Ad imageAd image

Bundesliga gjermane: Dortmund e Hoffenhaimi në Champions

2 min lexim

Bundesliga gjermane uli siparin me ndeshjet e javës së 34-t, të cilat u zhvilluan të gjitha pasditen e sotme në orën 15:30. Me titullin kampion që Bayerni e kishte hipotekuar disa javë përpara, sot u dhanë verdiktet mbi skuadrat që do të luajnë në kompeticionet europiane dhe ato që do të zbresin në Bundesligën e dytë.

Kështu përveç Bayernit e Schalkes, në edicionin e ardhshëm të Champions League do të luajnë edhe Hoffenhaim e Borusia Dortmund, të cilat sot u përballën me njëra-tjetrën dhe të parët fituan me rezultatin 3-0.

Nuk ia doli të luajë në Champions Bayer Leverkusen, pavarësisht fitores 3-1 ndaj Hannoverit. Aspirinat grumbulluan po aq pikë sa Dortmundi, por verdhezinjtë siguruan vendin në Champions, falë golavarazhit më të mirë.

- reklamë -
Ad imageAd image

Nga ana tjetër, Leverkusen do të duhet të kënaqet me një vend në Europa League, së bashku me Leipzigun, që fitoi në sfidën e sotme me rezultatin 2-6 ndaj Herthës.

Sa i përket rënies në Bundesligën e dytë, Kolnit iu bashkua Hamburgu, që zyrtarisht nuk do të jetë më pjesë e më të mirave në futbollin gjerman, pavarësisht fitores në javën e fundit. Në vendin e 3-të nga fundi u rendit Wolfsburgu, që do të duhet të luajë një ndeshje Play Out, për të vendosur fatin e tij, nëse do mbetet në Bundesligë, apo do shkojë një kategori më poshtë.

Në këtë javë të fundit tërhoqi vëmendjen humbja me rezultatin 1-4 e Bayern Munchen ndaj Stuttgartit, pavarësisht se Heynckes kishte hedhur në fushë 11-shen më të mirë.

Ndani këtë artikull