Ad imageAd image

Spaho: S’ka kuptim të marrim pjesë në zgjedhjet vendore

2 min lexim

Opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor nëse nuk largohet kryeministri Edi Rama. Ende nuk ka një vendim politik për bojkotin e procesit të 30 qershorit, por nënkryetari Edmond Spaho, thotë se nuk do të hyjnë në zgjedhje pa u plotësuar kushtet e tyre. Largimi i Ramës është kusht dhe për negociata me mazhorancën për tejkalimin e krizës.

Duket se kriza politike e krijuar me djegien e mandateve është vetëm në fillimin e saj, pasi opsioni i dytë i opozitës është bojkoti i zgjedhjeve vendore.

Në një intervistë për RTV ORA, nënkryetari demokrat Edmond Spaho, thotë se ende nuk ka një vendim, por sipas tij nuk mund të ketë zgjedhje me Ramën kryeministër.

- reklamë -
Ad imageAd image

Spaho: Nuk ka kuptim të marrësh pjesë në zgjedhjet vendore, sa kohë ne betejën po e bëjmë për zgjedhjet e përgjithshme.

Spaho thotë se protestat për largimin e Ramës, do të vijojnë. Ndërsa i pyetur nëqoftëse opozita pranon si negociator me mazhorancën presidentin Ilir Meta, ai dha këtë përgjigje:

Spaho: Ne kemi qenë shumë të qartë në këtë pikë. Nuk hyjmë në negociata pa u tërhequr Edi Rama. Pasi të largohet Edi Rama, sigurisht dikush do të jetë ndërmjetës, Presidenti, ndërkombëtarët, kushdo që të jetë është i mirëpritur për të biseduar për një qeveri tranzitore.

Nënkryetari demokrat thotë se e mirëkupton kundërshtinë e ndërkombëtarëve për djegien e mandateve, por ai thotë se shumë shpejt do ta kuptojnë se nuk kishte rrugë tjetër për të mbrojtur demokracinë.

Spaho: Asnjëherë nuk ka për të pasur stabilitet nëse nuk do të ngrejnë demokraci të vërtetë. Edhe qëllimi i opozitës është ky që ta lëvizi vendin nga kjo “demokracia” e stabilitetit në një demokraci të qytetarëve.

Sinjali i parë për bojkotin e zgjedhjeve lokale u dha një ditë më parë kur PD dhe LSI nuk dorëzuan emrat e komisionarëve qe do te përgatisin procesin zgjedhor te 30 qershorit.

Ndani këtë artikull