Ad imageAd image

Kthim i Mid’hat Frashërit në Kosovë, promovohen veprat e tij

5 Min Read

Instituti Albanologjik mirëpriti sot prezantimin e dy vëllimeve të para të kompletit të veprës së Mid’hat Frashërit. Vëllime këto të cilat u konsideruan nga të pranishmit si rikthim i Mid’hat Frashërit në Kosovë, troje këto të cilat ai më parë i kishte vizituar dhe kishte lënë edhe shënime për to. Gjatë promovimit të këtyre dy vëllimeve u diskutua edhe mbi vizionin e Mid’hat Frashërit, i njohur në vepra edhe si Lumo Skëndo. Vizionet e të cilit janë mjaft aktual edhe sot për zhvillimet politike dhe strategjike në trojet shqiptare. Drejtori i Instituti Albanologjik, Hysen Matoshi tha se ribotimi i çdo vepre në mënyrë të pacensuruar dhe duke shpërfaqur fakte nga e kaluara janë një vlerë kulturore e shtuar. Gjersa para të pranishmëve sqaroi më shumë përmbajtjen e vëllimit të parë.

“Gati 70-të vite pasi që dha frymën e fundit Mid’hat Frashëri, vjen me idetë e tij, me trashëgiminë shkrimore, por vjen në një format të ri, të plotë e funksional si një dëshmi e rrojtjes së tij shpirtërore dhe si një vlerë e jona kombëtare”, tha ai, gjersa diskutoi për veprimtaritë e shkrimtarit Frashëri dhe për njohjen e tij përtej dimensionit kulturor.

Drejtori i Instituti për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa tha se është e vështirë të flasim për një vepër e cila do të përmbajë disa vëllime, kjo sipas tij pasi që secili vëllim ka mbi 700 faqe.

- reklamë -
Ad imageAd image

“Do fokusohem vetëm në një aspekt të trajtimit të kulturës dhe veprave nga Lumo Skëndo si një republikë në termin e tij të veçantë. Shkrimet mbi kulturën dhe artin janë një pjesë e pandashme e shqetësimit të thellë dhe të vazhdueshëm të Mid’hat Frashërit. Shkrime, në të cilat përcillet vizioni largpamës dhe idealist e kulturologjik i tij i gërshetuar me ndjenjën realiste kritike”, tha ai duke shtuar se në sferën e shqetësimeve të Skëndos hyn një gamë e gjerë problemesh të kulturës dhe perspektivës së saj kombëtare dhe eurocentriste siç e quan ai.

Tutje për vëllimin e dytë diskutoi shefi i Degës së Historisë, Memli Krasniqi, i cili tha se kjo është një përmbledhje e shkrimeve të botuara në revistat e njohura shqiptare, në shtypin e huaj, fjalime, raporte diplomatike, vepra si dhe materiale arkivore të pabotuar më parë.

“Lumo Skëndo në shkrimet e tij jo vetëm që është përpjekur për zgjimin e përkatësisë kombëtare shqiptare por edhe ka kundërshtuar me argumente tezat anti-shqiptare të shteteve Ballkanike dhe përkrahësve të tyre”, tha ai, duke shtuar se disa nga idetë të cilat i ka dhënë shkrimtari Mid’hat Frashëri akoma janë të vlefshme dhe ai ka qenë ndër intelektualët e parë i cili qartësisht ka parë humnerën drejt të cilës po shkonte Perandoria Osmane e së bashku më të edhe shqiptarët. Në anën tjetër duke e cilësuar si pasuri kombëtare, studiuesi Uran Butka thotë që Lumo Skëndo në shkrimet e tij ka qenë kritik ndaj politikave të Evropës dhe mendësisë shqiptare.

“Duke dëgjuar ligjërimet jashtëzakonisht të sakta mua më mbetet pak për të thënë për veprat e Mid’hat Frashërit, por si fillim dua të theksoj se mund ta konsideroj sot kthimin e Mid’hat Frashërit në Kosovë. Kosovës, të cilës ai i ka kushtuar vëmendjen dhe pjesën me të madhe të veprimtarisë së tij studiues, shkencore dhe politike. Mund ta konsideroj kthimin e tij në Prishtinë pas kaq vjetësh mohimi, e të tjera. Ajo që me emocionon është se ai kthehet sot në Institutin Albanologjik jo vetëm si një publicistë i çmuar historian, studiues, kulturolog, sociolog, e gjitha ato, por edhe si një albanolog si pjesë e Institutit Albanologjik”, tha ai.

Veprat e zgjedhura të Mid’hat Frashërit do të vijnë në një kolonë prej 13 vëllimesh, ku studiuesit dhe lexuesit shqiptarë do të njihen me vizionin e Lumo Skëndos për shqiptarët dhe politikat e saj. Ndërsa vëllimi i 14-të do të jetë bibliografia e Mid’hat Frashërit. Për këtë libër por edhe për librin “Sekretet e Luftës” nga Erald Kapri, libër i cili zbulon një Shqipëri tjetër përmes dokumenteve britanike, u diskutua në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, sot në ora 13:00.

Share This Article