Ad imageAd image

Taksa e ndikimit në infrastrukturë, përllogaritja e re për 2019!

3 min lexim

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet në ligjin për taksat vendore, pjesë e paketës së re fiskale. Në listën e ndryshimeve janë edhe taksa e përllogaritjes së ndikimit në infrastrukturë, sëbashku me kategorizimet dhe përllogaritjen e re.

Për ndërtimet e destinuara për qëllime banimi apo për njësi tregtimi dhe shërbimi, të cilat kryhen nga shoqëri ndërtimi, shkalla e taksës së ndikimit në infrastrukturë është në masën 4 (katër) për qind deri në 8 (tetë) për qind të çmimit të shitjes për metër katror. Referuar ndryshimeve të miratuar nga Këshilli i Ministrave, në këtë kategori investimesh përfshihen edhe ndërtimet zëvendësuese për qëllime banimi, të kushtëzuara për t’u ndërtuar si shkak i zbatimit të një kontrate koncesionare, e cila prek banesat ekzistuese. Gjithashtu, në këtë kategori përfshihen edhe ndërtimet e destinuara për qendra tregtare apo të biznesit.

Baza e taksës është vlera në lekë për metër katror e çmimit të shitjes së ndërtimeve për qëllime banimi apo të njësive të tregtimit dhe shërbimit. Çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerën referuese të vlerës së tregut, sipas përcaktimeve të nxjerra me akt të Këshillit të Ministrave

- reklamë -
Ad imageAd image

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu se për ndërtimet që destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, të industrisë, të bujqësisë, të ndërtimeve individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, të ndërtuara nga vetë individi apo me sipërmarrës, si dhe të ndërtimeve për qëllime publike, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 1 (një) deri në 3 (tre) për qind e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 (dy) deri në 4 (katër) për qind e saj.

Për projekte të infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, të aeroporteve, të tuneleve, të digave, të ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshirë makineritë dhe pajisjet për këto projekte, taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja është 0.1 (zero pikë një) për qind e vlerës së investimit, por jo më pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kur kjo kosto nuk është përfshirë në preventivin e investimit.

Ndërsa për ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0.5 (zero pikë pesë) për qind e vlerës së investimit.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu se “leja e legalizimit lëshohet vetëm pasi të jetë vërtetuar pagesa e taksës nga taksapaguesi”.

Ndani këtë artikull