Ad imageAd image

Vrasja e Gentian Kasës/ I njëjti kalibër në ekzekutimin e Diabolik

2 min lexim

Gruaja e Gentian Kasës ka dhënë një dëshmi të gjatë për policinë italiane. I shoqi 43-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në Romë, teksa po kthehej në burg. Ai ishte në regjim gjysmëlirie, natën shkonte në burg, ditën ishte i lirë.

Ishte pikërisht e shoqja që zbuloi trupin e të ndjerit. Përpara policëve ajo ka thënë se i shoqi kërkonte të niste një jetë të re. “Kishte precedent penal, por donte të niste nga e para,” tha ajo.

Kasa ishte dënuar për trafik droge mes Milanos dhe Ankonës, por edhe për vjedhje.

Për momentin ky ekzekutim ka befasuar policinë. Dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë nuk kanë kapur ndonjë moment të rëndësishëm. A ishtë ky një ekzekutim që kërkonte të jepte një shembull?

Corriere della Sera shkruan se i njëjti kalibër që ekzekutoi shqiptarin, u përdor për të vrarë Diabolikun, liderin e ultrasve të Lacios. Fabrizio Piscitelli sapo kishte dalë nga burgu, ku ishte i dënuar për drogë.

Por nuk përjashtohet mundësia që vrasja e shqiptarit të ketë lidhje me arratisjen nga burgu Rebibbia, pikërisht aty ku vuante ai dënimin. Disa prej shqiptarëve të arratisur u identifikuan menjëherë, të tjerët më vonë.

Shqiptari u vra me katër plumba. Mendohet se ai u qëllua edhe pasi u shemb në tokë. Lagjia ku jetonte është një përzierje mes bandash lokale dhe klanesh të fuqishme kriminale.

 
Ndani këtë artikull