Ad imageAd image

‘Spiuni i fuqive armike të NATO-s’/ Shkarkohet dhe lirohet Artur Meçollari

3 min lexim

Lirohet dhe shkarkohet nga detyra e Forcave të Armatosura dhe nga ushtria, Artur Meçollari.

Sipas Fax News, Meçollari është liruar nga detyra me pretendimin e shkeljeve të rënda disiplinore, dhe për këtë është shpallur fajtor dhe është marrë masa disiplinore: “Shkarkimi dhe lirimi nga Forcat e Armatosura”.

  

Motivacioni i shkarkimit të Meçollarit nga Forcat e Armatosura është bazuar në pikën 2 të nenit 12 të ligjit 173/2014, pasi kryerja e shkeljes së tretë disiplinore brenda një periudhe njëvjeçare, konsiderohet shkelje shumë e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet shumë të rënda, sipas nenit 13 të këtij ligji.

- reklamë -
Ad imageAd image
 
 

Në bazë të nenit 13, Meçollari është shkarkuar për shkak të përdorimit, shpërndarjes apo vendosjes së mjeteve ose ambienteve ku shërbejne Forcat e Armatosura, të simboleve apo reklamave të organizatave, politike apo shoqërore me përjashtim të atyre me karakter humanitar.

 
 

Kujtojmë se në gusht të këtij viti Artur Meçollari, Zv/Komandant i Flotës Detare Shqiptare u lirua nga detyra me urdhër të Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Kapiten i parë Meçollari, do vinte në dispozicion të një mikut të tij ish-ushtarak, një prej anijeve të flotës tonë detare për të kryer ceremoninë e dasmës së të birit, ky i fundit civil.

Vetë Meçollari deklaroi për mediat në atë periudhë se nuk ka qenë ai që e ka dhënë lejen për zhvillimin e ceremonisë, por një titullar nga Ministria e Mbrojtjes, ministri e cila edhe firmosi shkarkimin e tij.

“Ceremonia po mbahej me miratimin e një titullari në ministri, jo time. Unë do jem pjesë e Marinës, por jo më si Komandant i Forcës Detare”, tha Meçollari në atë kohë.

Artur Meçollari nuk është një emër i panjohur për publikun edhe më herët. Ai është konsideruar edhe si spiun nga ish-kryeministri Berisha, kur iu atashua grupit të negociatorëve për kufirin detar me Greqinë, dy vite më parë.

Pas skandalit të dasmës, Berisha shkroi: “Spiuni i fuqive armike të NATO-s, Artur Meçollari që u emërua nga Edvin Zografi Bis në krye të flotës ushtarake detare, jep me ryshfet anijet luftarake për dasma. Ky akt shënon degradimin e plotë të forcave detare të Shqipërisë nga Edvin Kristaq Zografi, zëdhënësja e tij Ndrikull Xhaçka, që me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO do të deklaronte publikisht se NATO është si nata!”

Ai ishte shkarkuar me herët dhe liruar nga ushtria për shkelje të betimit ushtarak, por u rikthye në detyrë pas vitit 2013. Së fundmi, në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është emëruar Gjeneral Bajram Bega, një ushtarak karriere dhe emër i njohur brenda radhëve të hierarkisë së lartë ushtarake.

Ndani këtë artikull