Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në intervistën ekskluzive për Insajderi, tha se Edi Rama ka qenë i angazhuar në projektin e ndarjes së Kosovës.
“Ka qenë i angazhuar kryeministri Rama në opsionin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, i njohur si shkëmbim i territoreve – por që do të rezultonte me ndarje të Kosovës”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se në momentin kur Rama shpeshtoi takimet e vizitat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, prej atëherë ka nisur ideja për ndarjen e Kosovës.
“Zotëri Rama ka qenë i kyçur që në inicimin e kësaj mënyre të marrjes vesh jo vetëm Kosovë-Serbi, por edhe një marrëveshje paqeje shqiptaro-serbe”, është shprehur ai.
Çmimi i kësaj marrëveshje do të ishte ndarja e Kosovës, ka thënë Haradinaj, teksa ka shtuar sesi e kjo ide ishte kundërshtuar nga vet ai si kryeministër, por edhe nga vendet e fuqishme të botës.
Ramush Haradinaj tha se ka vendosur të përballet me padinë e Edi Ramës, duke shtuar se nuk do t’ju ikë përgjegjësive.
“Nuk më vjen mirë që gjendja është kështu, pra që kryeministri i Shqipërisë më ka paditë ose që ka dërgu padi për kryeministrin e Kosovës. Ne shqiptarët kudo që jemi jemi vëllëzër kjo ska më dilemë. Në rastin konkrëtë i kemi pasur disa mospajtime me kryeministrin Rama në disa tema, por kryesisht në një temë në atë që e ka rrezikuar Kosovën me ndarje. Rezultat i kësaj janë edhe pasoja që tani i shohim, por në bazë të përgjegjësive do të përballem me gjitha këto”.