Policia ka zbarkuar paraditen e kësaj të shtune pranë një pallati në ndërtim tek ish-stacioni i trenit, pranë Dispanscerisë së Tiranës, ku është gjetur pa jetë, me shumë gjasa i hedhur nga pallati, 46-vjeçari Olsi Ibro, një nga të akuzuarit për mashtrimin e rëndë me mikrokreditë, zhvatjen e qytetarëve dhe sekuestrimin e padrejtë të pronave të tyre.
Por, nuk dihet ora kur Ibro e ka kryer vetëvrasjen. Sipas gazetarit të SYRI TV, ai është gjetur në mëngjes nga roja i kësaj godine në ndërtim. Shtëpia e tij ndodhet vetëm 20 metra larg në vijë ajrore dhe atje po ashtu kanë shkuar forca të shumta policie për të mësuar rrethanat e vetëvrasjes së dyshuar.
Ndaj Ibros nuk ka pasur masë sigurie, por vetëm akuzë dhe hetim. Masë sigurie ka pasur ndaj bashkëshortes së tij, Elda Ibro, “arrest në shtëpi”, si drejtuese e Micro Credit Albania.
Policia e Tiranës: "Më datë 20.07.2024, në rrugën "Ramazan Shijaku", dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes."