Pierre Mirel: BE duhet të përfshihet më shumë me problemet në Ballkan

Tuesday, 08 May 2018 09:33

Vendet e Ballkanit kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme politike, administrative dhe ekonomike, ndërsa pajtimi po zë rrënjë ngadalë – por autoritarizmi, nacionalizmi dhe korrupsioni ende e dëmtojnë rajonin, tha në një intervistë për BIRN, Pierre Mirel, Drejtori i Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor nga viti 2006 deri në 2013.

 

 

Që nga dalja e tij në pension në vitin 2013, Mirel ka shkruar një studim politikash me titull “Ballkani Perëndimor: Mes Stabilizimit dhe Integrimit në Bashkimin Europian”, të cilin e publikoi Fondacioni Robert Schuman në fund të janarit.

Aty ai paralajmëron se disa vende të Ballkanit po përpiqen të rishkruajnë historinë e dekadave të fundit duke lavdëruar kriminelët e luftës dhe duke fajësuar fqinjët e tyre për padrejtësitë historike.

“Përballja me të shkuarën ka mbetur kështu e kufizuar dhe nacionalizmi ka mbetur,” shkroi ai.
Mirel gjithashtu argumentoi se BE duhet të jetë më e ashpër ndaj liderëve të Ballkanit, duke filluar me Kroacinë anëtare në BE.

Ai tha se qasja ndaj vendeve të Ballkanit ishte shumë e butë, gjë që ka ndikuar në besueshmërinë e procesit të pranimit në BE.

“Kur Kroacia rehabiliton kriminelët e Luftës së Dytë Botërore, ose kur Republika Srpska e quan hero Ratko] Mlladiçin, ata jo thjesht që rehabilitojnë këta njerëz, por edhe duan ta rishkruajnë historinë, pavarësisht nga provat e prokurorisë dhe vendimet e gjykatave,” tha Mirel për BIRN.

Kështu, shtoi ai, ata përpiqen ta “portretizojnë vendin e tyre si një ‘viktimë’ të të tjerëve, ‘fqinjëve’, gjë që dukshëm pengon pajtimin”, vuri në dukje ai.

I pyetur nëse procesi i pajtimit në rajon po bën përparim të vërtetë, ai nënvizoi se ndërsa ka shumë deklarata në kundërshtim me pajtimin, disa hapa pozitivë po bëhen, duke kujtuar takimin historik në 2014 midis presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Rama ishte kryeministri i parë shqiptar që vizitoi Beogradin në pothuajse 70 vjet në nëntor 2014, ku Vuçiç u pajtua që ” kjo mund të hapë një kapitull të ri në lidhjet serbo-shqiptare”.

“Qeveritë… dhe BE duhet të mbështesin iniciativat e shoqërisë civile [për pajtim] si KOMRA dhe YIHR”, tha ai.

Gjuhë më e ashpër dhe angazhim më i madh
Mirel tha se deklaratat më të ashpra nga BE-ja duhet të shoqërohen me përfshirje më konkrete.

“Kritika më ashpra, pa mbështetje nuk do të sjellin ndryshime”, tha Mirel, i cili në studimin e tij politik bën thirrje për krijimin e një “Fondi për Lidhjen” nga buxheti i Europës.

Ai argumenton se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për lidhje të përmirësuara, siç janë transporti, që janë “thelbësore për qytetarët, investitorët dhe tregtarët”.

Mirel thotë se Procesi i ashtuquajtur i Berlinit, iniciativa e BE-së e nisur në vitin 2014 për të zhvilluar ekonomitë në të gjithë Ballkanin, ishte një hap i mirë, pasi i dha theks projekteve të “agjendës së lidhjes”.

“Por fjalët duhen ndjekur nga vepra,” theksoi Mirel, duke shtuar se BE-ja duhet të ofrojë burime serioze për projekte në Ballkan.

“Kështu të ketë rëndësi rritjeja e konsiderueshme të fondeve – të lidhura me reformat thelbësore: sa më shumë reforma, aq më shumë fonde,” tha ai.

Ai i kërkon BE-së të rrisë gradualisht por në mënyrë të konsiderueshme fondet para-pranimit.
“Vendet kanë nevojë për më shumë fonde tani dhe më pak fonde pas pranimit,” shtoi ai.

Këto stimuj të prekshëm, nënvizoi ai, duhet të çojnë në një “konkurrencë të mirë midis vendeve”. E njëjta qasje duhet të ndiqet për çështjet dypalëshe.

Kjo duket se përputhet me strategjinë e re të Ballkanit që Komisioni Europian lançoi në shkurt.
Ai ofron ndihmë për gjashtë shtetet aspirante të BE, por këmbëngul që të gjithë anëtarët e mundshëm duhet të bëjnë reforma dhe të shprehin angazhim të qartë ndaj “vlerave themelore” të bllokut europian.

“Strategjia i emërton problemet drejtpërdrejt: kapja e shtetit; krimi i organizuar i lidhur me disa politikanë. Këto janë fakte që për fat të keq qytetarët e Ballkanit i dinë shumë mirë”, tha Mirel duke vlerësuar “gjuhën e thjeshtë dhe vlerësimin e qartë” të strategjisë.

Ai shtoi se strategjia ishte e mirë, sepse lidhi reformat kyçe me rritjen e financimit dhe mbështetjen për më shumë aktivizëm nga shoqëria civile.

“Jep një perspektivë realiste për dy vendet – Serbinë dhe Malin e Zi – të angazhuar tashmë në negociatat e pranimit, nëse ato ndjekin rrugën me vendosmëri,” vuri në dukje ai.

Vendeve të tjera u mbetet ende të demonstrojnë që mund të bëhen kandidatë për anëtarësim, shtoi ai.
Megjithatë, strategjia “jep shpresë për Shqipërinë dhe Maqedoninë se negociatat mund të hapen së shpejti nëse reformat ndiqen. Procesi shqiptar i vetingut të magjistratëve është në fakt një fillim madh për një reformë ambicioze të gjyqësorit”.

Mirel theksoi se Serbia dhe Mali i Zi kanë arritur shumë në kapitujt e pranimit teknik.
Por ai thotë se ato kanë bërë shumë më pak në kapitujt 23-24 (për të drejtat dhe liritë themelore), ku kërkohet “prova reale” dhe të cilat ai i quajti themelore për ritmin e përgjithshëm të negociatave.

“Përveç kësaj, Serbia duhet të rregullojë marrëdhëniet me Kosovën. Prandaj viti ‘2025’ [si një datë e anëtarësimit] është realist nëse të gjithë palët serbe punojnë fort së bashku,” tha ai.

Ai nënvizoi se anëtarësimi në BE është “çështje e dialogut, punës së përbashkët dhe vendosmërisë”.
Një pikë e rëndësishme që thekson strategjia e re është që “anëtarësimi në BE është zgjedhje”, vuri në dukje Mirel.

“Anëtarësimi me BE është zgjedhje: asnjë vend nuk është i detyruar, është një vendim vullnetar. Me t’u marrë si vendim, rruga është e vështirë. Por ia vlen ta ndjekim sepse kemi të njëjtën gjeografi dhe histori dhe i përkasim asaj pjese të kontinent ku është koha për të përmbushur projektin e paqes”.

Amerika, Europa dhe ‘beteja e ndikimeve’
I pyetur për rolin e SHBA-së dhe BE-së në atë që ai e quan “beteja e ndikimeve perëndimore dhe lindore në Ballkan”, Mirel tha se është e vështirë të krahasohet një shtet siç është SHBA me një politikë kombëtare, me një organizatë siç është BE-ja, anëtarët e së cilës mund të mbajnë pozita të ndryshme, si për Kosovën dhe Maqedoninë”.

“Politika e zgjerimit të BE-së bazohet në unanimitet, kur një anëtar kundërshton pikëpamjen, kjo e dobëson grupin dhe ul fuqinë e tij diplomatike. Të gjitha familjet kanë karakteristikat e tyre, por është për të ardhur keq që kjo ndikon në këtë farë mase në politikën e jashtme të BE-së”, tha Mirel.

Ai shtoi se SHBA priret të mbajë një qëndrim më “bardhë e zi, duke shpërfillur shpesh situatat delikate vendore”.

“Gjithashtu, SHBA nxit që vendet të anëtarësohen në BE dhe NATO. Kjo është e dëmshme për BE-në ku ka vende që nuk janë anëtare të NATO-s, duke krijuar kështu konfuzion për procesin dhe për vendet që aspirojnë të qëndrojnë neutrale”, tha ai.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...