Kërcimi i Italisë mbi vullkan

Hënë, 07 May 2018 20:11

Nga Bernd Riegert

Në Itali vazhdon sot (07.05) pokeri politik për një koalicion qeveritar. Por varianti pa qeveri mund të jetë ndoshta më mirë për Italinë, se ndonjë koalicion populist, mendon Bernd Riegert.

Dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare ende nuk ka asgjë të re nga Italia lidhur me krijimin e qeverisë. Grupimet populiste të Lëvizjes së Pesë Yjeve dhe konservatorët e djathtë bllokojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Socialdemokratët që kanë qeverisur deri më tani u goditën rëndë në këto zgjedhje dhe kanë ngrirë në opozitë. Të gjitha përpjekjet për ndonjë formë koalicioni mes protestuesve, radikalëve të djathtë dhe më të moderuarve kanë dështuar. Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella vëren me zhgënjim, se të gjitha përpjekjet e tij kanë shkuar dëm, sepse asnjë nga palët nuk do të afrohet, por këmbëngul në pozicionin e saj.
Përpjekja e fundit para zgjedhjeve të reja
Lëvizja e Pesë Yjeve kërkon zgjedhje të reja në qershor. Radikalët e djathtë duan më mirë të presin deri në fund të vitit. Secila parti ka kalendarin e saj me të cilin llogarit, se kur do të ishin shanset më të mira për të kapur shumicën në parlament. Presidenti Mattarella nuk është fort entuziast për zgjedhje të reja. Ai e ndjen zhgënjimin e shumë italianëve, që jo pa të drejtë thotë, se zgjedhjet e reja do të sillnin ndoshta të njëjtin rezultat, pra një bllokadë të re. Nga ana tjetër zgjedhjet e reja shihen si shpërdorim i panevojshëm parash. E shteti italian i mbytur në borxhe nuk ka para për të dhuruar.

Për këtë arsye të hënën (07.05) presidenti italian ndërmerr përpjekjen e fundit për të sjellë në tryezën e negociatave si populistët e majtë ashtu edhe ata të djathtë me socialdemokratët. Ende shpresohet për një koalicion të mundshëm mes Lëvizjes së Pesë Yjeve dhe socialdemokratëve, ose me pjesë të kësaj partie në rrënim e sipër. Por edhe një koalicion mes „lëvizjes" dhe partisë Lega Nord nacionaliste mund të mendohej. Për këtë duhej të sakrifikohet personi që lëviz fijet në prapaskenë, Silvio Berlusconi. Por 81 vjeçari nuk është i gatshëm të largohet nga skena.

Nëse edhe kjo tentativë e fundit dështon, atëherë presidenti italian mund të vendosë një qeveri teknokrate që mund të miratojë buxhetin e vitit 2019 dhe të përgatisë zgjedhjet e reja në pranverën e ardhshme. Por edhe teknokratët duhet të përballën me mocionin e votëbesimit në parlamentin e përçarë italian. Një mundësi tjetër është që kryeministri në detyrë, Paolo Gentiloni të vazhdojë të jetë në detyrë, por pa shumicë parlamentare. Kjo e bën shumë të vështirë miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.
Tregje ende të butë

Këtë cirk politik Italia e vazhdon, vetëm sepse për momentin ekonomia italiane po përfiton nga disa filiza të rritjes ekonomike. Tregjet financiare nuk kanë reaguar me panik ndaj pokerit të koalicioneve në Romë. Edhe normat e interesit për rifinancimin e kredive janë të përballueshme. Por për tregjet dhe eurozonën Italia është një vend i rëndësishëm, prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri e përkohshme. Ajo do të krijonte idenë e stabilitetit e do dukej më e besueshme se një përzierje e të djathtëve e të majtëve. Nëse populistët euroskeptikë vijnë në pushtet, atmosfera e qetë e deritanishme në tregje mund të ndryshojë.

E nëse tregjet nuk kanë besim tek Luigi Di Maio i Lëvizjes së Pesë Yjeve apo tek Matteo Salvini i Lega Nord atëherë vendi rrezikohet nga kriza financiare. Borxhet e larta nuk mund të rifinancohen, ombrella e shpëtimit të euros duhej të aktivizohej. Kjo pasiguri rritet po të mendosh që do vijë një moment e Banka Qendrore Europiane do të rrisë normat e interesit, gjë që sjell automatikisht rritjen e obligacioneve shtetërore italiane. BE duhej kështu të mbështeste Italinë me qindra miliarda. Shpëtimi i Greqisë do dukej në një rast të tillë si një ushtrim i lehtë.

Italia kërcen kështu mbi një vullkan virtual, që sillet si Vezuvi: Ende ai hesht, por llava mund të shpërthejë në çdo moment. DW

Modifikuar më Hënë, 07 May 2018 21:59

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...