“Ju nuk mund ta kuptoni komunizmin”

Saturday, 13 February 2021 15:56

Në letrat e tjera të dërguara nga Shqipëria jashtë vendit, kryesisht në SHBA, vihet re përveç përshkrimit të gjendjes së rendë në vend, edhe një lloj pezmatimi se ata që nuk ishin këtu, nuk e imagjinonin si ishte komunizmi. Pavarësisht se është fundi i vitit 1952, të krijohet përshtypja se je në ndonjë vend të humbur të Afrikës ose botës së tretë dhe aspak me një vend shumë afër kryeqyteteve më të njohur të Europës.

Pjesë nga letrat e ndaluara:

-Jani Litis nga Klishari, letër për George Litis në SHBA: “Jeta e babait është rënduar këtu, një sandale për të veshur nuk ka. Sikur të kishte një mënyrë të vija atje. Mamaja nuk do të vijë për arsye se ka Janin ushtar, por ty të shkruaj që në rast se nuk do vij unë, nuk të dërgoj letër tjetër”.

-Evjeni Kaçi nga Vanistra për John në SHBA: “Kemi qenë shumë keq për bukë si dhe për borxhet që kemi pasur. Po mos na vinin këto të holla nuk dinim si do t’ia bënim. Me këto morëm disa ushqime, por ne e dimë si hamë. Nuk mjafton me kaq, por ndodhemi në dimër dhe jemi pothuaj lakuriq. I marr rrobat për të qepur, por grisen nga gjilpëra. Mallëngjehem dhe i njom me lot. Kam edhe shokë të tjerë në këtë gjendje. Këtë letër ta jap ta lexojnë edhe të tjerët dhe ju lutem të na ndihmoni pasi jemi në gjendje të mjerueshme”.

-Nasho Cani për Petron Canin në SHBA: “Peço, u shpenzuam shumë këtë vit. Jemi shtrënguar shumë në rrezik sepse kishim 240 napolona që ia paguam financës. Nuk di si do ia dalim këtë vit. Kemi mbetur të zhveshur e zbathur se nuk na tepruan para të rregullohemi për vete se na ranë pagesa të mëdha”.

-Izet Emin Koçibelli nga Qatromi i Korçës për Tefik Tahirin në SHBA: “Jemi keq për bukë. Do turpërohem. Plani i shtetit do detyrimi. Neve aq bëjmë e s’mund ta lajmë. Që kur ishin ju e deri tani një ditë të bardhë s’pamë. Më mirë të vdesim”.

-Bujar Bexheti nga Bilishti i shkruan Mustë Mustafait në SHBA: “Të falënderoj për paret që na dërgove. Je shpëtimtari ynë se babanë e kanë dënuar me 10 vjet burg. Pasurinë na e sekuestruan. Dënimi iu dha për inat personal”.

-Artemisi Kozilla nga Korça i shkruan  Kosta Kozillës në SHBA: “Themi ditë e natë, shyqyr Zotit që të kemi ty andej e që je mirë. Se po të ishe këtu do të punoje dhe me bukë nuk do ngopeshe”.

-Hetem Hamiti nga Kamenicë e Korçës i shkruan Hazis Sadikut në Australi: “Më thua se je bërë 200 okë. Unë jam 40 kile dhe kjo vjen nga ushqimi i mirë që kemi se në vend të mishit hamë hudhra e qepë. Na dërgoni ndonjë letër për sevap se neve nuk e kemi mendjen në vend”.

-Xhevahir Sulejmani nga Deraniku Korçë, i kthyer nga Australia i shkruan Istref Lazes nga Kamenica me qëndrim në Australi: “Ju pyes si vini me bostanet se neve kemi borë. Në hamë dëborë, ju hani domate. Po të pyes për drutë, nuk shkojnë fare. Sa herë që të pini birrë më kujtoni se unë ia harrova emrin fare”.

-Marije Petu nga Dukati i Vlorë i shkruan Franc Betjus në SHBA: “Vëlla Foto, mos më harro. Vuajmë urie. Me 20 dollarët mora 30 kg misër që të mbajmë shpirtin. Jeta jonë është me lakra dhe këto pa kripë se nuk kemi. Kam për të paguar dhe 1500 lekë tatim dhe ku t’i gjej nuk e di”.

-Zenel Rushani nga Korça për Haki Rushanin në SHBA: “Na thua edhe për Bajram që është mirë! Ju faleminderit. Vërtet ai mirë është, por ne po vuajmë për shtëpinë e tij se qeveria na griu plaçkat dhe jemi si mos më keq. Juve nuk mund ta kuptoni këtë regjim që na ka marrë me sy të keq. Se ku do dalë nuk e dimë. Ju nuk mund ta kuptoni komunizmin”.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...