Ad imageAd image

Cinizëm nga dritarja e pushtetit: Kunata e Presidentit, personazhi që kërkoi heshtjen e protestuesve që thërrisnin për dorëheqjen e Manastirliut

2 min lexim
 

Qindra qytetarë protestuan sot para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dhe siguri për jetën e fëmijëve të tyre në shkolla.

Protesta, e cila mori përmasa të mëdha, u shoqërua me thirrje për dorëheqjen e ministres së Arsimit, ndërsa familjarët e viktimës përcollën mesazhe prekëse. Në mesin e protestës, tezja e Martin Canit, e mbingarkuar emocionalisht, humbi ndjenjat.

Ndërsa qytetarët kërkonin përgjegjësi institucionale, një gjest cinik nga dritarja e Ministrisë së Arsimit shkaktoi zemërim të mëtejshëm. Një punonjëse e ministrisë u pa duke u bërë me shenjë qytetarëve të ndalin protestën dhe të largohen.

Sipas ndjekësve të gazetarit Olti Curri, punonjësja në fjalë dyshohet të jetë Elvira Baze, motra e bashkëshortes së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Baze, e cila mban aktualisht rolin e Shefes së Hartimit dhe Projekteve të Fizibilitetit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, jo vetëm që mbron shefen e saj në mënyrë të pakushtëzuar, por tregon një indiferencë të thellë ndaj një tragjedie që ka tronditur vendin.

Pesha e këtij akti është edhe më e rëndë duke pasur parasysh lidhjen e saj familjare me Presidentin e Republikës, figura që duhet të mishërojë integritetin dhe përgjegjshmërinë morale. 

Qytetarët e pranishëm në protestë shprehën indinjatën e tyre për këtë sjellje cinike dhe për mungesën e reagimit të qeverisë dhe institucioneve kryesore. Në vend që të shohim reflektim apo përgjegjësi, shohim një përpjekje për të heshtur zërin e qytetarëve.

Thirrjet për dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe për reagim të fortë nga institucionet mbeten të larta. Shoqëria civile e sheh këtë situatë jo thjesht si një tragjedi individuale, por si një reflektim të dështimit të plotë institucional dhe mungesës së ndërgjegjes në nivelet më të larta të pushtetit.

Ndani këtë artikull