Në një konferencë për media Stano tha se ndërmarrja e veprimeve ndaj Qeverisë së Kosovës ka ndodhur për shkak ‘të paaftësisë të autoriteteve kosovare që të sillen në mënyrë evropiane’, duke mos treguar se kur dhe nëse do të hiqen ato.
BE-ja, shton Stano, pret që Kosova e Serbia të sillen në mënyrë evropiane, nëse duan të hyjnë në familjen evropiane.
‘Bashkimi Evropian pret është sjellje evropiane, që të gjendet zgjidhje evropiane. Në fund të fundit të dyja shtetet duan të hyjnë në BE, kanë deklaruar se integrimi evropian është prioritet strategjik i tyre. Duhet atëherë të veprojnë sipas deklaratës, e të sillen në mënyrë evropiane’.
‘Do të thotë, të sillen në mënyrë konstruktive sa i përket shtensionimit, e të qenit në gjendje të gjetjes së një kompromisi të duhur, një konsensusi evropian. Këto janë mesazhe që i japim çdo ditë, javë për javë, muaj për muaj. Kriza nuk shkaktohet nga lehtësuesja BE-ja, shkaktohet nga mënyra se si partnerët zgjedhin për të arritur çfarëdo synimi që kanë, por s’po u ndihmon në rrugën evropiane’, tha më tutje Stano.
Zëdhënësi i BE-së foli edhe për letrën e nënshkruar nga mbi 50 deputetë të ndryshëm të shteteve perëndimore, e ku u është bërë thirrje SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe që të ndryshojnë qasje ndaj Kosovës, e të veprojë më ashpër karshi Serbisë.
‘Përfaqësuesi i Lartë, ka marrë këtë letër të përbashkët dhe si gjithmonë kur ai merr letër nga çdokush, reagon nëpërmjet kanaleve të përshtatshme, e jo publikisht nëpërmjet mediave. Kur bëhet fjalë për temën e ngritur nga 56 nënshkruesit e parlamentarët e disa shteteve të BE-së, e të disa shteteve të treta, mund të them se politika e BE-së formohet me unanimitet të 27 shteteve anëtare, siç thuhet e vendoset nga qeveritë e këtyre shteteve. Kemi me mijëra parlamentarë në BE. Pozita e veprimet e BE-së vendosen nga vendimet e qeverive të 27 shteteve anëtare, sa i përket politikës së jashtme vendoset me unanimitet’, u shpreh Stano.

