Ad imageAd image

Pse ka më shumë “Remark” në Shqipëri sesa në Gjermani

4 min lexim

Nazistët i morën vitet më të bukura të rinisë në luftë, e detyruan të largohej nga vendi, i konfiskuan dhe dogjën librat, e dënuan në mungesë, i vranë të motrën, madje i hoqën dhe nënshtetësinë.

Erich Maria Remarque është mishërimi më i denjë i asaj që quajmë brez i humbur. Ai lindi më 22 qershor të 1898 në Osnabryk të Gjermanisë dhe pak pasi kishte filluar  kolegjin si mësues, ai caktohet në ushtri dhe i ndërpret studimet për të shkuar në luftë. U bë shkak plagosja e rëndë nga një granatë që ai të shpëtonte nga detyra e ushtarit dhe të shkruante romanin e tij të parë, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, gjatë kohës që qe i detyruar të qëndronte në spital. Kjo dhe shumë vepra të tjera u pikasën nga liderat nazistë për tonin e tyre antinacional-socialist. Në maj të 1929, të gjithë librat e autorit konfiskohen dhe digjen ndërsa,  për më pak se pas dy muajsh, ai u dëbua nga atdheu bashkë më të shoqen, Ilse Jutta Zambona.

“Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës-derisa e kuptova se kishte edhe disa që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, – shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari.

- reklamë -
Ad imageAd image

Në 25 shtator 1970,Erich Maria Remark vdiq në një spital të Lokarnos nga një atak në zemër.

Por, ajo që vihet re dhe është e vështirë të shpjegohet për dikë që nuk është në dijeni të rrjedhës së tij biografike, është fakti që Remarku është shumë më i njohur në Shqipëri sesa në vendin e gjuhës origjinale të veprave. Kjo ndodh për shkak të përkthimeve të Shvarc, talenti i të cilit ka bërë magji me veprat e autorit në fjalë.

“ Kur iu futa punës për të përkthyer romanin “Tre shokë”,isha 27 vjec dhe nga ky autor kisha lexuar vetëm librin e tij të parë “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” i cili më pat lënë një përshtypje të thellë. Pra, nuk dija shumë gjëra as për Remarkun, as për librat e tij.

Kisha lexuar vetëm se nazistët ia patën hequr nënshtetësinë gjermane dhe ia kishin djegur veprat publikisht me 1933. Si e përktheva romanin “Tre shoke “:e mora librin dhe lexova 2-3 faqet e para. Fillonte me një ditëlindje ,me atë të heroit kryesor, që i rrëfente ngjarjet në vetën e parë.

 Edhe kësaj radhe më mahniti stili tepër i ngjeshur dhe tejmase i kursyer i këtij shkrimtari që komunikonte kaq bukur dhe kaq natyrshëm me lexuesin. I përpiva ato 2-3 faqet deri në fund dhe sakaq mora një vendim: nuk do ta lexoja librin deri në fund, por do t’i futesha punës menjëherë dhe do ta përjetoja gjithë romanin rresht për rresht, ashtu siç e kishte përjetuar autori në procesin e tij të krijimit.

U futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash, nën lëkurën e tij, i provova të gjitha ndjesitë, emocionet, problemet , gëzimet dhe tronditjen e tij, dhe them se arrita ta përçoj besnikërisht lexuesve mesazhin e tij, të paktën nuk e dëgjova asnjëherë akuzën aq të njohur, që përkthyesi qenka tradhtar i autorit..”, shpjegon Shvarc kur e pyesin rreth eksperiencës së tij me librat e Remarkut.

Ndani këtë artikull