Mjerimi që kemi tek porta

Tuesday, 25 December 2018 17:36

Nga Namir Lapardhaja

“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi. Kafshatë që të mbetet në fyt edhe të zë trishtimi….”

Mjerimi nuk është metaforë. Nuk ka figurë letrare, simbol, krahasim, që e përmbledh mjerimin. Mjerimi nuk është propagandë. Nuk ka krah politik. Nuk ka besim, fe, organizatë. Mjerimi nuk ka përkufizim. Mjerimi, or vlla, ka veshur petkun njerëzor. Ka mrrolur fytyrën nga dielli, ka kruspull kokë e këmbë bashkë. Mjerimit i drithërojnë duart nga vuajtjet, i është tharë goja nga etja, i kullojnë djersët nga zhegu. Mjerimi ka pllakosur.
Sa del nga shtëpia të duhet të përballesh me të. Ti del, vendos të ecësh në këmbë. Përballja e parë është me ata në lagje me të cilët jeton. Nuk njeh asnjë. Të gjithë fytyra të reja, në ballin e të cilëve është skalitur Mjerimi. Po të dikurshmit ku janë? Ku janë atë me të cilët je rritur dikur, ke luajtur, je grindur. Askund. Nuk gjendet askush. Përkundrazi.
I pari që të del përballë është pikërisht robi i ngratë i Mjerimit. Është ai që vetëm pak kohë më parë të ka vjedhur në bahçe. Të ka marrë çka gjetur. Dhe ti e di. E sheh në sy. Dhe ai të sheh. Ti sheh Mjerimin përballë. Ai… nuk e di se ç’sheh. Me siguri që edhe ai diçka sheh.
Vijon të ecësh dhe vështron dikë tjetër. Dimri i egër dhe i ftohtë e bëri të ngrahtin të të vidhte drutë e zjarrit. Sigurisht që do ta bënte. Mjerimi kishte pllakosur në shtëpinë e tij. Nëna e sëmurë që dha shpirt vetëm pak kohë më parë duhej të ngrohej. Dhe bëri shumë mirë. Shumë mirë bëra dhe unë e im atë, që teksa e vështronim nga pas dritares, na u dhimbs dhe e mëshiruam. I trishtuar nga dhimbja e tyre m’u desh ta ngushëlloja teksa shkëmbehesha me të në rrugë. – “Nëna t’ju ketë lënë uratën, – i thashë një ditë Mjerimit, – të rroni e ta kujtoni.”
O Zot, shyqyr dhe kaq! Shyqyr që Mjerimi i ka përkufizuar deri tek vjedhja fshehurazi e druve të mia të zjarrit, sepse mund të kishte edhe më keq.
Të duhet të ecësh më tej. Dhe sheh një peng të Mjerimit prej sa e sa vitesh. U bë protagonist edhe i televizioneve kombëtare, për shkak se një prokuror, s’di se kush dhe s’di për se, e kishte çuar çështjen e tij në gjykatë dhe kërkonte arrest më burg, për vjedhjen e një çadre. Ishte një nga ato netët e ftohta të “Të mjerëve” të Hygoit dhe Zhan Val Zhani ynë nuk kishte vjedhur një bukë, por një çadër. U kërkua arrest me burg për të. Por, a mund të arrestohet dhe të vihet pas hekurave Mjerimi?! Ti e sheh Mjerimin përditë. Dhe ai të sheh ty e të pyet dhe sa do të vazhdojmë kështu?! E ç’t’i thuash. Ai ka lindur në Mjerim. Një jetë të tërë e ke parë të rend mespërmes Mjerimit. A ka përgjigje për Mjerimin e tij?! Dalja në rrugë kryesore është thellësisht e mjerueshme. Njerëz që janë aty s’dihet prej sa e sa vitesh. Po mos ta kishe të qartë konceptin kohë dhe hapësirë, do të dukej se ata ishin aty që në prej histori. Janë të njëjtat fytyra. Të ulur ose me gotën e rakisë përpara, ose përballë tavolinave të dominove, ose duke luajtur letra dhe një shpurë e madhe mbi kokat e tyre që bën tifo, herë për njërin e herë për tjetrin.
Ky është mëngjesi i Mjerimit, që, fatkeqësisht, zgjat aq sa zgjat dita. Dhe në darkë të duhet të ikësh në shtëpi, të vdesësh provizorisht e të rilindësh në një ditë të re.
Po a ka ditë të re për Mjerimin?! Të gjitha ditët e Mjerimit janë të njëjta. Duken sikur e djeshmja është e sotmja dhe e nesërmja e djeshmja. Është një përsëritje e vetvetes në mjerim e sipër. Derisa vjen vdekja. Por a mund të vdesë Mjerimi?! A mund të vdesë diçka që s’ka jetuar kurrë?!
Si mund të vdesin njerëzit kaq të mjerë?! Si mund të sëmuren? Si mund të vuajnë?! A mund të sëmuret dhe a mund të vuajë Mjerimi?! Dyqane pafund që imitojnë shëmtueshëm njëri-tjetrin….
Butik…Butik… Butik… Lokal….Lokal….Lokal….Lloto….Lloto…Lloto….
Dhe brenda vetëm Mjerim. Vetëm shitësit që kanë harruar edhe të shesin, edhe të blejnë.
Mjerimi është ulur këmbëkryq. Mjerimi s’ka mundësi të blejë. As të shesë. Si mund të blejë dhe
të shesë Mjerimi?!
Mjerim në ide. Mjerim në kreativitet. Asnjë gjë e re. Asnjë risi, intuitë, imagjinatë, eksperiment.
Mjerimi është një kopje e shëmtuar e njëri-tjetrit. Të gjithë i prishin punë të gjithëve dhe askush nuk del i fituar. Mjerimi të del përballë: “Ke ndonjë të hollë…?! – të thotë, dhe të ndjek nga pas me dorën varur. Dhe ty që të duhet të shpeshtosh hapat dhe je i detyruar të bësh sikur nuk e dëgjon. Po a nuk të dhashë dje?! Po pardje?! Po mbipardje?! A mund të përsëritet e njëjta histori me Mjerimin përditë?! Dhe pak më tej është i njëjti mësues i dikurshëm i bio-kimisë, jetë e të cilit ka shkuar për dreq dhe sëmundja mendore nuk e ka lënë ta vijojë më tej normalisht jetën. E pyetja e tij e përhershme, përsëritur këtu e dhjetë vjetë të shkuara: “Ende mësues je? Çfarë lënde je? Të lodhin nxënësi? Mësojnë?! Në kohën tonë ishte ndryshe!!”
Të duhet t’i japësh të njëjtat përgjigje, ndërkohë për ta shmangur të duhet të takosh shpejt e shpejt, berberin-memec, protagonist në një emision mjaft të ndjekur në fundjavë në një televizion kombëtar. Të duhet ta takosh se ke kohë pa a takuar, ta urosh për daljen në TV. Mirëpo, atij as që i intereson. Me shenjat e një gjuhe të njohur vetëm për të, ai të duket sikur të thotë që gjërat janë si mos më keq. Nxito… Ik… Largohu…. “Likujdim total i mallit”, “Jepet me qira”, “Shitet”, “Ulje 50%”, “Mbyllur”… “Linja 150”… Janë vetëm disa prej tabelave të Mjerimit, ndëkohë që ti je përhumbur dhe e vetmja buzëqeshje që të vjen përballë është (s’do ta besoja as vetë po të ma rrëfente dikush tjetër) policia rrugore, buzëqeshja dhe mirësia e së cilës të duket si shpëtim në ato çaste mjerimi: “Presor, si je? Pse në këmbë?!” I jep dorën dhe e përshëndet. O Zot, shyqyr që më përmende… – “U bëra pishman, – ia kthej. – uroj të mos ndodhë më!” dhe iki. Ikën dhe ajo. As ajo nuk kupton përgjigjen, as unë pyetjen. Ikën gjithsekush në punë të vetë. Sigurisht të dy përballemi me Mjerimin në mënyra të ndryshme…
Sa e gjatë po më duket kjo rrugë. “Dyqan këpucësh”… “Shesim mish të freskët”… “Berber”… “Lloto”… “Lojra fati”… “Euro lloto”… Pse kaq e gjatë kjo rrugë? Duhet të ishte më e shkurtër? Ku po shkoj? Pse s’po del vendi ku u nisa për të vajtur? Po njerëzit ku shkuan?
O Perëndi...! Mjerimi nuk qenka metaforë…! Na paskan gënjyer në shkollë. Ai ka marrë trajtën e njeriut të përvuajtur dhe është lëshuar rrugëve të qytetit. Të lutem, lidheni…! Mjerimi mund të kafshojë. Plaga e tij është e thellë. Mjerimi….

***
-“Babi, të dashuroj!” Përmendem. Është zëri i ëmbël i vajzës sime flokartë. Ka ardhur tek krevati dhe me buzët e saj të vogla më ka puthur në gjumë. - “Babi, erdha të të puth…” – më thotë dhe ikën. Ngrihem. Jam i gjithë ujë në djersë dhe i drobitur. E ndjek nga pas…, e shtrëngoj dhe e përqafoj fort….

*Fragment i shkëputur nga libri "Kronikë e një qyteti të (n)gurtë"

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...