Ad imageAd image

Një poligraf për Edi Ramën

4 min lexim

Nga Boldnews.al

Me një ceremoni “madhështore” në ambientet e Ministrisë së Brendshme erdhi pajisja e poligrafit, ose siç njihet ndryshe “makina e së vërtetës”. Vetë ministri Lleshaj falënderoi ambasadoren e re amerikane në vendin tonë Yuri Kim për ardhjen e makinës së poligrafit, ku kanë nisur edhe “instruktimet” si të përdoret.

Më pas do fillojë puna dhe të shihen testet e para. Në këtë filtër pritet të kalojnë zyrtarët e BKH-së (Byrosë Kombëtare të Hetimit) dhe drejtues të lartë policie. Makina “inteligjente” përcakton momentin kur gënjen individi, teksa ndër të tjera do të pyetet edhe: a keni pranuar ryshfet dhe a jeni marrë me trafikim ose përdorim të drogës? Nëse individi që po merret në shqyrtim gënjen, makineria jep sinjale disi çoroditëse me ulje ngritje të grafikut në munitor.

- reklamë -
Ad imageAd image

Nuk përjashtohet mundësia që disa të mbesin para këtij testi dhe disa të tjerë mund ta kalojnë. Po sot pyetja më e madhe që ngrihet është a duhet të kalojë testin e poligrafit kryeministri? Përveç pyetjeve që lidhen me “përdorimin personal, ose jo të narkotikëve”, çka nuk është vepër penale, duhet të kalojnë në testin e makinës së të vërtetës a e lejuan kanabizimin e vendit në vitet 2016-2017.

E megjithatë, doli “vullnetar” një martir i vërtetë, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj. “Poligrafi është një dhuratë nga SHBA-së për një reformë të vërtetë në Drejtësi. Kjo është një ditë historike, është një instrument i ri objektiv që ndihmon jo vetëm në finalizimin e hapave të reformës në drejtësi, por nuk do të përdoret vetëm për SPAK-un, por për të gjitha rekrutimet e reja në polici. Makinën e së vërtetës unë do t’ja nisja nga vetja”-tha Lleshaj.

Me shumë gjasë mund të kalonte disa teste me sukses mbi përdorimin e drogës ose jo, por gjenerali do të mbeste para poligrafit nëse do të pyetej se a ka urdhëruar përdorimin e gazit llotsjellës mbi gra, fëmijë dhe të moshuar që tentonin të mbronin banesat e tyre?!

Edhe në këtë pikë poligrafi me siguri do fikej i gjithi. E kjo makinë e së vërtetës nuk është për shfaqje spektakli, për dy orë ceremoni, por një turp për shoqërinë tonë. Një tjetër pyetje e rëndësishme, që do vlente për çdo politikan duhet të jetë nëse kanë abuzuar me fondet publike, apo janë përfshirë në afera korruptive. Padyshim që “poligrafi” do të shkatërrohej i gjithë nëse përgjigjia e tyre do të ishte: “Nuk kemi abuzuar me fondet publike dhe jetojmë me rrogën e shtetit”.

Çdo politikan “makinën e së vërtetës” e kalon minimalisht një herë në katër vite, përpara elektoratit që thirret në votime, por sot pushteti nuk e llogarite këtë test të rëndësishëm, pasi shitblerja e votave, përdorimi i krimit për të marrë pushtetin dhe akoma më rënë, futjen e vetë krimit brenda qeverisjes, lokale dhe qëndrore janë elementë që sot askush nuk i ka guzim ti mojojë dot, me përjashtim të Rilindasve të thekur që propagandojnë mashtrimin për ta shitur si të vërtetë në çdo dalje publike.

Ndani këtë artikull