Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara po shpreh shqetësimin për mundësinë e marrëveshjeve me pasoja të zbutura ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal në dy çështjet ndaj tij, si një përpjekje për të fshehur përmasat e shkeljeve të tij, për të mbrojtur reputacionin e FBI-së.
McGonigal pranoi se kishte marrë mbi 17,000 dollarë nga oligarku rus për të siguruar informacione negative për një tjetër oligark rus, rival të tij. Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj oligarkut Deripaska, që nga viti 2018, për arsye që lidhen me pushtimin e Krimesë nga Rusia.
Në këmbim të pranimit të fajësisë, prokurorët hoqën dorë nga akuza të tjera në lidhje me bashkëpunimin e zotit McGonigal me Deripaskën.
Në një proces tjetër në një gjykatë federale në Uashington, McGonigal është akuzuar se ka marrë rreth 225, 000 dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve të zbulimit të Shqipërisë.
“Pavarësisht një pagese shumë më të madhe nga ish-zyrtari shqiptar, sipas njoftimeve, McGonigal po negocion me prokurorët federalë në Uashington një marrëveshje të ngjashme për pranimin e fajësisë”, thuhet në letrën e ligjvënësit Jordan për drejtorin e FBI-së.
Në letrën e Komisionit Juridik të Kongresit përsëritet kërkesa për dokumente dhe informacione për këtë çështje dhe bëhet thirrje që FBI ta plotësojë këtë kërkesë deri më 3 tetor 2023.
“Komisioni ka autoritet mbikëqyrës mbi Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në dhe mund të marrë në konsideratë masa të detyrueshme nëse FBI-ja nuk bashkëpunon vullnetarisht”, thuhet në letër.
Në shkurt të këtij viti, ligjvënësit amerikanë i kërkuan drejtorit të FBI-së sqarime lidhur me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Ligjvënësit republikanë thonë se Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-jan janë përdorur si mjete politike nga demokratët kundër republikanëve.
Edhe kryetari demokrat i Komisionit Juridik të Senatit Dick Durbin, i kërkoi në atë kohë me anë të një letre Prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Garland dhe drejtorit të FBI-së, zotit Wray informacione të mëtejshëm lidhur me aktivitetet e zotit McGonigal, duke u nisur nga dy aktpaditë, ajo e Nju Jorkut, dhe ajo e Uashingtonit.

