Ad imageAd image

Vijnë 8 tonë mjete të mbrojtjes personale për stafet mjekësore

2 min lexim

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në doganën e Tiranës në momentin e mbërritjes së ngarkesës me mjetet e mbrojtjes personale, deklaroi se është përparësi mbrojtja e bluzave të bardha.

‘Vijojmë me furnizimin në vazhdim me materialet mbrojtëse personale për mjekët, infermierët, epidemiologët, strukturën e Urgjencës Kombëtare kudo në vend. Ka qenë dhe do të mbetet përparësi mbrojtja e mjekëve, infermierëve, atyre që janë në vijën e parë të zjarrit, në luftën dhe betejën kundër COVID-19’, tha Manastirliu.

Kjo sasi e re e mjeteve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore vjen pas dy furnizimeve të para të porositura nga qeveria shqiptare, prej 15 ton, të cilat kanë mbërritur më herët në vendin tonë.

- reklamë -
Ad imageAd image

‘Janë 8 ton materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, nga syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona, do të vijojnë të furnizojnë qendrën e urgjencës kombëtare, Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu të gjithë njësitë e kujdesit shëndetësor vendor dhe të gjitha ato struktura, ku personeli përballet në betejën dhe në frontin e parë të luftës kundër COVID-19’, tha Manastirliu.

 

Duke folur për masat e reja, Manastirliu tha se nuk duhet të ulet vigjilenca e qytetarëve pasi lufta nuk ka mbaruar dhe duhet vazhduar me respektimin e masave të vendosura nga qeveria.

‘Tashmë është një fazë e dytë e luftës kundër këtij virusi. Është shumë e rëndësishme që në këto momente që do të fillojë edhe një çlirim me pikatore i masave, të tregohemi akoma edhe më shumë vigjilentë, që nga stafet dhe ekipet tona në terren deri tek qytetarët, duke filluar nga distancimi social i cili në asnjë moment nuk do të duhet të neglizhohet, tek higjiena personale, tek dezinfektimi i ambienteve, tek të gjithë elementët e tjerë të cilët synojnë të mbrojnë qytetarët për t’i bërë ballë këtij virusi të rrezikshëm, i cili humbet fuqinë e tij nëse nuk lejohet transmetimi’, apeloi Manastirliu.

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull