Ad imageAd image

Bushati: Ilir Meta sot bëri një akt prej lideri

5 min lexim

Nga Andi Bushati/

Ilir Meta ka pranuar të veshtë kostumin e liderit të koalicionit gjithnjë e më të madh të atyre që po e shohin me zhgënjim ecurinë e reformës në drejtësi.

Duke u bërë zyrtari i parë i lartë i shtetit shqiptar, që shpreh me kaq forcë rezervat ndaj asaj që ndërkombëtarët vazhdojnë ta konsiderojnë si histori suksesi, ai ka hedhur një hap të fortë politik.

- reklamë -
Ad imageAd image

Ai po përpiqet ti japë zë asaj mase plot laryshi, politikanësh, opinionistësh, kritikash dhe zërash publikë, që megjithë dasitë e mëdha me njëri-tjetrin, po i bashkon frika e rilindjes së një përbindëshi të kapur politikisht.

Dhe kreu i shtetit nuk është mjaftuar ta ngërthejë këtë mision vetëm përmes kritikave që i ka bërë eksesve të deritanishme, por mbi të gjitha duke propozuar zgjidhje konkrete.

Gjatë konferencës së kësaj të mërkure për ‘Sfidat e sigurisë në Ballkan’ ai ka fshikulluar pamundësinë e ringritjes në tre vite të gjykatës kushtetuese, zgjedhjen e diskutueshme të kryeprokurores Arta Marku, lojën e dyfishtë të Euraliusit, apo mendësinë e gjuetisë së shtrigave përmes goditjes sipas madhësisë së peshqve.

Cilido që e ka ndjekur këtë sagë të trishtë tre vjeçare, mund ti shtojë këtyre mëkateve edhe kapjen politike të institucioneve të sapokrijuara, vettingun me dy standarde alla Donika Prela, dhe implikimin e sharlatanesk të ndonjë ndërkombëtari të niveleve të larta.

Por, ajo që hapi i Ilir Metës ka pasur të ndryshme nga skeptikët e tjerë të reformës në drejtësi është pohimi i tij për kërkimin e rrugëve institucionale për të zhbërë ato që janë ngritur mbrapsht. Kreu i shtetit ka rrëfyer sot për një kërkesë ndaj instancave më të larta të Brukselit, për sjelljen e një komisioni verifikimi që do të kontrollonte ecurinë e deri tanishme.

A do ta pranonte një organizëm i tillë ‘lejen’ e Euralius dhe OPDAT, për një kryeprokurore që mbretëron prej dy vitesh vetëm me votat e njërës palë, megjithëse kjo shpikje nuk shkruhet askund në kushtetutë? A do i legalizonte ai vendimet e komisionit të vettingut që dikujt ia quan të ligjshme paratë e pataksuara dhe dikë tjetër e penalizon për të njëjtën gjë? A do i justifikonte ai veprimet e asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese, që me gjithë mangësitë, ka qenë një organ që i ka thyer hundët sa qeverive të Berishës, po aq edhe të Ramës?

Pra propozimi i Ilir Metës për të kaluar nga retorika (disa e quajnë histori suksesi ndërsa të tjerët dështim të sigurtë) në hapa institucionalë për kontrollimin dhe shmangien e së keqes, është një akt prej politikani serioz. Natyrisht, që një rrugë e tillë nuk do të realizohet sot për sot e shpejt e shpejt. Ajo nuk ka shpresë të vihet në zbatim pa përfunduar zgjedhjet europiane të kësaj fundjave dhe as pa u ndryshuar qeveria e Brukselit në shtatorin e ardhshëm. Por ajo është një dosje që duhet trajtuar me kujdes në mënyrë që drejtuesit e rinj të Komisionit Europian ta gjejnë në tryezat e tyre të punës në vjeshtë.

Vetëm kështu mund të përkundet një shpresë se euforia për ‘Shqipërinë fanar ndriçues në BE’ do të përfundojë dhe do shqyrtohen realisht fondet e dhuruara nga taksapaguesit e 28-shes. Ilir Meta konfirmoi se do të ndjekë këtë rrugë. Natyrisht, duke u sjellë kështu, personalisht nuk do t’i shpëtojë akuzave. Do të përballet me shigjetimet se do të vendosë një shejtan në djepin e zbrazuar, se ka konflikt interesi, apo se i trembet faktit se mund të jetë viktima e parë e drejtësisë së re.

Por, pavarësisht akuzave që do t’i bëhen apo qëllimeve reale të atij vetë, propozimi i presidentit është një akt prej lideri politik. Sepse realisht pas tre vjetësh, ka ardhur koha për të përfunduar me euforinë e reformës që do të prodhonte mrekullira dhe për të bërë bilancin e saj real. Dhe kjo nuk mund të arrihet nëse nismëtarët, financuesit dhe mbështetësit e saj nuk skanojnë vetveten. Është koha që edhe Brukseli të kuptojë ku ka gabuar dhe ku është mashtruar.

Ndani këtë artikull