Ad imageAd image

Ne nuk ju tradhtuam

4 min lexim

Nga Kreshnik Çollaku

Një e vërtetë që duhet thënë.

Disa muaj më parë një grup aktorësh na ftuan si Këshilltarë Bashkiake në një bashkëbisedim për çështjen e Teatrit.

- reklamë -
Ad imageAd image

Aktorët na kërkuan sensibilizim dhe mbështetje për çështjen e Teatrit.

Aktorët i mundonte ideja kthyer në klishe (jo pa arsye) se politika shitet e blihet…ndaj kërkonin që të mos i tradhtonim.

E kuptoja këtë shqetësim dhe kjo ‘paranojë’ e kishte një bazë.

Sinqerisht më vinte turp nga vetja e bezdi që pse, për shkak se i angazhuar në politikë, të paragjykohesha me klishenë e politikës që shitet e blihet.

Jam i bindur nuk jam i vetmi që bezdisesha nga ky paragjykim.

Pse të paragjykohem mendoja, unë as jam shitur as jam blerë. Jetoj e punoj me djersën time e profesionin tim jo nga politika. Politika është një pasion, mbase pasion i mundimshëm, por unë kam vendosur ta bëj drejtë e ndershëm, mbase edhe duke gabuar, ndonjë veprim apo qëndrim i imi mund të quhet i gabuar, por kurrë s’do të quhej i pandershëm. Vetes i kisha bërë betimin se nëse do të më duhet të bëj pakt me pandershmërinë … do ta braktisja pasionin ‘Politikë’.

Këto mendoja dhe po vetë përgjigjesha, aktorët kanë të drejtë të paragjykojnë, ka pafund raste pandershmërie në këtë ambient, paragjykimi i tyre është i bazuar, është barra ime dhe e atyre si unë ta mbajnë këtë paragjykim dhe çdo ditë me sjelljen e veprimit tim të tregoj se jo të gjithë jemi të pandershëm të shitur apo të blerë …

U dhamë fjalën aktorëve dhe qytetit se nuk do ti tradhtojmë dhe do të mbrojmë, pronën publike dhe Teatrin.

Rrethanat dhe ligji përcaktonin se vendimi për prishjen e Teatrit dhe përvetësimin e truallit të tij, çka ishte kleçka e madhe, duhej të kalojë në Këshillin Bashkiak Tiranë.

Grupi i PS në Këshill kishte 32 vota. Që vendimi i prishjes së Teatrit dhe përvetësimit të Truallit të kalonte duheshin 3/5 e votave në këshill, pra 37 vota.

Kryetarit të Bashkisë dhe PS i mungonin vetëm 5 vota, për ta përfunduar këtë projekt në forme ligjore, pa zhurmë, pa ligj të veçantë pa debat në qytet dhe pa andralla.

Nuk e di nëse kanë tentuar të blejnë apo joshin këshilltarë, mbase e kanë bërë siç e kanë zakon, por asnjë këshilltar as nga grupi PD as nga ai LSI nuk lëvizi dhe së bashku deklaruam se votat për të prishur Teatrin e grabitur Truallin, Bashkia e Qeveria nuk do ti kenë kurrë.

Dhe kështu ndodhi.

Këshilltaret e Opozitës qëndruan, nuk tradhtuan fjalën dhe betimin e bërë madje u shtuan ndërsa qeveria dhe kryetari i Bashkisë iu futen aventurës së turpshme me ligj të veçantë.

Sot jo pa zhgënjim disa nga aktorët më të zhurmshëm që asokohe na kërkonin të mos i tradhtonim dhe që më hidhëronin aq shumë me paragjykimin e tyre, i shoh mbase me më pak zhurmë të kërkojnë prishjen e Teatrit, madje sa më parë, e të firmosin kërkesa pikërisht për atë për të cilën na kërkuan të mos i tradhëtojmë.

Vlerësimi im për ta mbetet … por zhgënjimi dhe keqardhja gjithashtu.

Këto rradhë i shkruajta për të thënë një mesazh të thjeshte kujtdo që i lexon:

Mos paragjykoni e mos gjykoni nën klishe, njeri të ndershëm ose pandershëm nuk të bën profesioni apo pasioni… por formimi edukata integriteti personal që e ke marrë që me qumështin e nënës.

Thënë troç…çdo berr varet nga këmbët e veta.

Ndani këtë artikull