Nga Ingrid Ostby
Një shkelje me të dhënat e përdoruesve në vitin 2018 AD, shkaktoi një eksod masiv nga Fejsbuku. Menjëherë pas kësaj, u krijua një shoqëri e re, e përbërë nga ata që i fshinë fare llogaritë e tyre. Ata u nisën të bëjnë një jetë idilike, në një vend që e quajtën post-Fejsbuktopia, ku gjithësecili mund të jetonte në paqe, të çliruar prej barrës së përditësimeve dhe ndërveprimeve sekondë pas sekonde. Ose të paktën kështu shpresonin…
Ja disa histori të vërteta të “banorëve” të post-Fejsbuktopisë
Një shitës librash, që nuk dinte më si të promovonte biznesin e tij, pa e patur atë që dikur e quante “community page”,- u kërkon kalimtarëve të shkruajnë vlerësime mbi dyqanin e tij mbi një copë letër, të cilat i lexon më pas, në shtëpi, për t’u siguruar që po ecën mirë. Në fakt, nga pikëpamja monetare, biznesi i tij po ecën mirë. Dhe ka shumë vizitorë. Por pa komente, pyet veten ai, si mund ta dijë që njerëzve u ka pëlqyer vërtetë?
Një nënë në të tridhjetat lind fëmijën e dytë. I bën shumë fotografi të sapolindurit, por nuk di ku t’i hedhë. “Fotografia e parë e Parkas që postuam mori më shumë se njëqind like-s”, i thotë të shoqit. “Pa Fejsbukun, si do ta njohin njerëzit Takein?” E mbërthen paniku, dhe nis të qajë. “Nëse fotografia e saj nuk postohet, si do e dinë që ekziston? As nuk do e dinë që ka lindur!”
I shoqi ndërhyn dhe vendos ta shpjerë fëmijën tek nëna e tij. “Do të jetë e sigurt atje”, pëshpërit. Ndërkohë që shkon me makinë tek e ëma, mendon për një mik të shkollës së mesme, me të cilin ishte rilidhur në Fejsbuk. “Kushedi ku do jetë tani”, thotë me mendje, duke kujtuar Fejsbukun e mikut, që ishte i mbushur me filmime, mbi mënyrën se si funksionojnë gjërat. “Sa djalë interesant”. Bebja buzëqesh vesh më vesh në sediljen e pasme, e mahnitur prej bukurisë së natyrës.
Një burrë, i cili sipas profilit të tij në Fejsbuk, më parë bënte “shpërndarësin e meme-ve”, rri ulur në kompjuter, me një pamje të mjerë. Kërkon në Google “qenë qesharakë”, por asnjë prej fotografive nuk shoqërohet me tekst, që të shpjegojë përse qentë janë qesharakë. Si mund ta di unë si të ndjhehem nga kjo fotografi, mendon me vete, nëse ajo nuk ka as fjalë? Në gjumë, e dashura e dëgjon shpesh që të thotë me zë të lartë “T.F.W.”, apo “emoji që qajnë dhe qeshin, hahaha”.
Një grua, që prej vitesh është konsideruar aktiviste Fejsbuku, ndodhet në shtëpi duke lexuar artikuj mbi padrejtësitë. Më pas i dërgon mesazh të gjithë personave që ka në listën e kontakteve. Mesazhi përmban listën e link-eve të artikujve, me shënime si: “NDërkohë që ju po shijonit privilegjin tuaj, këtyre njerëzve po u mohoheshin të drejtat themelore”. Një mike i përgjigjet: “Sa e trishtë”. Një tjetër: “Becca, pse nuk ishe në marshim të shtunën?” Becca e mendon këtë pyetje. “Marshimi…”, thotë me vete. “Duhet ta bëj këtë, një prej këtyre ditëve”. Vazhdon të lexojë, e zemëruar me çdo person kontakti që nuk u është përgjigjur mesazheve të saj.
Një djalë, i cili kish qenë analist i respektuar i mediave sociale në kohën kur mbretëronte Zuckerbergu, ndjehet i humbur. Çdo javë zhytet gjithmonë e më shumë në mani, duke pëshpëritur marrëzi si “koha e ditës ka rëndësi”, “pikëpamjet janë të rëndësishme, klikimet jo”, “ndarjet e postimeve kanë rëndësi, shikimet jo”, “drejtoje trafikun në faqen e internetit” e kështu me radhë. As ai nuk e kupton më veten. Teksa ndodhen në radhë në dyqanin pranë shtëpisë, një ish koleg e njeh dhe i thotë duke qeshur: “Sapo e sajove këtë, apo jo?” Ish analisti, pasi ka hequr dorë nga gjithë mbrojtjet e të shkuarës, ngre supet dhe përgjigjet: “Sapo kam marrë diplomë në rusisht”.
Më anormalja e qytetit, një grua që nuk kish qenë kurrë në Fejsbuk, rri ulur e lumtur bashkë me familjen, në oborrin e pasëm të shtëpisë. “Ajo nuk e di se si ka qenë dikur”, thonë ata me helm të fshehur, duke i hedhur vështrime vjedhurazi gruas dhe fëmijëve të saj që qeshin me gjithë zemër. Dhe e përsërisin, këtë herë me keqardhje: “Ajo nuk e di se si ishte më parë”./The New Yorker/