Nga Prof. Dr. Tritan Kalo.
Nuk është shumë e largët “dita e lirisë”, pra dita kur pandemia e SARS-CoV-2/ Covid-19, të endemicizohet dhe të shndërrohet në një infeksion bashkëshoqërues të rastësishëm të jetës sonë, sikundër janë edhe viruset e tjerë që përhapen kryesisht nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Një i tillë është virusi i “gripit spanjoll” që bashkëjeton me ne që prej vitit të largët 1918 e shumë të ngjashëm me të.
Nuk është një ëndërr e bukur, një dëshirë e një mantelbardhi për të lehtësuar sadopak vuajtjet e mendjeve dhe të shpirtrave të tollovitura nga përplasja me dallgët e kësaj flame mbarëbotërore, të një populli që jo pak tallaze ka në jetën e tij të përditshme për t’u mbijetuar dallgëve të 31 viteve të "demon-kracisë" dhe për të siguruar vijimësinë e jetës përmes këtyre tallazeve, por një realitet që po përvijohet në horizont.
Imunizimi -rezistenca e popullatës e përftuar përmes kalimit të infeksionit nga SARS-CoV-2/ Covid-19 si dhe të vaksinimit ndaj tij po zgjerohet dita-ditës, por po ashtu edhe agresiviteti i vet këtij virusi po vijon të pakësohet.
Ndaj, miq, dashamirës, të afërm dhe bashkëkombës, ju lutem të vijoni të ndiqni vetëm këshillat e profesionistëve dhe jo të gjithollogëve.
Mbeten ende plot vlerë, vetëndërgjegjësimi ynë, respektimi i trinomit M-H-D (Maskë - Higjienë personale dhe kolektive - Distancim fizik ku dhe kur është i mundshëm) si dhe vijimësia pa asnjë nënvlerësim i vaksinimit, që mundet të mos parandalojë si dhe sa ne dëshirojmë përhapjen e këtij virusi, por ai ul shumë – shumë, rrezikun e kalimit të formave të rënda ose humbjen e jetëve nga virusi jetëlëndues dhe jetëmarrës i SARS - CoV-2/ Covid-19.
Drita jeshile në fund të tunelit të kësaj pandemie sa vjen dhe po afrohet…
Ndërkohë ne jemi aty në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUNT-së (Covid 1 dhe 3), që me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin tonë, t’ju ndihmojmë në përballjen me infektimin nga virusi i SARS - CoV-2/ Covid-19…
“Together forever!!!”