Kosova e hiperbolizuar

Diel, 20 Janar 2019 17:18

Nga Qemal SAKAJEVA

Pamja politike më e fundit në Serbi ishte kjo:

Nga të gjitha viset u mblodhën mijëra në Beograd më 17 janar 2019, nën valëvitjen e një deti flamujsh rusë dhe parullës “Krimeja është Rusi, Kosova është Serbi”, në nderim të Presidentit Vladimir Putin, gjatë vizitës së katërt atje.

Në gjoksin e Presidentit  Aleksandër Vuçiç u vu dekorata e lartë “Aleksandër Nevski”, me stilizim të vjetër stalinist.

Diku në një sallë, të dy presidentët përkëdhelën këlyshin tremuajsh të racës së qenit të Sharrit për të cilin, sipas mediave, u  tha se  është racë jugosllave!

Zbavitësi i njohur nëpër këso lloj ngjarjesh, domethënë Ivica Daçiç, këndoi në rusisht këngën e njohur “Kalinka”.

Përveçse u nënshkruan një numër marrëveshjes, refren i vizitës ishte Kosova dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB. Putin nuk tha ndonjë gjë të panjohur,

por Vuçiç i vuri Perëndimit një mur përpara: ai tha se “Pa Rusinë nuk do të ketë asnjë zgjidhje” dhe bëri me dije që, gjithnjë “... këshillohem me të (domethënë me Putin - shënimi im) për të parë se çka është më mirë” për zgjidhjen.

Si dhe pse është hiperbolizuar ajo?

Shqiptarët, në rrethanat e shkuara, qenë popull i një visi tokësor për të cilët gati nuk dihej nëse frymonin. Ata gati nuk patën guxuar të mendonin për t’u ndjerë të rëndësishëm mes bashkësisë njerëzore, ca më pak “shumë të rëndësishëm”, si në këto kohëra. Tek përpiqeshin t’u delnin zot të drejtave të veta, atyre u është dukur tepri të besonin që, për shkak të tyre të bëhej një luftë, si ajo që tanimë dihet, dhe të krijoheshin ballafaqime të mëdha.

Kjo që shohim, që nga lufta dhe deri te njohja e pavarësisë nga Serbia (nëse?!), është Kosova e hiperbolizuar. Fjalori i gjuhës shqipe i vitit 2006, botim i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, fjalën “hiperbolë,-a, f.sh. - a(t)”, e shtjellon kështu: ”figurë që ndërtohet mbi bazën e zmadhimit të përmasave të diçkaje, për të theksuar më shumë një ide ose për të bërë më shumë përshtypje”. Shqiptarët kanë qënë e janë aty, atëherë e sot e kësaj dite, në tokën dhe nënqiellin e tyre. Përveç atij atdheu, nuk mund të jenë tjetërkund, as si  popull i shpërngulur, as si popull i spastruar, as si vend me synim për ta ndarë. Stërhollimet me termat “korrigjim i kufirit”, sipas Hashim Thaçit, dhe “përkufizim mes serbëve dhe shqiptarëve”, sipas Aleksandër Vuçiç, e zhbëjnë Republikën.

Kosovën e kanë hiperbolizuar katër aktorë:

E para, Serbia. Pas aktit të pushtimit, kurrë nuk pushoi për të mbajtur koloninë. Ajo

ligjëroi çdo luftë, shpërnguljet dhe spastrimet. Ka prodhuar male me libra, përhapur informacion të pamatë, ndërmerr diplomaci deri në fund të botës dhe zhvillon politikë agresive. E drejta e Serbisë në Kosovë është e thjeshtë: të kujdeset për të drejtat e pakicës serbe dhe të mbrohen monumentet e kulturës së tyre. Mirëpo, mbi bazën e hiperbolizimit, duhet thënë që, edhe në Planin Ahtisaari pakica serbe arrin standade mbieuropiane: autonomi të veçantë, zona të veçanta të objekteve të kultit dhe lidhje të veçantë me Beogradin. Duke mos e pranuar pavarësinë, Serbia shkon deri në skaj, aq sa i kapërcen të drejtat e një pakice fare të vogël, dhe kërcënon: në mos gjithë territorin, ndarjen domosdo.

E dyta, Rusia. Ky vend gjigant e ka hiperbolizuar Kosovën aq shumë sa, kush nuk zotëron njohuritë e duhura, rrezik të pyes: kush është më e rëndësishme, Rusia e madhe apo Kosova e vockël?! Ky sistem stërzmadhimi është i njëjtë për Moskën në të gjitha këto vite. Ish-presidenti Boris Jelcin, i vendosur kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, pati paralajmëruar Perëndimin se ashtu do të fillonte Lufta e Tretë Botërore. Edhe gjatë pavarësimit, Rusia bllokoi për një kohë të gjatë duke paralajmëruar që, kjo zgjidhje për  Kosovën do të çojë në një zinxhir botëror të çështjeve të ngjashme, aq sa, Presidenti Vladimir Putin pati kurajën të shkonte deri në zemër të Bashkimit Europian, duke vënë në shenjë Belgjikën.  Strategjia e Rusisë është e rrokshme: të faktorizohet në botë, të futet në Ballkan pas dështimit në Mal të Zi e Maqedoni, gjë që e arrin me rolin e Serbisë.

E treta, Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia, Spanja. Janë pesë shtete të Bashkimit Europian, që nuk pranojnë të njohin pavarësinë. Por duke e kundërshtuar atë, nuk thonë  çfarë mbrojnë: Vendin e tyre? Serbinë? Rusinë? BE-në? Këto zëra të veçuar bëhen pjesë e hiperbolizimit të Kosovës, duke i keqpërdorur të drejtat e shqiptarëve për sikletet e veta të brendshme. Por Kosova as nuk i ndihmon dot, as nuk u prish punë dot. Janë ato që e cenojnë padrejtësisht çështjen e lirisë së saj.

E katërta, mediat e vendeve kundërshtare. Sa shumë prodhim publicistik kundër Kosovës! Gati asnjë nuk ka mbetur pa thënë diçka, që nga periferitë e botës deri në qendër të Europës.

Gjatë vizitës së Vladimir Putin në Serbi, Ish-Jugosllavia u përmend në dy mënyra: U tha se qeni i Sharrit është racë jugosllave dhe Rezoluta 1244 e OKB u citua si bazë për  zgjidhjen. Mirëpo ky është manipulim politik i dyfishtë: Emri jugosllav është i harruar edhe për njerëzit, le më për qentë; kurse Rezoluta 1244 e OKB për Kosovën ka shkuar në varrezë, bashkë me varrosjen në Mal të Zi të Jugosllavisë se mbetur, ditën që Podgorica shpalli pavarësinë.

Modifikuar më Hënë, 21 Janar 2019 10:50
Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...