Ad imageAd image

Operacioni ‘Shpirti’/ VOA: Si u zbulua organizata e trafikut ku bënin pjesë zyrtarët e lartë

4 min lexim

 

Të paktën 38 persona, anëtarë të katër grupeve kriminale që trafikonin lëndë narkotike, janë vënë nën arrest gjatë një operacioni të autorizuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), falë një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me prokurorinë antimafia të Italisë dhe të koordinuar me Eurojust-in, Agjencia e Bashkimit europian për bashkëpunimin gjyqësor në luftën kundër kriminalitetit.

Operacioni me emrin e koduar ‘Shpirti’ është shtrirë dhe në Itali, Mal të Zi, e Spanjë.

- reklamë -
Ad imageAd image

 

 

Në pranga kanë përfunduar dhe zyrtarë të lartë shqiptarë që dyshohen të jenë përfshirë në aktivitetin e grupeve të narkotrafikut. Mes tyre prokurori i Vlorës Maksim Sota (në arrest shtëpie), Ilirjan Balla, ish nëndrejtori i Vlorës, aktualisht në sektorin e luftës kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, Festim Lelaj, ish shef i Rendit në Fier dhe një periudhë kohe pjesë e sektorit të antidrogës, i arrestuar më herët si i përfshirë në trafikimin e 2.5 ton marijuanë drejt Italisë, Artur Krasniqi, oficer policie në Portin e Durrësit si dhe Agustin Deda dhe Hekuran Marku, të cilët në periudhën për të cilët akuzohen se kishin role aktive në grupet kriminale, ishin pjesë e grupit të shoqërimit të ministrit të atëhershëm të Brendshëm Saimir Tahiri.

 

Sipas njoftimit të SPAK-ut ‘zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë’.

Operacioni i sotëm është vijim i dy operacioneve të mëparshme të zhvilluara në vitin 2018 dhe 2020 ‘Shefi’ dhe ‘Kulmi’. Sipas një njoftimi të SPAK-ut ‘nga hetimet e bëra nga muaji Maj 2019 deri në Janar 2021, është bërë e mundur të mblidhen të dhëna të rëndësishme ndaj 38 shtetasve shqiptar, pjesëtar të katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuara, vepruese nga viti 2014 deri ne vitin 2017, në Shqipëri dhe në kontakt me organizatat kriminale bareze, në gjëndje të dërgonin në Evropë – duke zbarkuar në Puglia – sasi të konsiderueshme lënde narkotike’, marijuanë, heroinë dhe kokainë.

Falë të dhënave të grumbulluara nga hetimet e mëparshme e sidomos informacioneve të detajuara të marra nga 4 bashkëpunëtorë të Drejtësisë, të arrestuar më herët prokurorët shqiptarë dhe italiën ‘kanë rindërtuar, të dhëna për shkelje të ligjit dhe veprime korruptive te kryera nga zyrtar publik shqiptar, pastrim parash, po ashtu të gjithë ‘zinxhirin e prodhimit’ të lëndës narkotike, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve pugliese me mjete lundruese të fuqishme’.

Përveç arrestimit të pjesëtarëve të katër organizatave kriminale është bërë dhe sekuestrimi i pasurive që ato zotëronin, kryesisht në qytetin e Vlorës, në Kavajë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera shqiptare. Bëhet fjalë për apartamente, troje, restorante, njësi tregtare, (12 pasuri të paluajtëshme), 4 shoqëri tregtare bashkë me asetet e tyre dhe disa automjete, . Në total llogaritet që vlera e tyre të jetë mbi 3 milion euro.

Gjatë disa goditjeve që u janë dhënë ndër vite këtyre organizateve kriminale, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijunë, kokainë e hashish, duke i hequr atyre të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro

Ndani këtë artikull

Gjykata Kushtetuese: Shembja e Teatri Kombëtar, krim i rëndë antikushtetues dhe ligjor

7 min lexim

 

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot të gjitha veprimet e qeverisë dhe bashkisë së Tiranës në shembjen e Teatrit Kombëtar.

Sipas gjykatës, të gjitha vendimet e marra janë anti kushtetues.

- reklamë -
Ad imageAd image

 

Gjykata është shprehur se Bashkia nuk mund të jetë pronare e truallit të tokës së Teatrit Kombëtar dhe në këtë mënyrë, nuk mund të bëjë asnjë veprim.

 

Më poshtë keni të shpjeguar interpretimin në mënyrë më të thjeshtë, vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese:

Presidenti Republikës dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar triumfojnë në çështjen e Teatrit Kombëtar.

Gjykata Kushtetuese pranoi të dy kërkesat e Presidentit të Republikës të bëra në 24 korrik 2019 dhe 14 maj 2020.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin special nr.37/2018 ‘Për ndërtimin e Teatrit te Ri, me Kulla, sipas projektit Fusha’.

Gjykata Kushtetuese, shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 377, datë 8 maj 2020 që i kaloi në pronësi Bashkisë Tiranë, Teatrin Kombëtar me qëllim prishjen e tij dhe ndërtimin e Teatrit të Ri.

Bashkia Tiranë sot nuk është më pronare e truallit të Teatrit Kombëtar.

Shembja e Teatrit Kombëtar, tashmë faktohet se ishte një krim i rëndë kushtetues dhe ligjor.

Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe Këshilli Bashkiak nuk respektoi kërkesat e Kontrollit të Larte të Shtetit, të datës 14 maj 2020 që i kërkonte PEZULLIMIN e çdo veprimi dhe vendimi mbi Teatrin Kombëtar derisa sa të përfundoje shqyrtimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të dy kërkesat e ngritura nga Presidenti për Ligjin Special dhe VKM.

Kryeministri sot u faktua se e prishi Teatrin Kombëtar në kundërshtim me Kushtetutën.

Sot u faktua se Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë shkelen Kushtetutën dhe Ligjin në bashkëpunim për të fshirë nga memorja kolektive identitetin tonë kulturor kombëtar.

Sot SPAK duhet të veprojë.

Sot Kryeministri, kreu i Bashkisë dhe ministri i Kulturës duhet të merren te pandehur. Ata prishën Teatrin në kundërshtim me Kushtetutën.

Krimi tashmë është faktuar.

SPAK dhe KLSH duhet të veprojnë. Asnjë veprim mbi truallin e Teatrit derisa të përfundojë çështja penale dhe te zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Asnjë veprim nuk legjitimohet më.

Bashkia Tirane nuk mund të ndërtojë aty asgjë, pasi pronësia e saj u shpall antikushtetuese.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:

– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 ‘Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’’ (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave ‘Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë’(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, ‘Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar’, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit ‘Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar’ (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.

– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

– Ligji nr. 37/2018 cenon:

Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;

Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;

Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.

– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:

Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.

Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 ‘Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’’, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave ‘Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë’, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, ‘Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar’, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit ‘Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar’, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar

Ndani këtë artikull