këtë personalitet të kinematografisë, i cili, siç e thekson, “me punën e tij ndriçoi për vite me radhë errësirën e kobshme të regjimit të kaluar.”

Basha shkroi në Fb:

Rikard Ljarja ishte dhe do të mbetet artisti i madh që mbushi zemrat e shqiptarëve për dekada me radhë. Ndarja e tij nga jeta është një lajm i trishtuar jo vetëm për brezat që u rritën me personazhet e filmave të tij, por dhe për më të rinjtë që humbën një pasuri kombëtare të artit dhe kinematografisë.

Në këtë ditë të vështirë për familjen Ljarja i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta bashkëshortes së tij znj. Marjeta Ljarja dhe familjes së aktorit tonë të dashur, si dhe kolegëve e miqve të tij në botën e artit.

Rikard Ljarja do të nderohet dhe kujtohet përherë si ikonë e artit shqiptar, si personaliteti që me punën e tij ndriçoi për vite me radhë errësirën e kobshme të regjimit të kaluar. Arti i tij do të na shoqërojë për gjatë në skenën e madhe të jetës, ku Rikard Ljarja spikati me qytetarinë dhe talentin e tij gjenial.”

The post Basha: Rikard Ljarja, ikonë e artit që ndriçoi për vite, errësirën e kobshme të regjimit të kaluar appeared first on 55 News.

]]>
Lamtumira e Rikardit, mesazhe prekëse vijnë nga kolegët e tij https://55news.al/kulture/lamtumira-e-rikardit-mesazhe-prekese-vijne-nga-koleget-e-tij/ Tue, 21 Apr 2020 07:31:19 +0000 https://new.55news.al/?p=157045 Lamtumira e Rikardit, mesazhe prekëse vijnë nga kolegët e tij Pas lajmit se aktori i madh shqiptar, Rikard Ljarja u nda nga jeta, mesazhe prekëse vijnë nga kolegët e tij. Prekës është edhe dedikimi që miku i tij, regjisori Mevlan Shanaj, i bën Ljarjas, i cili thekson se sot dhimbja ka emrin e aktorit. Shanaj […]

The post Lamtumira e Rikardit, mesazhe prekëse vijnë nga kolegët e tij appeared first on 55 News.

]]>
Lamtumira e Rikardit, mesazhe prekëse vijnë nga kolegët e tij

Pas lajmit se aktori i madh shqiptar, Rikard Ljarja u nda nga jeta, mesazhe prekëse vijnë nga kolegët e tij. Prekës është edhe dedikimi që miku i tij, regjisori Mevlan Shanaj, i bën Ljarjas, i cili thekson se sot dhimbja ka emrin e aktorit.

Shanaj thekson se regjisori i njohur do të kthehet në Shkodrën e jetës, qyteti ku ai u lind dhe tashmë do të prehet.

Mevlan Shanaj: “Ej sot iku RiKard Ljarja! Ej shqiptare dhimbja ka nje emer sot neser do quhet Rikard, emocioni ka emrin e tij, buzeqeshja eshte per te, liria ka dashurine ne zemren e tij, ne shoket lotet i kemi te syte e tij te qeshur, zemra e tij eshte ne ju qe e deshet po kthehet ne Shkodren e jetes se tij. Mik na helmove na shkretove fisnikerine. Faleminderit

dashurise tende, ne tashme dime te vdesin te ndershem. dhuraten e ruajtur zemres tende sot e hodhe ne driten e arit per te pushtuar gjithesine? Drite paste emri vepra e shpirtit tend te bukur, me duar te dridhura ju them; Rikardi mbeti Rikard ashtu si e doni. Ju , si e do Shqiperia, Ded! Ku. Je! Kjo pyetje vjen ne cdo familje per mje min heshtje. Le te kumbojne kembanat e zemrave per te. Lamtumire miku im! Qe mbete mik i shtrenjte!”

Natasha Lako: “Shkrimtarja e njohur shqiptare Natasha Lako e cilëson të parakohshme largimin nga jeta të aktorit e regjisorit Rikard Ljarja, një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, aq shumë i dashur nga publiku gati në adhurim”.

Me një mesazh prekës, Lako i jep lamtumirën atij që e quan, ‘fytyra më e dashur e rinisë sime, zemra më e pastër e brezit shqiptar më të papërdhosur’.

“Lamtumirë Rikardi ynë i shtrenjtë! Fytyra më e dashur e rinisë sime, zemra më e pastër e brezit shqiptar më të papërdhosur, shpirt krijues i qytetërimit shqiptar, në vazhdimësinë dhe transformimin e viteve 60 në të gjithë botën, shkodran i mençur me qëndresën më fisnike. Zë kumbues, i njeriut më të zakonshëm. Njeri i filmit, teatrit dhe i penës, i shokëve, i familjes sate të bukur dhe i dashurisë së pafund. Na le para kohe”, shkruan Lako.

Rikard Ljarja u nda nga jeta sot në moshën 77-vjeçare në banesën e tij në Tiranë pas një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh. Ai la pas një jetë me role te ndryshme që u kthyen në personazhet më të dashura të shqiptarëve. Me zërin karakteristik, Rikard Ljarja do të mbetet përgjithmonë në mendjet e atyre që e deshën në skenë.

Rita  Gjeka, drejtoresha e Teatrit Migjeni, në një lidhje telefonike me Report Tv, tha se ishte e pikëlluar nga ky lajm edhe pse e priste pasi e dinte që Rikardi ishte i sëmurë. Ajo tha se Rikardi ishte një njeri i madh dhe nuk e pranoi titullin ‘Ndër i Kombit’, aq i përulur ishte.

“E prita me dhimbje këtë lajm edhe pse ka kohë që unë e di që Rikardi ishte i sëmurë. Më 1 nëntor të 2019 insistova që të vinte në 70 vjetorin e teatrit, por mënyrën se si mu përgjigj më ngeli gozhdë në zemër. Ai kishte dëshirë të vinte por e kishte të pamundur, Ajo ishte hera e fundi që e takova. Ai kishte një nostalgji për Shkodrën dhe thoshte ‘për shpirt nuk iki kurrë nga Shkodran’.  Ai është shpallur “Nderi i Kombit’ dhe nuk e ka pranuar me e marr çmimin, i tillë ishte Rikard Ljarja”, tha Gjeka

Edi Rama: “Lamtumirë mik”, shkruan Ram në një postim në facebook, ndërsa ndan foton e “Dedës”, një prej roleve më të njohur të aktorit të ndjerë, në filmin ‘Rrugë të Bardhë”.

Moikom Zeqo: “RIKARDI-ARTISTI I MADH I FILMIT SHQIPTAR-AI MBETET PERGJITHMONE NE SUBSTANCEN E KUJTESES”

Josif Papagjoni: “U zgjova me lajmin e hidhur. Tmerr. Sa keq. Nje ikone e pazevendesueshme e kinemase iku. Nje njeri i ralle, artist i kompletuar, shkrimtar, mjeshter i penes, fjales, imazhit. Lavdia e artit qofte me ty.

Enver Shengjergji: “I perjetshem do te mbetet ne zemrat dhe mendjen tone kjo embleme e kinematografise shqiptare per gjithcka qe na fali me talentin e tije.Ngushellime familjes miqeve te afermeve kolegeve. Pushofsh ne paqe i madhi Rikard Ljaria!”

Besnik Bisha: “Ky lajm i ores se vone na tronditi te gjitheve. Rikard Ljarja miku im, miku i juaj, miku i te gjitheve, u largua i qete, i heshtur nga kjo bote se ciles i dhuroi shume nga shpirti i tij. Ngushellime familjes, te afermve, miqve dhe shokve te tij!”

Astrit Çerma: “RIKARD LJARJA iku…

A thua?!..

A mund të iki një nga krijuesit më të fuqishëm, e pse mos të themi, më i fuqishmi i historis së filmit shqiptar?!.

Ai ishte një margaritar në gurët themeltar te themelit ku ngrit godina e artit tonë kinematografik..

Ylli i parë i plejadës së yjeve që ndriçuan e ndriçojnë në hapsirën e ekranit..

Nuk mund ta besoj ikjen e tij ndaj nuk mund ta belbëzoj lamtumirën..

Më mbetet vetëm ta përshëndes dhe ta falënderoj me fjalët:

– Të faleminderit o mik që ishe në jetën tonë… “

Rita Filipi: “Në Parajsë është një vend i veçantë për artistët si ty Rikard Ljarja. Të kemi dashur shumë, të harruam shumë, të sulmuam ca kohë (mbase jo ty direkt, por filmat shqiptarë në përgjithësi për ideologjizim e tyre, duke harruar pasionin dhe profesionalizmin e madh e të mundimshëm tëndin e të kolegëve të tu kineastë e aktorë) Tani përsëri do të të kujtojmë shumë, pasi do të na mungosh. Dhe sa herë të shohim në ekran portretin tënd të bukur e të gdhendur, përherë në paqe me vetveten, do të gjejmë kohë të ndalemi më gjatë. Lamtumirë Rikard Ljarja!

Kujtim Gjonaj: “Lajm i trishte. Na u largua nga gjiri yne nje aktor i madh, regjisor i talentuar , poet emocional dhe mbi te gjitha nje njeri fisnik me zemer te madhe, model i rinise shqiptare te cdo kohe. Lamtumire koleg i dashur.Paqe per shpirtin tend te paster!

Luan Rama: “Rikard i dashur! Sapo më njoftuan për ikjen tënde. Lajm i rëndë për të gjithë ne, miqtë e tu të Kinostudios, lajm i cili na pështjell me një trisht te jashtëzakonshëm duke na risjellë gjithë ato vite krijimi kur kinemaja, filmi e aktrimi u kthye në sinonim i jetës tënde. Kështu mbete në sytë e Shqipërisë dhe jo vetëm të saj. Nuk di pse duke menduar për ty menjëherë ndjeva nevojën të dëgjoja një Mozart, një requiem apo himnet më të bukura të muzikës së tij me klavinçelë, violina, violinçelë e piano, një muzikë hyjnore për një mik të shtrenjtë si ti, gjithnjë i qeshur, i thjeshti, i përunjuri, njerëzori dhe mënçuria e artit dhe e kuptimit filozofik të jetës që gjithnjë shihje tek të tjerët veç anën e dritës dhe të së mirës. Dëgjoja Mozart që ti e preferoje nga klasikët e tjerë. E dëgjoja për prehjen dhe ikjen tënde por çuditërisht pikasa se ti nuk shkoje, ti vije, po ai i kaq shumë dekadave, vije që larg që nga rrugët e Shkodrës me pasionin për artin dhe shqetësimin tënd në sheshet e xhirimit, me të gjitha rolet ku u ngjize dhe krijove. Ishin ata role që të sillnin tani, që të kthenin nga ajo rrugë morti, nën tinguj mozartianë, ku ai korr i fuqishëm të ngrinte lart duke mbajtur kështu krijuesin e shquar, dashnorin e kinemasë, sepse ti gjithë jetën tënde artistike zgjoheshe dhe flije me filmin, madje shpesh ishe i pagjumë, sepse shpirti yt kërkonte gjithnjë figurën e përsosur, simbolet domethënëse të jetës, ekzistencës njerëzore, artin e vërtetë.

Rikard i dashur, është arti yt që nuk vdes dhe ky requiem që dëgjoj tani, jam i bindur se e dëgjon edhe ti. Ti do të vish gjithnjë për këndej, miku ynë bujar, artist…”

 

The post Lamtumira e Rikardit, mesazhe prekëse vijnë nga kolegët e tij appeared first on 55 News.

]]>
Rikard Ljarja: Ëndrrat e aktorëve për interpretim janë të përjetshme https://55news.al/kulture/rikard-ljarja-endrrat-e-aktoreve-per-interpretim-jane-te-perjetshme/ Tue, 21 Apr 2020 06:57:51 +0000 https://new.55news.al/?p=157037 Nga Gani Mehmetaj Me Rikard Lajrjen u takuam në Tiranë në vitin 1992. Rikard Ljarja është emër i njohur i kinematografisë shqiptare. Ka interpretuar në dhjetëra filma role nga më të ndryshmet, të cilat e bënë të popullarizuar në ekranin e madh e të vogël. Është edhe regjisor e skenarist i dhjetëra filmave të tjerë, […]

The post Rikard Ljarja: Ëndrrat e aktorëve për interpretim janë të përjetshme appeared first on 55 News.

]]>
Nga Gani Mehmetaj

Me Rikard Lajrjen u takuam në Tiranë në vitin 1992.

Rikard Ljarja është emër i njohur i kinematografisë shqiptare. Ka interpretuar në dhjetëra filma role nga më të ndryshmet, të cilat e bënë të popullarizuar në ekranin e madh e të vogël. Është edhe regjisor e skenarist i dhjetëra filmave të tjerë, që patën jehonë andej e këndej kufirit.

Zoti Ljarja, në film jeni i pranishëm një kohë të gjatë. Cilët ishin hapat e fillimit dhe në çfarë vështirësish hasët?

– Mbasi mbarova shkollën e lartë të aktorëve “A. Moisiu” në Tiranë më 1965, m’u dha rasti të hyj në kinoprova për rolin e Dritan Shkabës në filmin “Komisari i dritës”. Kishte shumë kandidatë. Fitova rastësisht: pasi bëra provë rolin e komisarit, regjisorët kërkuan të bënin një provë me një bashkëstudentin tim po për rolin e komisarit, por në dialog me priftin. Ndrek Luca nuk pranonte të vinte. Atëherë unë u propozova regjisorëve që ta ndihmoja, bashkëstudentin gjatë kinoprovës. Pasi pranuan, unë vesha veladonin e priftit, i mora një grimjori syzet dhe hyra në “lëkurën” e priftit për të ndihmuar sa më mirë kolegun. Kjo bëri që gjatë  vizionimit të kinoprovave unë të evidencohem në dy role diametralisht të kundërta. Kjo rastësi ishte për mua fillimi i karrierës kinematografike, sepse isha emëruar në estradën e Shkodrës, dhe sot do të isha muzikant në orkestër të estradës. Fillimet i kam si muzikant.

Ky rol ishte brenda meje, ishte mosha ime, ishin pasionet e mia (Dritani hap shkolla pa urdhër të kurrkujt, përhap kulturën në popull). Kështu që nga ana psiko-fizike nuk kisha ndonjë vështirësi të madhe. Kurse nga ana teknike, vështirësitë në fillim ishin të mëdha. Sepse, interpretimi në film teknikisht është një zhanër i veçantë. Hap pas hapi, gjatë xhirimeve mësova shumë gjëra, pak me intuitë, pak me praktikë, pak me ndihmën e kolegëve e shumë me ndihmën e regjisorëve. Edhe ata për herë të parë xhironin si regjisorë. Shkollën e kishin mbaruar për kameramanë. Gjatë punës mësuam të gjithë nga njëri-tjetri. Suksesi i rolit të parë ishte befasues për mua. Nuk më shkonte ndër mend se të nesërmen e premierës emri im do të lakohej që nga shtypi e deri në çdo familje në të gjitha rasat.

Ky sukses dhe publikimi i emrit e i figurës sime bënë që të kaloj nga filmi në film për një kohë të gjatë në role heronjsh. Atëherë bëheshin një, dy deri në tre filma në vit. Ndërkohë punoja edhe në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Edhe aty bëja role të dorës së parë. E përmend teatrin “Migjeni” me një kolektiv të shkëlqyer, se më ushqeu me traditat më të mira të teatrit shqiptar, të trashëguara brez pas brezi, që nga amatorizmi (me vjen keq të përdorë këtë term). Ata që e lëvruan teatrin në Shkodër kanë qenë gjithmonë profesionistë në kuptimin shpirtëror e intelektual që në shekullin e kaluar. Pra, aktorë, si: Ndrek Prela, Paulin Laca, Tinka Kurti, Lec Bushati, Zef Jubani (që nuk e arrita në skenë), Antonjeta Fishta, Bep Shiroka, Jonuz Dini, Violeta Sekuj. Regjisorë, si: Lec Shllaku, Andrea Skanjeti (që nuk arrita të punoj me ta), por që kishin lënë gjurmë në krijimin e fizionomisë së teatrit “Migjeni” dhe gjithë këtyre personaliteteve të teatrit shqiptar), Serafin Fanko, Jonuz Dini. Me ata punova në shumë premiera, më ndihmuan të krijoj fizionominë time si aktor. Për fatin e keq, publiku i gjerë shumë aktorë i njeh vetëm si aktorë të kinemasë, për arsyen e thjeshtë se kinemaja ka masivitet e të bën publicitet. Kurse teatri i gjallë, i mbyllur brenda një salle, nuk të krijon mundësinë të interpretosh njëkohësisht në njëqind salla, siç e ka privilegjin kinemaja.

Në tre filmat e parë punuat me Dh. Anagnostin e V. Gjikën. Cili është raporti juaj me ta. Sa ka pavarësi aktori sidomos në fillim të karrierës? -Të tre e filluam karrierën kinematografike në kushte afërsisht të barabarta: si fillestarë. Ata për herë të parë si regjisorë, unë për herë të parë aktor. Ata kishin privilegjin se kishin bërë një shkollë serioze si operator. Po edhe ne kishim shkollë të fortë si aktorë. Leksionet e para i dha pedagogia Nina Çefranova dhe gjithë pedagogët e tjerë ishin formuar në shkolla çeke, hungareze, ruse etj. Edhe sot e kësaj dite dega e aktorëve është ndër më seriozet në Akademinë e Arteve të Bukura. Megjithatë, do të ishte maskarallëku më i madh të pohoj se unë u bëra aktor vetë. Mos të ishte Dh. Anagnosti dhe V. Gjika unë nuk do të isha aktor i kinemasë dhe as regjisor. Filmat e parë kanë qenë vërtet një shkollë e madhe për mua. Pra, mësuesit kanë qenë Anagnosti i prerë dhe racional dhe Gjika plot vrull e temperament. Për sa i përket pavarësisë në interpretim, edhe sot e kësaj dite jam skllav i regjisorit. I besoj atij, sepse ai e di temporitmin e filmit, ai e di si do të montohet, ai i di të gjitha. Dhe unë përpiqem “me instrumentin tim Rikard” t’i bie sipas simfonisë baketit të tij. Ai është dirigjenti im, ku ka kreshendo e di ai kë ka diminuendo prapë e di ai.

Në rolet tuaja hetohet mënyra epike e interpretimit. U flinin rolet e tilla apo ishte zgjedhja e regjisorit?

 -Sa vështirë të përgjigjesh. Unë them se nuk e kam luajtur ende rolin tim të vërtetë. Kështu thonë të gjithë aktorët. Kjo në fakt është për të qeshur. Aktorët kudo në botë janë një racë e veçantë. Për mua hyjmë në injorantët e intelektualëve. Të gjithë mendojmë për vete se jemi gjeni. A ka gjeni? Sigurisht që ka. Si në të gjitha fushat e jetës. A mund të mos jetë eksepsion Oliveri, Kuini, Mastrojani, Sofia Loreni, Brando, Zherar Filipi, Zhan Gabeni e ku e di unë sa e sa të tjerë. Pse i paktë është për ne shqiptarët Bekimi? E ku e lamë… ah, po, e lamë te mënyra epike e interpretimit. Në ato kohë, ato role m’u afruan, ajo frymë ishte, unë ashtu interpretova. Nuk e di, po të ketë role të tjera, regjisorë të tjerë ndoshta edhe unë do të shkoj sipas baketit të dirigjentit të ri…

Çka ju provokoi të merreni me regji filmi?

-Nga natyra jam kurioz. Dua të mësoj gjithçka. Sigurisht brenda mundësive dhe rrethanave. Duke punuar si aktor, që ditën e parë iu vura punës për të mësuar teknikat e kinematografisë pa ndonjë qëllim final, thjesht për të ditur, pas disa vitesh duke interpretuar role të dobëta, në filma të dobët me mungesë dramaturgjie, me mungesë logjike karakteresh dhe ndonjëherë edhe me regjisorë alogjikë, më hipi një inat. Po ky inat për të bërë vetë film, nuk ishte i thjeshtë për t’u realizuar. Rrethanat e sollën që Shqipërisë së asaj kohe, duke përforcuar vetizolimin, i duheshin më tepër filma. Dhe, diku atje lart, te partia-shtet, u vendos që të bëheshin 14 filma në vit. Pra një film në muaj teprojnë dy. Kjo qe një kafshatë e përbindshme për një shtet të kalbur ekonomikisht. Po si të gjitha çmenduritë, edhe kjo. I kishin rënë lapsit. Filmi nuk i kushtonte asgjë. Kostoja e filmit ishte: Pelikola (që blihej me presh klering – në Gjermaninë Lindore), ushqimi i grupit dhe beznina. Kjo ishte kryesisht kostoja e filmit. Ne merrnim një rrogë fikse, gjysmën e përdornim për të mbajtur frymën me bukë, sepse dietat për ushqim ishin qesharake… Çmenduritë komuniste në Shqipëri ishin çmenduri të vërteta. Na vunë edhe normë, një film në 18 muaj… Nejse, histori që ndoshta do t’i bisedojmë herë tjetër. Pra, meqë Shqipëria në vitet ’70 u mbyll plotësisht nga “bota revizioniste-kapitaliste në kalbëzim (sa për të qeshur, aq edhe për të qarë!), duheshin edhe regjisorë për të bërë këta 14 filma. Dhe kështu u thirra edhe unë. Për fatin tim, kisha një lloj parapërgatitjeje, kështu që nuk u ndodha bosh. Për sa i përket ndodhjes mbrapa kamerës veproj ashtu siç thashë kur shpjegova marrëdhëniet që kam si aktor me regjisorin. Kur jam aktor, i di regjisori kur jam regjisor, di unë të gjitha. Edhe kjo ka relativitetin e vet brendapërbrenda. Nuk është ndonjë shpikje e madhe. Në përgjithësi, kështu veprojnë të gjithë.

Në filmografinë tuaj ka pauza (1979-83, po edhe më vonë). Cilat ishin arsyet?

-Vërtet ka pauza, sidomos mbas viteve ’80. Arsyet janë disa. E para, u rrit një brez aktorësh dhe regjisorësh shumë të mirë, që punuan fort dhe patën rezultate. Në të 14 filmat nuk kisha si të isha vetëm unë. Kjo njëra arsye. E dyta, ishte politike. Tërë jetën më ka ndjekur nga mbrapa, si shumicën e shqiptarëve, ajo që quhej biografi. Në fisin tim nuk kishte asnjë komunist. Përkundrazi, kishte vetëm kundërshtarë. Nuk është vendi këtu të përmend listën e gjatë të njerëzve të mi që përfunduan burgjeve dhe të atyre që luftuan komunizmin nga mërgimi deri në frymën e fundit. Në vitet ’80 pati një shtrëngim të ri të luftës së klasave. Një ditë më urdhëruan të bëj dy filma njërin mbas tjetrit nga “veprat” e Enverit. Njëri për Qemal Stafën, tjetri për Vasil Shanton. Mbas ca ditësh më thirrën zyrtarisht dhe më thanë: Nuk je i denjë politikisht për të bërë këto vepra. Edhe hall, edhe kënaqësi! Hall se nuk dihej ç’do të bëhej me mua dhe familjen time. Dokumentet e mia qarkullonin nga kinostudioja në ministri, nga ministria në Shkodër. Komiteti i partisë në Shkodër nuk më pranoi “Nuk kemi punë për të”. Kurse kënaqësia ishte thellë, se nuk do të detyrohesha të gënjeja popullin sipas “veprave të Enverit”. Ishte edhe një arsye e pathënë zyrtarisht që po më rrotullohej nëpër këmbë dhe gati po më rrëzonte përfundimisht. Në vitin 1980 bëra filmin “Skëterrë 43”, me temë nga një kamp përqendrimi italian në Shqipëri gjatë viteve të pushtimit. Shpenzova gjithë energjitë për të dhënë maksimumin kundër diktatorëve, kundër demiurgëve. Në një bisedë gjatë një dreke në një rreth të ngushtë, R. Alia tha: Shumë mirë që Rikardi zgjodhi atë vend për xhirim, se nuk bezdisi njeri (u xhirua i tërë në një plazh të shkretë, larg njerëzve), pse ne nuk na duhen filma të tillë. Kjo nuk ishte zyrtare, por në shënjestër isha vënë. Aq më tepër që autor i skenarit ishte B. Shehu. Pra, pauzat janë në vitet ’80. Në këto vite kam bërë filma me urdhër për të plotësuar normën. Se si janë bërë ata filma në atë gjendje terrori psikik vetëm unë e di. Ishte njësoj si të bien me muaj (vare) kokës e të të thonë pse të merren mendtë).

 Jeni familje artistësh. Cila është përparësia, po edhe vështirësitë kur burri dhe gruaja merren me të njëjtin profesion, sidomos kur luani në të njëjtin film?

-Jemi përpjekur që të mos jemi asnjëherë bashkë në një film. (Përveç filmit që na bashkoi), sepse shtëpia ka njëqind halle. Janë fëmijët që duhen ushqyer, rritur, edukuar. Por, ka pasur edhe raste (nuk kanë qenë pak), që fëmijët janë zhgërryer shesheve të xhirimit, hoteleve pa minimalen e mundësisë për të jetuar. Por, energjia e pashtershme e Marjetës për të përballuar jetën ashtu si të vijë na ka nxjerrë në krye.

Cilin nga rolet e keni dëshiruar, por nuk keni pasur mundësi ta interpretoni dhe regjinë e cilit film do ta bënit po t’u jepej rasti?

-Ëndrrat e aktorëve për të luajtur role janë të përjetshme. Le të mbeten ëndrra. Tash të flasim konkretisht. Jam ulur (jemi ulur të gjithë) dhe diç po bëj. Besoj se pas dy javësh e kam skenarin gati. Është për Shqipërinë, për shqiptarët, për ne të gjithë. Për racën tonë, për sojin tonë me të mirat dhe të këqijat (se mos harroni të keqen e kemi edhe brenda vetes, është tjetër punë se s’na pëlqen ta themi). Mos harroni se komunistë, kriminelë, spiunë, xhelatë këta 50 vjet nuk ishin as gjermanët, as italianët e as ata nga Zimbabveja. Të keqen e kishim brenda vetes. Ajo sigurisht u injorua nga jashtë, por gjeti terren e u zhvillua si stafilokoku në lëng mishi. Pra, një katarsis kombëtar (vetëm për atë pjesë që ka nevojë për katarsis). Nuk i fus të gjithë në një kallëp. Nuk jemi të gjithë viktima. Ka një shkallë që secili brenda vetes e di. Unë p.sh. nuk mund të krahasohem me një që i janë pushkatuar pa gjyqe diku në një skutë gjithë familja dhe tërë jetën e ka kaluar burgjeve ose intervenimeve. Apo bashkëfajtor. E pse duhet të jetë bashkëfajtor p.sh. i biri i kësaj familjeje që u shfaros?! Pra, një katarsis na duhet sido që të jetë puna. Unë po përpiqem  të bëj një koncentrat, një esencë të gjithë asaj që ka ndodhur dhe që ka lënë nga prapa. Nuk do të jetë historia e filanit apo e filanes. Do të jetë historia jonë në këta 50 vjet. Më duket se e kam gjetur… Edhe sorrës i duket zogu i vet më i bukur.

Cilat janë pasojat e censurës në film dhe në art përgjithësisht?

-E para, ka qenë e ashtuquajtura metodë e realizmit socialist. Futja nën një uniformë e të gjithë artistëve dhe vënia e tyre në rresht. E për rrjedhojë, zhdukja e personalitetit, e individualitetit. Kush ishte pak më “i gjatë” e nuk e “zinte” uniforma, detyrohej të shkurtonte këmbët e jo të zgjaste pantallonat. Kush nuk i shkurtonte vetë, atëherë këmbët ia këpusnin pa dhimbje. Ndoshta që i këpusnin edhe kokën. Dhe e gjithë kjo për hir të metodës së “realizmit socialist”. Janë këputur qindra këmbë e kokë. Këmbët t’i këputnin me ndihmën e kolegëve, e kokat shpesh me urdhër nga lart. Ka pasur edhe artistë që pranuan të jenë derra të kënaqur e jo Sokrat i vuajtur. Këta ishin të vetëdijshëm që me veprat e tyre rrenin, shtrembëronin historinë, faktet, u ngrehnin aureole kriminelëve, e u vinin brirë e bisht engjëjve, por aq u bënte. Mjaftonte të kishin ca ledhatime, ca të mira materiale, ca udhëtime jashtë shtetit. Disa prej këtyre derrave sot e kanë ndërruar kostumin e kuq, me një blu dhe me paturpësinë më të madhe bërtasin për “vuajtjet” e “persekutimet” e tyre.

1992

93851431_829053304248541_7179572249454706688_n.jpg

The post Rikard Ljarja: Ëndrrat e aktorëve për interpretim janë të përjetshme appeared first on 55 News.

]]>
Meta: Rikard Ljarja, përfaqësuesi tipik i një brezi idealistësh, që aq shumë e deshën Shqipërinë https://55news.al/kulture/meta-rikard-ljarja-perfaqesuesi-tipik-i-nje-brezi-idealistesh-qe-aq-shume-e-deshen-shqiperine/ Tue, 21 Apr 2020 06:51:33 +0000 https://new.55news.al/?p=157033 Presidenti Ilir Meta ka shprehur hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të personalitetit të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarjës. Në një mesazh në Fb, Meta shpreh vlerësimin më të lartë për njeriun e madh të skenës: “I hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, skenaristit e regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja. […]

The post Meta: Rikard Ljarja, përfaqësuesi tipik i një brezi idealistësh, që aq shumë e deshën Shqipërinë appeared first on 55 News.

]]>
Presidenti Ilir Meta ka shprehur hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të personalitetit të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarjës.

Në një mesazh në Fb, Meta shpreh vlerësimin më të lartë për njeriun e madh të skenës: “I hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, skenaristit e regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja. Pa fjalë nga dhimbja për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e Tij, për teatrin dhe kinematografinë shqipare, por për të gjithë brezat që u rritën dhe duartrokitën talentin e veçantë dhe personazhet e paharruara të luajtura mjeshtërisht prej Tij.

Si një përfaqësues tipik i një brezi idealistësh me shpirt krijues, të cilët aq shumë e deshën artin dhe Shqipërinë, ky largim në amëshim i Rikardit të madh na ka pikëlluar të gjithëve!

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ljarja, Marjetën e dashur, fëmijët, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët, dhe të gjithë artdashësit shqiptarë.

Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar si vetë trashëgimia e çmuar që la pas me talentin, pasionin dhe krijimtarinë e shkëlqyer!”

The post Meta: Rikard Ljarja, përfaqësuesi tipik i një brezi idealistësh, që aq shumë e deshën Shqipërinë appeared first on 55 News.

]]>