Agron Hetoja nuk do të jetë më drejtor i KESH-it.
Në vendin e tij ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka emëruar Benet Becin
Beci ka drejtuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Që pas marrjes së detyrës ministrja Balluku po shkarkon nga puna të gjithë njerëzit e afërt të ish- ministrit Damian Gjiknuri, por edhe ata të përfshirë në aferën e tenderimit të unazës së Re.
Kështu me urdhër të kryeministrit Edi Rama u largua nga detyra zv/Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enis Aliko, në vend të tij u emërua zv/ministër Ilir Bejtja.
Drejtori i OST dha dorëheqjen pas publikimit të skandalit me kompaninë “DH Albania”. Ndërkohë edhe kreu i ARRSH Afrim Qendro u shkarkua nga detyra.
Lëvizja tjetër ishte ajo e kreut të Autoritetit Portual Durës, Afrim Bakaj, i cili u shkarkua nga kjo detyrë.
Kush është Benet Beci?
Benet Beci është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës, dega Ekonomi Politike, në vitin 1987. Në vitin 2003 përfundon programin dy vjeçar "Master në Administrim Biznesi" (MBA) duke mbrojtur tezën "Sistemi bankar në tranzicion, tronditjet dhe mësimet", pranë Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me Universitetin Nebrasca-Lincoln.
Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh te tjera brenda dhe jashtë vendit. Fushat e specializimeve janë kryesisht në sistemin bankar dhe funksionet e institucioneve të kredidhënies, analizës financiare, manaxhimin e riskut dhe përcaktimin e normave të interesit, manaxhimin efikas të institucioneve mikrofinanciare, buxhetimin, planifikimin dhe menaxhimin e projekteve, si dhe modelimin e institucioneve financiare dhe të kreditimit.
Gjatë karrierës së tij, Benet Beci, numëron detyra të rëndësishme duke filluar nga ajo në Ministrinë e Transporteve, ku për 5 vite ka mbajtur detyrën e inspektorit të tarifave dhe standardeve. Më pas, në vitin 1992 ka punuar në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Bankën Kombëtare (sot Banka e Shqipërisë). Nga viti 1993 deri në vitin 2005 Beci ka punuar në institucione financiare të ndryshme si Banka Kombëtare Tregtare, Fondi i Financimit Rural, dhe Unioni i Shoqatave të Kursim Kredisë. Po ashtu ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë.