Ad imageAd image

Hashim Thaçi të hënën intervistohet në Hagë

3 min lexim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është ftuar në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës për krime të luftës dhe pas luftës. Në një postim në llogarinë e tij në facebook, ai tha se në “këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit”, shkroi ai.

Nga Zeri i Amerikes

Më 24 qershor Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

- reklamë -
Ad imageAd image

Më pas presidenti Thaçi tha se do të jap dorëheqjen nëse akuzat konfirmohen dhe është i gatshëm të përballet me drejtësinë.

Në postimin e sotëm ai tha se “uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Publikimi i akuzave muajin e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë.

Kjo bëri që të anulohet edhe një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që pritej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.

Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Në korrik të vitit 2019 në prokurorinë e posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ndani këtë artikull