Manila, kryeqyteti i Filipineve është i njohur për trafikun e rënduar. Në një sondazh të vitit 2016, kompania e lundrimit ‘Waze’ e cilësoi Manilën si vendi me ‘trafikun më të keq në Tokë.’ Përdorimi i makinave po përkeqëson ndjeshëm problemin e ndotjes së ajrit.
Por, për të reduktuar ndotjen, vendi po planifikon si një zgjidhje të mundshme ndërtimin e një qyteti të ri, të quajtur New Clark. Projekti i cili do të kushtojë 14 miliardë dollarë parashikohet të ndërtohet gjatë tre dekadave të ardhshme dhe do të jetë më i madh se Manhattan.
Sipas planit të zhvillimit, qyteti do të shtrihet në 36 kilometra katrorë, një zonë më e madhe se Manhattan dhe do të strehojë deri në 2 milionë njerëz.
Ndërsa dizajni i saktë i New Clark nuk është planifikuar ende, sipërmarrësit e ndërtimeve urbane thonë se plani urbanistik do t’i japë prioritet qëndrueshmërisë mjedisore dhe asaj klimatike.
Me një lartësi minimale prej 184 metra mbi nivelin e detit, qyteti me shumë gjasa nuk do të përballet me shumë përmbytje. Ndërkohë, për të reduktuar emetimet e karbonit, dy të tretat e New Clark do të rezervohen për tokë bujqësore, parqe dhe hapësira të tjera të gjelbër.
Po ashtu ndërtesat do të përfshijnë teknologji që reduktojnë përdorimin e ujit dhe energjisë elektrike. Ndërsa, shoferët do të drejtojnë makina elektrike në vend të gazit që emeton CO2.