Ad imageAd image

Gazetarja, Ramës: Po pataksen fëmijë e të moshuar me makabritetin e komunikimit

3 min lexim

Nga Sonila Meço

Të mbyllur në vetizolim, me fëmijë e familjarë rrekemi të ruajmë me disiplinë, rregull, durim e një lloj tolerance balancat e jetës së re. Mes tyre edhe mënyrën si informohemi.

Në një orë dite, kur presim buletinin ditor të të dhënave, jemi të gjithë në dhomën e ndenjies, duke dëgjuar.  Sy e veshë mbërthyer tek mjeku, autoriteti publik, studiuesi, specialisti, psikologu. Secili prej tyre ka aftësinë të shpjegojë pandeminë, shkaqe, pasoja, masa parandaluese, algoritme për të arritur në shifra përmbledhëse.

- reklamë -
Ad imageAd image
 
 

Ti pret të dëgjosh se je prioriteti absolut i punës së tyre, shëndeti yt është motivi i sakrificës së njerëzve, që paguhen edhe me taksat e tua, se siguria jote është e para dhe se shteti yt të llogarit si jetë e jo si numër.

 

Krejt pa pritur, në një shkartisje lodhjeje, ankthi, pritshmërie, emocionesh kontradiktore, shprese e dorëzimi njëkohshëm, të vjen e gjithë përmbledhja shpjeguese shëndetësore-psikologjike-ekonomiko-sociale nga një zë i vetëm. Që nuk është as studiues, as mjek, as psikolog, as financier e as punonjës social. E për këtë arsye pataksen fëmijë e të dobët, të moshuar e të ndjeshëm me detajimet figurative mbi karvanet e ushtrisë ngarkuar me kufoma, që nuk gjejnë vend për të na varrosur, si në një horror mesnate.

Po, le të na e shpjegojnë rrezikun edhe vdekjen, po edhe makabritetin si nevojë për t’u ndërgjegjësuar, por ata që kanë një jetë që pregatiten, studiojnë e punojnë se si të përballojnë një pandemi, edhe kur ajo cilësohet luftë.

Kjo do të na kursente makrabitetin në zërin e profanëve dhe do të na mundësonte ndërgjegjësimin prej profesionistësh. E mbi të gjitha nuk do të bëhej prelud i çdo komunikimi zyrtar mallkimi i zërave kritikë, komentuesve të ngeshëm në rrjete, gojëve septike, sepse askush nuk jeton e lufton pandeminë me to.

Ju lutem ktheni profesionistët në komunikime publike, ata njohin armikun, pandeminë, luftën e mu për këtë nuk kanë kohë të qëndrojnë në rrjete sociale për t’ju përgjigjur çdo komenti a duke mallkuar gojët e liga.

Nuk numërojnë kufomat, por luftojnë për jetën, nuk kanë kohë të justifikohen, por të shpëtojnë njerëz, nuk mallkojnë, por i bëjnë dua shëndetit të gjithsecilit, nuk mllefojnë, por kërkojnë zgjidhje.

Jeta jonë tashmë konsumohet në një dhomë ndenjeje, për shumicën e në front për një pakicë heronjsh. Mjekë, punonjës sanitarë, policë, shitës marketesh, farmacistë, ushtarë, gazetarë…zgjidh cili je dhe qëndroi rolit tënd në këto kohë! Çdo zëvendësim rolesh me alibi, justifikime e mallkime është baraz me daljen publike i infektuar për të bërë gjëmën!

Ndani këtë artikull