Rrëfim dhe fotografi me motrën e Nolit

E Enjte, 14 Mars 2019 16:53

Nga Qemal SAKAJEVA

Prof. Dr. Muharrem Carabregu, me shkollim në Prishtinë, Zagreb dhe SHBA, ishte gjeograf  dhe hartograf shumë i njohur në Kosovë,  autor i disa librave e studimeve, ndër ta “Kosova në hartat e vjetra”. Vite më parë, duke rrëfyer për udhëtimet e punës, i kishte  mbetur në mendje takimi me motrën e Fan Nolit, në vitin 1982. Në gazetën Rilindja të Kosovës, kishte lexuar se ajo jetonte në Ferez të Greqisë, diku pranë kufirit greko-turk, në vendkalimin Ipsala. Ato ditë do të udhëtonte për në Stamboll, ku mbahej një veprimtari ndërkombëtare e gjeografëve. Por  nuk i bëhej të kalonte pa kërkuar ku e kishte shtëpinë Sulltana, motra e Fan Nolit. Pasi hyri në Ferez, në këtë qytet në vijë të kufirit,  pyeti kamarierin e një restoranti:

“Po kërkoj të takoj një grua të moshuar me emrin Sulltana. Vëllai i saj dikur ka qenë kryeministër i Shqipërisë dhe quhej Fan Noli”.

Kamarieri nisi të bërtiste në sallë: “Kush është shqiptar këtu?”

U ngrit dikush dhe tha se ishte shqiptar. Nisi të bisedonte me Muharremin në shqip, por nuk mund të vazhdonte. Kur e pyeti për Sulltanën, tha se nuk e njihte.  Kamarieri nisi prapë të fliste me zë të lartë: “A e njeh kush Sulltanën që jeton në qytet?  Ajo e ka pasur vëllain president të Shqipërisë?”

Foli një grek: “E di cilën kërkon ky zotëria”. Hipën në makinë dhe shkuan te shtëpia e saj. Shumë vështirë e patën të bisedonin në shqip. Atëherë Muharremi i foli turqisht. Ata po bisedonin në një dhomë  të cilën Sulltana e kishte mbushur përplot me fotografi fetare të Nolit. Dikur ajo e pyeti: “Në çfarë partie je, djalë? A je në partinë e Nolit? A e di që ai ka qenë republikan?”

Muharremi u mendua pak dhe i tha: “Nolin e kam ideal”.

Atëherë, nipi i Sulltanës, që kishte kryer studimet në gjeologji në Selanik, por që nuk dinte shumë për Nolin, pyeti dhe Muharremi i tregoi për kontributin kulturor e politik të Nolit në përpjekje për emancipimin e njohjen e kombit tonë në botë, sidomos në Amerikë. I foli dhe për Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Nipi i Nolit ndjehej  krenar. Ai ishte i papunë dhe i kërkoi ndihmë nëse mund të punësohej në Kosovë. Kjo do ta ndihmonte të mësonte dhe gjuhën shqipe. Ndërkaq Sulltana hyri në bisedë dhe tha se ajo ishte lindur në Qytezë. I kujtohej kur e ka sjellë Noli nga Edreneja në Stamboll. Ajo qe 6 vjeçe dhe që atëherë kurrë nuk u takua më me Nolin. Djali i saj ishte rrobaqepës, kishte të hapur një dyqan që shumë vite të shkuara. Kur Noli ishte kryeministër, nipi i bashkë me një shok u nisën për në Tiranë, pasi kishin marë lajm nga Noli që të shkonin në Shqipëri e të shkolloheshin, se kështu do të mësonin mirë shqipen. Kur arritën në kufi, çdo shpresë u rrënua, gjithë ai gëzim u shua: morën vesh se qeveria e Nolit ra!

“Këtë takim a ta fiksojmë në fotografi?”, u tha Muharremi.

Më vonë Muharremi u interesua përsëri gjatë udhëtimeve për në Turqi, por nuk e takoi dot më. Sulltana nuk jetonte. Ajo kishte ndërruar jetë pa mundur të vinte në Shqipëri. Sa shumë miq partie erdhën nëpër dhjetëvjeçarë, nga të pesë kontinentet, u shpenzua për ta, dhe, ku janë? Ndërsa mjaft shqiptarë të këtij vendi të ndarë, me bij e bija të hedhur nëpër botë si të truar, s’mundën të bëheshin as miq të Shqipërisë.  Edhe Sulltana.

Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...