Ad imageAd image

Senatori amrikan heq dorë nga trajtimi i kancerit, jeta e tij drejt fundit

3 min lexim

Senatori republikan John McCain, një nga politikanët amerikanë më të përkushtuar së pari për çlirimin e Kosovës dhe më pas për pavarësimin dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, u njoftua se ka hequr dorë nga trajtimi mjekësor i një forme agresive të kancerit në tru, një vit pasi e kishte bërë të ditur diagnozën, shkruan sot Koha Ditore.

McCain, një hero i famshëm amerikan që u mbijetoi torturave në një kamp pengjesh lufte në Vietnam, senator nga shteti i Arizonës dhe kandidat republikan për president të SHBA-së në vitin 2008, kohët e fundit u shqua edhe si kritik i ashpër i politikave të presidentit aktual Donald Trump, me gjithë faktin se vijnë nga e njëjta parti.

“John ka hequr dorë prej pritjeve për mbijetesë”, thuhet në njoftimin e familjes, duke shtuar se përparimi i sëmundjes dhe mosha e McCainit, 81, kanë bërë që ai të heqë dorë prej trajtimit të kancerit.

- reklamë -
Ad imageAd image

Për këtë veprim kanë reaguar një sërë miq të tij të cilët luten për të.

“I gjithë klani McCain po bën atë që familja e tyre ka bërë prej brezash të tërë, po përballon sfidat me dinjitet”, shkroi senatori republikan Lindsey Graham.

Ish-astronauti Scot Kelley thotë se ka një respekt të thellë për heroin amerikan, që i shërbeu vendit në kohë lufte dhe paqeje, me guxim, dinjitet e dhembshuri për të tjerët. “Një udhëheqës i vërtetë i kohëve tona”, shton ai.

“John McCain, – thotë Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, – personifikon shërbimin e bërë këtij vendi”.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë me John McCain dhe familjen e tij”, shkroi në Twitter kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Familja e senatorit të Arizonës njoftoi të premten se, deri tani ai i ka tejkaluar pritshmërinë për mbijetesë, por “përparimi i sëmundjes dhe mosha e avancuar janë faktorë të pandalshëm. Me forcën e vullnetit që e karakterizon, John ka bërë zgjedhjen e tij, që ta ndalojë trajtimin mjekësor”.

 

Ndani këtë artikull