A do e bindim dot Gjermaninë dhe Francën për kanabisin e Tahirit?

E mërkurë, 18 Prill 2018 17:24

Qeveria shqiptare duhet të bindë të paktën dy prej “superfuqive” europiane, Francën, por sidomos Gjermaninë, se janë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave. Presidenti francez, Emanuel Macron u shpreh skeptik pak ditë më parë për zgjerimin e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Ai deklaroi para Parlamentit Europian se vendet e BE-së duhet të impenjohen që vendet ballkanike që aspirojnë familjen europiane, të mos anojnë nga Turqia dhe Rusia. Por nga ana tjetër, ai deklaroi në mënyrë të përmbledhur se sheh që vendet aspirante, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë, duhet të përmbushin shumë standarte.

Dhe, në fakt, qeveria shqiptare ka një përgjegjësi të madhe për këtë qëndrim skeptik të Francës. Gjatë periudhës 2015-2017, mijëra qytetarë shqiptarë aplikuan për azilantë në Francë, duke mbajtur për shumë kohë vendin e parë për nga numri i kërkesave. Madje edhe para qytetarëve nga vende që janë në konflikt, si Siria, Afganistani, etj. Politikat e dështuara ekonomike të qeverisë shqiptare detyruan qytetarët që të “mësyjnë” vendet europiane, ku Franca ishte një prej destinacioneve më të preferuar të azil-kërkuesve, pavarësisht se nuk kishin asnjë mundësi për të fituar këtë të drejtë.

“Prova” e Edi Ramës para “mama Merkelit” të Gjermanisë do të jetë akoma më e vështirë. Gjermania, njëlloj si Franca, ka problem të madh me numrin e lartë të azil-kërkuesve shqiptarë. Por, nga ana tjetër, agjencitë ligjzbatuese gjermane kanë ngritur prej kohësh alarmin e trafikut të drogave të forta që hyjnë në vendin e tyre nëpërmjet Shqipërisë.

Qeveria shqiptare, në rastin më të mirë, ka dështuar në mënyrë spektakolare për të frenuar trafikun e kokainës dhe heroinës me origjinë nga Amerika Latine dhe Azia, që kalon nëpërmjet territorit tonë drejt vendeve të Bashkimit Europian, e kryesisht Gjermanisë.

Ndërsa në rastin më të keq, dështimi në luftën kundër këtyre trafiqeve lidhet me aleancat fluide që kanë ndërtuar trafikantët me zyrtarë të lartë, përfshirë drejtues policie dhe në nivele të tjera administrative.

Në fakt, shqetësimi i autoriteteve gjermane përligjet edhe nga kronikat kriminale në Shqipëri. Dy nga rastet më domethënëse të zbulimit të trafikut të kokainës në Shqipëri lidhen pikërisht me Gjermaninë. Dhe, reagimi i autoriteteve shqiptare ka ardhur vetëm në bazë të informacioneve dhe këmbënguljes së agjencive ligjzbatuese gjermane.

Në Janar 2015 u zbulua në Xibrakë të Elbasanit laboratori më i sofistikuar i përpunimit të kokainës në Shqipëri. Cilësia e këtij laboratori ishte dëshmi e qartë se vendi ynë ishte “çertifikuar” nga grupet kriminale për seriozitetin dhe efikasitetin. Nga ndërhyrja policore në bazë të informacioneve gjermane, që në fakt ishte tërësisht e parakohshme, u arrestuan disa persona, kryesisht pjesëtarë të nivelit të ulët dhe të nivelit të mesën në grupin kriminal. Hetimet nuk zbuluan asnjë prej organizatorëve dhe kokave të rrjetit kriminal. Ky hetim u konsiderua i papërfunduar nga autoritetet gjermane, të cilat e panë me skepticizëm angazhimin e strukturave hetimore shqiptare.

Në Shkurt 2018, rreth 618 kg kokainë u kap pasi kishte dalë nga Porti i Durrësit. Destinacioni final i ngarkesës më të madhe të kësaj lënde narkotike të kapur në Shqipëri, ishte sërish Gjermania. Njëlloj si në rastin e Xibrakës, informacioni erdhi nga autoritetet gjermane. Por, po njëlloj, autoritetet shqiptare kanë dështuar, deri më tani, të zbulojnë organizatorëtë dhe drejtuesit e rrjetit të fuqishëm kriminal. Aktualisht, pas hekurave janë vetëm dy shoferë, një rezultat që nuk bind aspak agjencitë ligjzbatuese gjermane se qeveria shqiptare e ka seriozisht luftën kundër krimit të organizuar.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...