Maqedoni, botohet ligji që lejon përdorimin e gjerë të shqipes

Tuesday, 15 Janar 2019 17:49

Në Maqedoni, Gazeta Zyrtare botoi të martën Ligjin për përdorimin e gjuhëve, gjë që shënon një hap drejt përdorimit të gjerë të gjuhës shqipe në vend.

Ligji nuk u nënshkrua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe për muaj të tërë mbeti në sirtarët e kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, e cili e dërgoi mbrëmë për botim.

Drejtuesit e “Gazetës zyrtare” thanë se publikimi i ligjit bëhet sipas Nenin 52/2 të Kushtetutës.

Partia maqedonase e opozitës VMRO-DPMNE, kërcënoi drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se mund të dënohet me burg për “vepër penale”.

Zoti Kostovski u përgjigj se çdo përpjekje për të njollosur Gazetën Zyrtare do të denoncohet në organet gjyqësore.

Së bashku me ligjin e gjuhëve, zoti Xhaferi dërgoi për botim edhe ligjin e fundit për ndryshimet kushtetuese - ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut.

Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”.

Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.

Kjo ka shkaktuar debate prej muajsh nëse gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni apo vetëm zgjerohet përdorimi i saj.

Me ligjin e ri, gjuha shqipe pritet të ketë shtrirje në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale.

Ligji do t’i mundësojë mes tjerash, kryetarit të parlamentit, duke qenë shqiptar, që seancat t’i drejtojë në gjuhën e tij amtare. Edhe ministrat shqiptarë në seancat e qeverisë do të mund të flasin shqip.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga shumica parlamentare, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësohet si përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur në gusht 2001.

Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 përqind të popullsisë së Maqedonisë.

Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, përfshinte një sërë ligjesh që e rrisnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe mbeti gjatë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...