Të vetmet grumbullime që vijojnë punën me protokollin e hartuar në muajin gusht, pa asnjë masë shtesë, që prej nisjes së valës së dytë janë shkollat.
Ndonëse asnjë nga komiteti i ekspertëve nuk pranon t’i fusë në grupin e vendeve me rrezik infektimi, shifrat thonë të kundërtën. Ecuria e javës që shkoi dhe kjo fillimjavë treguan që mes dhjetëra të infektuarve në qytete, jo pak prej tyre janë arsimtarë.
Nga 52 rastet e konfirmuara një ditë më parë në Korçë, dhjetë prej tyre janë mësues duke e çuar numrin total vetëm në këtë qytet mbi 80, shkruan Panorama.
Një ditë më parë, në Elbasan me 37 raste të reja, figuruan pesë mësues. Pogradeci, nga 29 numëron dy mësues. Arsimtarë të infektuar ka pasur edhe në shkollat e Kolonjës, sikundër edhe në shumë qytete të tjera, numri i të cilëve tentohet të mbahet sekret.
Shkollat e arsimit parauniversitar vijojnë të prodhojnë infektime në radhët e mësuesve, por edhe të nxënësve. Përpos shifrave, nuk ka asnjë konsideratë për kryerjen e shkollave apo implementimin e skenarit të tretë që parashikon mësim nga shtëpia. Ministria e Arsimit ka nisur një aksion për të pajisur me tableta dixhitalë nxënësit e klasave kolektive.