Rënia e Euros, Banka e Shqipërisë bën lëvizjen e fundit

Saturday, 16 June 2018 08:27

Banka e Shqipërisë zbrazi arsenalin e politikës monetare, duke konsumuar pothuajse të gjitha mundësitë për uljen e mëtejshme të kostos së parasë. Sa po e ndihmon lehtësimi i interesave qarkullimin e lekut dhe inflacionin. Ndërhyrja e Bankës në forcimin e euros

Teksa monedha kombëtare, leku, ka prekur majat në tregjet e këmbimit valutor sidomos ndaj euros, “çmimi” i tij, i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet mekanizmit të interesit bazë, ka prekur fundin.

Autoriteti Monetar e uli normën bazë në 1% më herët javën e kaluar nga 1.25% që ishte më parë, duke e çuar në një rekord të ri historik çmimin zyrtar të parasë. Me këtë lëvizje, Banka e Shqipërisë ka konsumuar të gjithë arsenalin e politikës monetare, pasi çdo ulje tjetër poshtë këtij niveli do të ishte e paefektshme, sipas ekspertëve të saj.

Por “guri” i fundit i Bankës synon të vrasë dy zogj. Së pari, të “ushtrojë” presion psikologjik mbi treg për të ulur vlerën e këmbimit ndaj euros dhe së dyti, për të ndikuar në rritjen e inflacionit drejt objektivit 3%. Më pas pritet të ketë rënie në normat e interesave të depozitave dhe kredive në banka në monedhën vendase. i gjithë ky proces synon të lehtësojë qarkullimin e lekut. Duke qarkulluar më shumë lek, vlera e tij vjen me rënie dhe po ashtu, çmimet e mallrave.

Veprimi i dytë ishte deklarata e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun valutor, me synim ndalimin e forcimit të euros, që sipas bankës kishte dalë përtej parashikimeve. Monedha e përbashkët arriti në datën 5 qershor në nivelin më të ulët në 10 vite, duke u këmbyer me 124.17 lekë, duke humbur gati 10 lekë në krahasim me fillimin e vitit. Tregjet reaguan me shpejtësi pas kësaj deklarate dhe euro i ngjit brenda tre ditësh në 127.6 lekë.

Norma bazë, BSH hyn në territor të paeksploruar

Me nivelin ri të normës bazë të interesit, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është duke eksploruar në terren të panjohur, pasi përqindja nuk ka qenë asnjëherë në histori kaq e ulët, që kur ky instrument nisi të aplikohej në fillim të vitit 2000.

Banka e Shqipërisë filloi lehtësimin e politikës monetare në shtator 2011, dhe që atëherë ka ulur vazhdimisht normën bazë, duke e zbritur në 1.25% në maj 2016, për të pasur më pas një pauzë 2 vjeçare deri në uljen e fundit. Përmes kësaj lëvizjeje, institucioni monetar qendror synonte të ndikonte në uljen e kostos së parasë, duke i bërë kreditë më të lira dhe njerëzit më të interesuar të shpenzonin dhe të mos mbanin paratë në banka (për shkak të normave të ulëta të kthimit), veprime që do të nxisnin qarkullimin e parasë në ekonomi.

Por, vitet e fundit, pavarësisht uljes agresive të kostos së parasë, qarkullimi i parasë në treg në vend që të rritej ka ardhur në ulje. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, oferta monetare që simbolizon paranë në qarkullim nga viti 2010 ka ardhur në ulje, duke shënuar rënien më të madhe historike në 4 -mujorin e parë 2018 me rreth 36 miliardë lekë më pak se njëjta periudhë e një viti më parë.

Njohësit e politikës monetare shpjegojnë se paraja në qarkullim ka rënë për shkak të politikës fiskale të shtrënguar të qeverisë që është treguar e kursyer në rritjen e rrogave dhe pensioneve në investimet publike. Edhe rritja e taksave ka ndikuar negativisht, pasi ka frenuar investimet e bizneseve. Një shkak tjetër konsiderohet mungesa e kredisë. Bankat prej vitesh po përballen me kërkesë të dobët për hua, sidomos nga bizneset, por edhe vetë ato janë më të kujdesshme në huadhënie, për shkak të nivelit të kredive të larta me probleme që ka pasur sistemi, që arriti deri në 25% tre vite më parë..

Në vetvete, norma bazë e interesit përdoret nga Banka e Shqipërisë si një mjet jo i drejtpërdrejtë për të kontrolluar paranë në qarkullim me synim për të mbajtur çmimet në kontroll sipas objektivit të synuar 3%.

Por studimet e brendshme të Bankës së Shqipërisë në vite kanë treguar se ndikimi i kursit të këmbimit tek çmimet është më i madh se ndikimi që ka mekanizmi i normës së interesit.

Në dekadën e kaluar, 25% e ndryshimit në kursin e këmbimit lek-euro është transferuar në çmimet e tregut. Por ky ndikim ka nisur të zbutet disi pas vitit 2011, sidomos vitin e fundit. Monedha vendase është forcuar gati me 10 lekë nga fillimi i vitit deri në mesin e javës së kaluar, teksa inflacioni në vend ka qenë në rritje graduale këta 5 muaj duke shkuar në 2.1% në maj, nga 1.7% që ishte në janar.

Emergjenca

Tregu valutor humbi ekuilibrin së fundi, duke shfaqur vlera ekstreme te cilat Banka nuk ka mundur t’i parashikojë. Pas nënçmimit të shpejtë të lekut javën e kaluar, Guvernatori Genti Sejko njoftoi se, Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë në treg për të frenuar mbiçmimin e lekut me dy mjete. Së pari, nëpërmjet operacioneve monetare në treg, duke blerë valutë dhe duke ulur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje në 1% për të ndihmuar qarkullimin e lekut. Këto dy masa e kanë ndikuar tregun menjëherë.

Monedha e përbashkët ka shënuar rritje të fortë që pas deklaratës publike të guvernatorit. Vetëm në tre ditët e fundit, euro është mbiçmuar me 3.41 lekë, duke arritur në nivelin më të lartë që nga fillimi i muajit maj.

Arsyeja kryesore e këtij forcimi të shpejtë lidhet me ndërhyrjen në treg të Bankës së Shqipërisë, guvernatori i së cilës deklaroi disa ditë më parë se institucioni monetar qendror do të blinte valutë në treg për të frenuar mbiçmimin e lekut që kishte dalë përtej parashikimeve.

Përtej ndërhyrjes, efekti psikologjik këtë herë ka vepruar në të kundërt, duke përshpejtuar mbiçmimin e euros, ndryshe nga pak ditë më parë, kur pritshmëritë për një rënie të euros po zhvlerësonin më shumë monedhën e përbashkët.

Nga ana tjetër, inflacioni ka vijuar të rritet në maj, edhe pse kursi i këmbimit do t’i bënte çmimet e importeve më të lira e për rrjedhojë, edhe çmimet e mallrave në tregje më të lira. inflacioni në muajin maj arriti në 2.1%, duke ju afruar objektivit të Bankës së Shqipërisë, 3%. Ky ishte niveli më i lartë i ndryshimit mujor që nga qershori 2017.

Sipas INSTAT, çmimet u rritën në të gjitha grupet kryesore të produkteve të konsumit, por ritmin më të lartë e patën ushqimet dhe uji. Çmimet kanë nisur të rriten para se Banka e Shqipërisë të veprojë për të rritur më tej çmimet, duke stimuluar paranë në qarkullim nëpërmjet uljes së normës së interesit.

Normaliteti i politikës monetare, me interes bazë 5%

Që nga shtatori 2011, norma bazë e interesit është poshtë nivelit optimal. Sipas vlerësimeve të brendshme të Bankës së Shqipërisë, normaliteti i normës bazë të interesit është 5%. Çdo përqindje tjetër me diferencë nga niveli 5% konsiderohet jonormale.

Instrumenti i normës bazë të interesit për të kontrolluar paranë në treg dhe çmimet nisi të aplikohej në fillim të viteve 2000. Kjo përkoi me liberalizimin e thellë të tregut bankar dhe hyrjen e operatorëve të rinj, teksa Banka e Shqipërisë e pati të vështirë të kontrollojë qarkullimin e parasë nëpërmjet instrumenteve direkte dhe te përdorur si mjet për kontrollin e qarkullimit monetar normën bazë të interesit.

Një përqindje e lartë e interesit bazë frenon qarkullimin e parasë në ekonomi, pasi agjentët janë të prirë të investojnë paratë në kursime, për shkak të interesave më të larta. Në të kundërt, një interes më i ulët i normës bazë dikton uljen e normës së interesave, duke e bërë më të lehtë kreditimin dhe pak favorizues kursimin. Në këtë mënyrë rritet qarkullimi monetar e për pasojë, edhe çmimet.

Në vitin 2001, norma bazë e interesit ishte 7%, më tej ajo arriti kulmin 8.5% gjatë vitit 2003 si rrjedhojë e inflacionit 5%. Norma bazë e interesit dhe niveli i inflacionit përgjithësisht kanë ecur në të njëjtën linjë. Pas vitit 2008, kur kriza ekonomike përfshiu edhe Shqipërinë dhe bankat u përballën me moskthim të lartë të kredisë, Banka e Shqipërisë ktheu timonin e politikës monetare në krahun e poshtëm, duke aplikuar ulje të kostos së parasë për të ndihmuar furnizimin e tregjeve me likuiditet. Norma bazë nga 8.5% në 2003, shkoi në 5% më 2011, ndërsa aktualisht është 1%, teksa inflacioni nga rreth 5% më 2002 gradualisht u stabilizuara në 2.5-3% nga viti 2004-2011. Pas kësaj periudhe, deri më 2018, inflacioni përgjithësisht ka qenë poshtë objektivit të poshtëm 2% që ka Banka e Shqipërisë.

Kredia nuk u nxit

Politika e interesave të ulëta nuk e ka nxitur kredidhënien. Ulja më katër pikë përqindje e normës bazë të interesit që nga 2011, nuk e ka çliruar aspak huadhënien për ekonominë. Sipas Bankës së Shqipërisë stoku i kredisë mbetet i pandryshuar madje me tendencë ulje dy vitet e fundit.

Teorikisht ulja e normës bazë të interesit duhet të transmetohej në interesa më të ulëta për huanë dhe kjo realisht ka ndodhur, por kjo nuk e ka nxitur kredisë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë stoku i kredisë ishte 1.5% më i ulët se i dhjetorit 2012 kur nisi ulja agresive e normave të interesit. Faktorë të tjerë, si kërkesa e ulët e bizneseve, kujdesi i shtuar i bankave apo dhe mungesa e projekteve fisibël kanë qenë më të rëndësishëm për ecurinë e kredidhënies.

Interesat e ulëta nuk kanë ndihmuar qarkullimin e lekut

Sasia e parasë gjithsej që qarkullon në ekonomi ka shënuar rënie historike në katër muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në muajin prill, paraja gjithsej (agregati M3) arriti në 1.23 trilionë lekë. Në krahasim me fundin e vitit 2017, ky tregues ka rënë me 36 miliardë lekë (apo rreth 270 milionë euro), që është dhe tkurrja më e fortë historike, të paktën që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Paraja gjithsej ka pasur tendencë rritëse deri në vitin 2013 (me përjashtim të periudhës 2008-2009, kur u konstatua tërheqje e depozitave si rrjedhojë e panikut të krijuar nga kriza globale) dhe më pas ka filluar rënia e saj, për të arritur kulmin në katër muajt e parë të 2018-s.

Kjo tendencë, ka ardhur pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë lehtësuese monetare që nga mesi i vitit 2011, përmes uljes së normës bazë të interesit, që aktualisht është në nivelet minimale historike prej 1%, nga 5.25% në shtator 2011. Teorikisht, ulja e interesave duhet të kishte gjeneruar më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet dhe rritjen e parasë në qarkullim.

Në mënyrë paradoksale, paraja gjithsej në ekonomi po vjen në ulje. Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’u dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve.

Dr. Selami Xhepa, eksperti i ekonomisë dhe dekan në Fakultetin Ekonomik, UET, thotë se zhvillimet monetare i duken befasuese dhe krejt të pazakonta. Ai thotë se rënia e masës monetare ka vetëm një shpjegim: rënien ekonomike.

Interesat nuk rriten para fundit të 2019-s

Banka e Shqipërisë do të mbajë një nivel të ulët interesash deri në fund të vitit 2019. Për të zbutur efektet negative të kursit të këmbimit në inflacion, Banka e Shqipërisë ka shtyrë projektet për ndryshimin e kursit të politikës monetare.

Projeksionet tregojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit të ardhshëm. Krahasuar me vlerësimet e mëparshme, përmbushja e objektivit të inflacionit do të kërkojë një politikë monetare më akomoduese në afatin e mesëm. Në bazë të informacionit aktual të disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të dytë të vitit 2019. Monitor

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...