Ad imageAd image

Bllako, shëtitje me Zoton në Torino, SPAK zbulon udhëtimin e përbashkët

2 min lexim

 

Alqi Bllako nuk është munduar të fsheh aspak njohjen e tij me Klodian Zoton, biznesmenin e plehrave, emri i të cilit gjendet në kontratat koncensionare të tre inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Prokuroria Speciale ka identifikuar të paktën një udhëtim të tyre të përbashkët. Nga hetimet e SPAK-ut ka rezultuar se në 16 Prill të vitit 2019, Alqi Bllako ka udhëtuar me kompaninë ‘Blue Panorama’ drejt Torinos, në Itali, së bashku me shtetasin Klodian Zoto.

- reklamë -
Ad imageAd image

Po ashtu, ata janë kthyer sërish bashkë në Shqipëri. Sipas SPAK-ut, Bllako dhe Zoto kanë mbërritur në Tiranë një ditë më pas, në 17 Prill 2019, kësaj radhe me fluturimin e kompanisë ‘Alitalia’.

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, ka pasur një rol thelbësor në hartimin dhe nënshkrimin e kontratave koncensionare për inceneratorin e Fierit dhe atë të Tiranës, gjatë kohës që ka mbajtur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit.

Koncensioni i Fierit, me vlerë rreth 30 milionë euro, është fituar nga kompania ‘Integrated Technology Waste Treatment’, e cila është në pronësi 70 përqind të Klodian Zotos. Ndërsa koncensioni i Tiranës, me kosto ndërtimi 128 milionë euro, është fituar nga ‘Integrated Energy BV’, në kohën kur drejtor i saj kryesor ka qenë Klodian Zoto.

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Parlamenti dhënien e autorizimit për arrestimin e tij. Ndërkohë, vetë Bllako, njoftoi mbrëmjen e së Martës në rrjete sociale se ka vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit dhe të vendoset në dispozicion të drejtësisë si qytetar i thjeshtë.

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë ka caktuar mbledhjen për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë speciale ditën e sotme, në orën 18.

Ndani këtë artikull