Ad imageAd image

JO më me histori të retushuar!

5 min lexim

 

Dihen tashmë metodat dhe praktikat e shëmtuara të periudhës moniste, kur retushoheshin, dmth ndryshoheshin, korrigjoheshin dhe hiqeshin fare pamje, foto dhe kronika të ndryshme të personaliteteve historike. Vetëm se nuk i pëlqenin pushtetit të atëhershëm, i cili i kishte etiketuar dhe dënuar egërsisht si armiq, tradhtarë dhe spiunë me pseudo argumente absurde.

I kemi parë të cunguara fotot dhe pamjet e shpalljes së Pavarësisë më 1912, të çlirimit të vendit e deri në vitet 90 të ngjarjeve dhe përkujtimeve historike, ku mungonin jo një e dy, por me dhjetëra protagonistë politikë dhe historikë. Retushimi ishte bërë praktikë e zakonshme, e cila synonte të linte në harresë dhe të injoronte figura të shquara me kontribut historik në ngjarjet më madhore dhe emblematike të kombit tonë.

- reklamë -
Ad imageAd image

Mirëpo, për fat të keq, po shihen tendenca, deri te ringjallja e këtyre dukurive të dëmshme. Kjo u pa dhe në festimet e 100 Vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të dhe në Koncertin festiv më 28 Korrik. Ra në sy se në pamjet e videot që u shfaqën si ilustrim i historikut të këtyre marrëdhënieve tona dy dhe shumëpalëshe nuk u shfaqën sekuenca qoftë dhe minimale nga momentet e rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve tona në Mars 1991, në Departamentin e Shtetit, nga vizita e Presidentit Bush në Tiranë më 2007, ngjarja më e madhe dhe më e shënuar në këto marrëdhënie, anëtarësimin tonë në NATO, etj.

 

 

Kjo vetëm e vetëm sepse në ato dhe në shumë ngjarje të tjera, ishte protagonist Sali Berisha, i cili është shpallur – non – grata! Prej tij “e pësoi“ dhe ish Presidenti Bush, të cilin gjithashtu nuk do ta shihnim e dëgjonim, po të mos ishte një mesazh që ai dërgoi me atë rast.

 

Kjo nuk la shije të mirë dhe nuk tingëllon fare demokratike. Sepse një ish lider dhe protagonist madhor politik i 32 viteve të fundit, si ai dhe të tjerë mund të pësojë aksident politik, të tradhtojë kursin e tij, madje të dënohet dhe me heqje lirie; por ama emri, kontributi dhe gjurmët e tij në histori mbeten; ato nuk mund të fshihen dhe retushohen nga askush!

Ndryshe historia do të bjerë preh e tekave dhe qejfeve të çastit, të njërit apo të tjetrit; ajo do të kthehet në një mall të zakonshëm, që kushdo mund t’ia ndryshojë etiketën, ta monopolizojë dhe privatizojë si pa të keq. Kështu duhej e do vepruar në të ardhmen me Sali Berishën dhe emra të tjerë, sepse siç e kemi nisur, me siguri që “non – gratat“ dhe dënimet për korrupsionin, i cili te ne nga “domethënës“ para 10 e më shumë vitesh tanimë është bërë ulëritës do të shumëfishohen.

Emri dhe kontributi i tij nuk mund të mohohen, por duhen përmendur në çdo rast, ashtu siç ishte, pse jo dhe “burrë shteti“, siç e pati etiketuar me tepëri një ish Ambasador amerikan, por dhe me dritë hijet e veta deri te shpallja “non – grata“! Ndryshe do t’i bëhej atentat historisë!

Si përfundim, asnjë devijim, retushim subjektiv të historisë dhe marrëdhënieve me vendet e tjera, duke filluar nga SHBA-të. Ndryshe, nëse vazhdohet më tej me retushime të këtij lloji, dallimi midis një shteti demokratik dhe autoritarist do të bëhet dhe më i vështirë.

Sa i takon SHBA-ve, mjafton të rikujtojmë rastin e ish Presidentit Nikson, i cili pavarësisht nga skandali i shekullit i Watergate-it, jo vetëm nuk u rertushua në asnjë çast, por ai kujtohej dhe nderohej deri në vdekjen e tij, natyrisht me qëndrime kritike. Dhe sot vlerësohet si ndër presidentët më të shquar amerikanë. /Argumentum.al/

Ndani këtë artikull