Ad imageAd image

SPAK nis hetimin për shembjen e teatrit, por pa ‘autor’

3 min lexim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka nisur hetimin lidhur me kallëzimin e kryer nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, AMT ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku.

Drejtuesi i SPAK, prokurori Arben Kraja, i tha BIRN se ka një procedim penal të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të artistëve, por se nuk ka emër të regjistruar.
“Çështja është në hetim”, pohoi Kraja.

Më 6 maj, AMT kallëzoi pranë SPAK, Veliajn dhe Maznikun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarëve që kryejnë funksione publike”.

- reklamë -
Ad imageAd image

“Ne gjatë kësaj kohe kemi bërë gjithë analizën ligjore financiare qoftë të ligjit special, qoftë të VKM-së 352 që ka dalë në zbatim të ligjit special. Neni 3 i ligjit special e qartëson specifikisht që ndërtimi i teatrit të ri kombëtar do të bëhet me partneritet publik-privat. Pra në këtë pikë nuk ka më mundësi që ky ndërtim të bëhet vetëm nga pala e shtetit”, tha atëherë për mediet aktivistja Adriana Kalaja, e cila shtoi se ishin edhe kundër ligjit special dhe VKM-së të nxjerrë për mundësimin e zbatimit të tij.

Një dokument që mban firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, i rrjedhur në media, sugjeron se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë një vendim të enjten më 14 maj, për shembjen e Teatrit Kombëtar. Sipas dokumentit, vendimi është marrë në bazë të një “akt-ekspertize të Institutit të Ndërtimit, e cila mban datën 13 Maj 2020. Vendimi i këshillit bashkiak i marrë të enjten duhet fillimisht të publikohet dhe hyn në fuqi dhjetë ditë pas publikimit.

Beteja për Teatrin Kombëtar filloi në Shkurt 2018, kur qeveria e kryeministrit Edi Rama nisi planet për një kontratë koncesionare kontroverse, e cila dështoi dy vjet më vonë pas rezistencës së aktivistëve, të cilët e denoncuan atë njëkohësisht si një shembull tipik i klientelizmit politik dhe si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe memories historike të vendit.

Kundër shembjes së Teatrit Kombëtar reagoi së fundmi edhe Bashkimi Europian, përmes Komisioneres Mariya Gabriel, e cila mbulon mes të tjerash çështjet e kulturës. BE këshillon kundër shembjes, duke e quajtur atë “hap të pakthyeshëm”. /Birn/

Ndani këtë artikull