Ad imageAd image

Vettingut/ Gjyqtarja e Tiranës në sitë, si 8-fishoi pasurinë

4 min lexim

Kurba e ndryshimit të pasurisë së gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Alma Brati, e cila do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si kandidate për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kandidimi për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor e ka vendosur gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Alma Brati në listën prioritare të vetingut.

Përballja e saj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit është planifikuar të bëhet të mërkurën, me trupë gjyqësore Pamela Qirkon, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo.

- reklamë -
Ad imageAd image
 

Alma Brati është emëruar gjyqtare në vitin 2007. Më parë, ajo ka punuar si juriste në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës dhe inspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Alma Brati nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Alma Brati për vitet 2007-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.

Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Alma Brati zotëronte 25 për qind të një shtëpie dykatëshe, të blerë për 1.9 milionë lekë në Durrës. Në fund të vitit 2017, pasuria e gjyqtares kap vlerën e 16.5 milionë lekëve, duke shënuar rritje prej mbi 8 herë krahasuar me vitin fillestar.

Pasuria e zonjës Brati është shtuar me një apartament banimi me sipërfaqe 101 metra katrorë në Tiranë me vlerë 80 mijë euro, një automjet i tipit “Mazda” me vlerë rreth 2.5 milionë lekë si dhe kursime në cash në vlerën e 1.1 milionë lekëve.

Duke iu referuar deklaratave të saj periodike, apartamenti është blerë me një kredi bankare prej 7 milionë lekësh dhe 25 mijë euro hua nga të afërmit. Përmes një kontrate leasing është blerë gjithashtu edhe automjeti.

Të ardhurat e gjyqtares Brati përbëhen në 70 për qind nga paga e saj dhe 30 për qind nga burime të tjera. Të ardhurat kapin vlerën e 18.1 milionë lekëve në total për periudhën deklaruese.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 11 vite deklarimi të zonjës Brati, të cilat rezultuan pa probleme.

Analiza ka identifikuar megjithatë si “flamur të kuq” kontratën e huasë prej 25 mijë eurosh që gjyqtarja i ka marrë tezes për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2015. Kjo kontratë ka pasur si kusht likuidimi një afat 30 ditor pas shitjes së shtëpisë në Durrës ku Brati zotëron 25 %; ndërkohë që pjesa më e madhe e saj vazhdon të jetë e pashlyer.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik. /Birn/

Ndani këtë artikull