Ad imageAd image

Deklarata e Sorecës/ ‘Zëri i Amerikës’: Sërish Fusha është firma e favorizuar

4 min lexim

Në Shqipëri ambasadori i Delegacionit europian në Tiranë Luigi Soreca tha sot se i takon autoriteteve shqiptare të vendosin nëse duhet apo jo një teatër i ri, por se për Bashkimin Europian është shumë e rëndësishme që të ketë një garë të hapur dhe me kritere transparente, për zhvillimin e projektit.

Ndërsa çështja e Teatrt Kombëtar u rikthye në qendër të vëmendjes javën e shkuar, ku pati përplasje mes forcave të rendit dhe artistëve e qytetarëve që kundërshtojnë prishjen e godinës aktuale, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë, Luigi Soreca evitoi sot të përfshihet në këtë debat, duke shpjeguar se ndërtimi i një Teatri të ri apo rinovimi i atij aktual është një problem për të cilin duhet të vendosin autoritetet.

Ai kujtoi faktin se shtatorin e kaluar Brukseli i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që procesi për zhvillimin e projektit për një Teatër të ri të ishte në në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit publik të BE dhe të sigurohej që të kishte qasje jo diskriminuese në treg.

- reklamë -
Ad imageAd image

“Këto principe duhet të udhëhqein institucionet shqiptare dhe me sa kemi kuptuar është hapur tenderi për të çuar përpara projektin e Teatrit Kombëtar”, deklaroi ambasadori Soreca.

Në fakt, vitin e kaluar qeveria kaloi një ligj të posaçëm i cili i njihte të drejtën kompanisë private FUSHA që të ndërtonte me fondet e saj një godinë të re Teatri, sipas projektit të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingel. Në këmbim, kompanisë, i lejohej ndërtimi i disa pallateteve shumëkatëshe në zonën rreth e qark në zemër të Tiranës.

Ishte pikërisht ndërhyrja e Brukselit që detyroi shumicën që të ndërhynte në ligjin e kthyer pas nga Presidenti Ilir Meta dhe të përfshinte konceptin e garës. Qeveria për disa muaj e mbajti në sirtar zbatimin e ligjit dhe vetëm në prill nxorri vendimin për hapjen e garës nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Është e rëndësishme që të përcaktohen kritere të qarta dhe transparente për përzgjedhjen e ndërtuesit dhe po ashtru që të garantohet një garë e drejtë dhe e ndershme nga ana e institucioneve shqiptare”, theksoi zoti Soreca.

Kompanitë e interesuara, sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, kanë afat që të paraqesin propozimet e tyre deri më datë 19 shtator, por sërish kompania FUSHA, duket se është e favorizuar në këtë garë. Ajo ka në dorë projektin e parapëlqyer të Qeverisë si dhe marrëveshjet me pronarët e tjerë që kanë sipërfaqë në këtë zonë, ndërkohë që konkurrentët e mundshëm, do të duhet të nisin gjithshka nga e para e të plotësojnë shumë nga kriteret që përmban projekti tanimë i bërë publik dhe që është në dorën e kompanisë FUSHA apo dhe të bindin pronarët e sipërfaqeve private, të cilët kanë mbyllur me kohë marrëveshjet po me kompaninë FUSHA.

Në ndërkohë, vijon debate politik, mes opozitës e cila flet për një aferë korruptive nga ana e qeverisë, dhe kësaj të fundit e Bashkisë, të cilat janë të vendosura për t’i shkuar deri në fund realizimit të projektit. /Zëri i Amerikës

Ndani këtë artikull